Ndërlidhjet

Partitë në pushtet mbeten pakicë në KQZ


Fotografi ilustruese

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar tetë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Këto emërime kanë zhbllokuar punën e këtij organi, i cili për më gjatë se një vit ishte jofunksional, pikërisht për shkak të mungesës së anëtarëve.

Vendimi i presidentit Thaçi për këto emërime pasoi reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ku mes tjerash thuhej se "dështimi për t'i bërë emërimet, e ka lënë KQZ-në të paaftë për të kryer funksionet e saj themelore".

Nga tetë anëtarët e rinj, dy janë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dy nga Lëvizja Vetëvendosje dhe katër nga komunitetet jo shumicë. Ndërkaq, aty mungojnë edhe përfaqësuesit e partive politike në pushtet. Këto të fundit, kërkojnë nga presidenti që në KQZ, të përfaqësohen si parti politike dhe jo si koalicion, ngase përfaqësimi si koalicion, i privon disa prej tyre që të sigurojnë ulëse në këtë organ.

Në kuadër të koalicionit në pushtet, janë tri parti politike më të mëdha, që pretendojnë se kanë vende në KQZ. Ato janë: Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate. Por, atyre u kanë mbetur edhe dy vende në KQZ. Në zgjedhjet parlamentare, këto parti politike kanë garuar si koalicioni PAN, andaj edhe presidenti është nisur nga ky parim, duke u ndarë atyre së bashku dy vende në KQZ.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nuk i ka treguar arsyet pse partitë e koalicionit nuk i kanë dërguar emrat e tyre për dy vendet e mbetura bosh, por ka thënë se nuk sheh lëkundje të koalicionit për shkak të garës rreth përfaqësimit në KQZ.

“Koalicioni qeverisës gjithmonë lëkundet prej vetvetes..., kur i vjen koha edhe lëkundet. Por, besoj se ende është duke qëndruar”, ka thënë Veseli.

Në anën tjetër, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka paralajmëruar se nëse kjo parti politike nuk siguron përfaqësim në KQZ, atëherë do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse presidenti nuk iu dërgon gjashtë grupeve parlamentare emrat, ashtu siç i ka kërkuar emrat e tyre dhe ashtu siç e parasheh Ligji për zgjedhjet, atëherë normalisht që do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Isufi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar se mbetja jashtë KQZ-së e disa partive në pushtet, do të nënkuptonte nevojën për ri-emërime në këtë organ.

“Nëse kjo çështje vendoset në mënyrë arbitrare dhe pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese, atëherë kjo përbërje e KQZ-së do të jetë përbërja më jetëshkurtër e KQZ-ve të Kosovës deri më tash”, ka theksuar Sherifi.

Përveç partive të koalicionit qeverisës, vendin e vet në KQZ e kërkon edhe subjekti tjetër opozitar, Partia Socialdemokratike, e cila po ashtu nuk ka përfaqësim aty.

Ndërkohë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se me emërimet e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bërë funksional.

“Me këto emërime, KQZ-ja do të funksionalizohet dhe gjatë ditës së sotme dhe ditëve në vijim, do t’i përfundojmë të gjitha çështjet që kanë mbetur pa u përfunduar”, ka theksuar Daka.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, menjëherë pas dekretimit të anëtarëve të rinj, ka mbajtur mbledhjen e parë me përbërjen e re, ku është marrë vendim për zëvendësimin e këshilltarëve nëpër kuvende komunale. KQZ-ja ka miratuar fondin prej 4 milionë e 200 mijë eurosh, që i takon subjekteve parlamentare për vitin 2019.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG