Ndërlidhjet

Mbahet Parada e tretë e Krenarisë në Prishtinë


Parada e Krenarisë në Prishtinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:12 0:00

Parada e Krenarisë në Prishtinë

Me moton, “Për kon t’rreh zemra ”, pjesëtarët e komunitetit LGBTI (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), mbajtën Paradën e Krenarisë në Prishtinë. Kjo është hera e tretë që ky komunitet ka mbajtur një paradë të tillë në kryeqytetin e Kosovës.

Ndryshe, përgjatë kësaj jave në Prishtinë ka vazhduar “Java e Krenarisë” me aktivitete të ndryshme që u kushtohen të drejtave të personave të komunitetit LGBTI.

Gjatë paradës, masa u tubua në sheshin "Skënderbeu" në qendër të Prishtinës duke vazhduar tutje drejt sheshit "Zahir Pajaziti". Pas marshit nëpër sheshet e Prishtinës, Lend Mustafa, i cili i takon komunitetit LGBTI, tha se kjo është një ditë kur pas shumë kohësh që është dashur të fshihen, po dalin në rrugë me shumë krenari për herën e tretë me radhë.

Duke llogaritur periudhën nga parada e vitit të kaluar deri më sot, ai tha se ky vit i fundit përkomunitetin LGBTI nuk ka qenë i lehtë dhe se kanë kaluar në shumë sfida, duke u nisur nga familja deri te rrethi shoqëror. Siç tha ai, shumica e familjeve kosovare nuk i pranojnë fëmijët e tyre kur ata u tregojnë për orientimin e tyre seksual.

“Ka qenë një vit me shumë sfida për komunitetin LGBTI dhe nuk mund të themi që ka qenë e lehtë, por ia kemi dalë. Sot jemi mbledhur të tregojmë që pas gjithë këtyre sfidave, jemi mbledhur të tregojmë që po qëndrojmë në këmbë dhe qëndrojmë krenarë, sepse për këtë na rrah zemra, na rrah zemra, për ju, që ju dëboi familja e që përballeni me presion çdo ditë, aty ku do të duhej të ndjeheshit më të sigurt. Na rrah zemra për ata që përballen me sistem patriarkal në këtë vend”.

“Por, na rrah zemra për shoqërinë që na përkrah në çdo hap dhe na jep shpresë dhe sot jemi këtu të tregojmë që me të vërtetë jemi këtu për njëri-tjetrin se ne po qëndrojmë të fortë dhe krenarë”, tha Mustafa.

Por, qytetarët konsiderojnë se Kosova, sa u përket të drejtave të komunitetit LGBTI, është shembull për vendet e rajonit. Ardian Nrecaj, qytetar i cili kishte dalë në përkrahje të personave që i takojnë këtij komuniteti, beson se krahasuar me rajonin, Kosova qëndron më mirë në këtë aspekt.

“Mendoj që Kosova është shembull i mirë për gjitha vendet e rajonit dhe është parada e tretë që po mbahet dhe është mbajtur pa incidente dhe me një përkrahje të gjerë. Po ashtu, më gëzon fakti për mediat që po i përkrahin dhe dinë si të raportohet, pasi dihet se është një raportim i ndjeshëm”, tha Nrecaj.

Ndërkaq, një tjetër pjesëtare e komunitetit LGBTI, Nita, tha se nëse krahasohet gjendja e sotme me periudhën apo vitet paraprake, është shënuar përparim, ndonëse, sipas saj, sfidat mbesin akoma.

“Po ndihem shumë e lumtur se po organizohet për herë të tretë (parada) dhe është një ditë shumë e veçantë. Sa u përket qytetarëve, nuk janë thyer të gjitha tabutë. Por, nëse krahasohet me vitet paraprake, gjendja është shumë më e mirë. Tash dalim më lirshëm, kurse viteve të kaluara nuk ka pasur kaq liri sa kemi sot”, tha Nita.

Krahas organizatorëve nga ky komunitet, në paradë morën pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si dhe personalitete të ndryshme nga shoqëria civile.

Para dhe gjatë kohës së mbajtjes së kësaj parade, nëpër sheshet e Prishtinës janë vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG