Ndërlidhjet

PAN-i edhe një javë tjetër në kërkim të votave në Kuvend


Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, 11 qershor 2017

Me gjithë paralajmërimet, subjekti fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, koalicioni PAN, ku bën pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, nuk ka arritur ende të finalizojë ndonjë marrëveshje me ndonjërin prej subjekteve politike për tejkalimin e nyjës së krijuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Nga ky koalicion, i cili e ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit, por nuk e ka shumicën për ta zgjedhur atë, thonë se janë duke diskutuar me deputetët dhe partitë politike që të sigurohet numër i mjaftueshëm votave për konstituimin e Kuvendit dhe Qeverise së re, por ende nuk është finalizuar ndonjë marrëveshje.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se partitë politike, pjesë e koalicioni PAN, janë duke i intensifikuar përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja.

"Jemi në biseda të vazhdueshme edhe me subjektet politike dhe me deputetët dhe pritet që brenda një kohe shumë të shkurtër të krijohen institucionet", tha Lekaj.

I mandatuari për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takime me drejtuesit e Aleancës Kosova e Re, e udhëhequr nga afaristi i njohur Behxhet Pacolli, por end nuk është thënë se ka pasur ndonjë marrëveshje konkrete.

Aleanca Kosova e Re është pjesë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativën. Ajo ka katër deputetë dhe, siç është raportuar, Haradinaj tashmë ka zhvilluar takime edhe me disa prej këtyre deputetëve.

Mirëpo, zëvendëspresidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleanca Kosova e Re, Vesel Makolli tha për Radion Evropa e Lirë se AKR-ja nuk ka deri më tash asnjë marrëveshje me koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN.

"Jo nuk ka marrëveshje me koalicionin PAN. Presidenti jonë ka qenë në kontakt edhe me dy subjektet, edhe me LDK-në edhe me Vetëvendosjen, ka pasur takime. Ne shpresojmë që këto do të arrijnë një marrëveshje", tha Makolli.

Ai tha AKR-ja dhe lideri i saj janë promotor në gjetjen e një zgjidhjeje më të shpejt për zhbllokimin e funksionimit të Kosovës.

"Varianti i parë është një Qeveri gjithëpërfshirës. Nëse jo gjithëpërfshirës, atëherë pa PDK-në, do të ishte me së miri. PDK-ja është më së miri të kalojë në opozitë. Edhe ashtu i ka humbur numrat dhe duhet ta lirojë vendin", tha Makolli.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci, tha se tash nuk e ka ndërmend ta thërras vazhdimin e seancës konstituive, e cila ka nisur që nga 3 gushti dhe ka mbetur e papërfunduar. Sipas tij, seanca mund të thirret vetëm nëse ka ndonjë marrëveshje politike që garanton zhbllokimin e krijuar në Kuvend.

"Seanca thirret kur PAN-i t’i ketë numrat ose nëse bëhet ndonjë aleancë ndërmjet Vetëvendosjes edhe Lidhjes Demokratike, gjë nuk ma merr mendja që bëhet", tha Mikullovci.

Formimi i institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, vazhdon të mbetet i paqartë.

Nyja politike rreth konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës po vazhdon, përderisa ende nuk është krijuar një shumicë parlamentare që do t’i kishte votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve të reja.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, procedurë kjo e nisur që nga 3 gushti, ky institucion konsiderohet i pakonstituuar, çka e pamundëson edhe nisjen e procedurës për formimin e Qeverisë së re.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG