Ndërlidhjet

Këpucët e Pejës, biznesi i ringjallur nga një grua


Nga puna në bankë në ndërmarrëse
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:42 0:00

Këpucët e Pejës, biznesi i ringjallur nga një grua

Më net të tëra pa gjumë, me qindra plane biznesi të shkruara e të refuzuara shumë herë nga aplikimet që bënte për grante, Ajshen Banjska-Kastrati thotë se nuk u dorëzua asnjëherë për të arritur qëllimin e saj.

Brenda një dekade, pas shumë vështirësive që edhe tani thotë se po e përcjellin, ajo ka arritur ta ndërtojë biznesin për prodhimin e këpucëve në Pejë.

“Gjatë procesit të punës, gjatë kësaj periudhe e kam kuptuar që sa herë të biesh, do të ngrihesh më e fortë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ajshen Banjska-Kastrati, nënë e dy fëmijëve.

Ekonomistja e diplomuar, e cila në vitin 2010 pa paralajmërim u largua nga puna ku ajo punonte, vendosi se kurrë nuk do të punonte më për dikë tjetër, por me atë fuqi që kishte do të fillonte të bënte diçka për vete dhe familjen.

“Në atë periudhë unë isha shtatzënë me vajzën. Pas lindjes së vajzës punoja nga ora 08:00 deri në ora 16:00 me punëtorë. Vajza ishte e vogël, nuk qëndronte në çerdhe dhe shumicën e kohës e kam mbajtur afër vetes. Edhe jashtë orarit të punës kemi ardhur e tërë familja në ambientin e punës dhe ka ndodhur që kemi punuar deri në ora 22:00 e 23:00”, tregon ajo.

Ajshenia thotë se ka vështirësi që të gjejë punëtorë.
Ajshenia thotë se ka vështirësi që të gjejë punëtorë.

Ringjallja e biznesit

Prodhimi i këpucëve ishte një traditë e familjes së burrit të Ajshenit. Katër gjenerata të familjes Kastrati kanë prodhuar këpucë. Por, ky biznes u ndërpre pak paraluftës, në vitin 1999, dhe pushoi veprimtarinë deri në vitin 2010, kur u ringjall nga Ajsheni.

Kishte vetëm një makinë të vjetër e cila duhej të riparohej për ta bërë funksionale.

Bleu edhe një makinë tjetër të qepjes, e cila kushtoi 600 euro, e që siç kujton Ajsheni, në atë kohë ishte shumë e shtrenjtë për të.

“Nuk kishim kapital vetanak, ishim me të ardhura shumë të vogla. Nuk është një punë që është bërë brenda natës”, thotë ajo.

Ekonomistja, nënë e dy fëmijëve, e emërtoi brendin e ri të këpucëve në emër të vajzës së saj “Rigga”.

Gjetja e punëtorëve që e njohin këtë zanat të këpucëve ishte dhe vazhdon të jetë një problem i madh për Ajshenin.

Punëtori i parë ishte Bajram Popovci, i cili kishte punuar para dy dekadash edhe në ish-Kombinatin e Lëkurës së Këpucëve në Pejë.

Bajrami e njeh mirë punën.

“Kam shtatë punëtorë. Bajrami është shurdhmemec, por e njeh shumë mirë zanatin”, thotë Ajsheni.

Pa përkrahje, drejt suksesit

Ajsheni nuk e kishte përkrahjen e duhur edhe nga burri i saj, Enesi.

“Fati deshi që fitova grantin e parë, një makineri nga organizata IOM. Atëherë (burri) më tha: ‘Pra, mirë...kjo qenka e vërtetë, mundesh të ia dalësh mbanë’”, kujton ajo.

Ajshenia së bashku me burrin e saj në punëtorinë e tyre në Pejë.
Ajshenia së bashku me burrin e saj në punëtorinë e tyre në Pejë.

Biznesi i Ajshenit po ngrihej. Ajo arriti të punësojë tetë punëtorë, kapaciteti i punës u rrit, por edhe angazhimet u shtuan.

Obligimet familjare u rriten bashkë me fëmijët, thotë Ajsheni, dhe tani përkrahja e burrit po i duhej brenda punëtorisë.

Bashkëshorti i Ajshenit, Enesi iu bashkua biznesit katër vjet më vonë, pasi la punën që bënte më parë.

"Në fillim nuk isha edhe shumë përkrahës pasi që nuk më dukej me perspektivë. Por, pas një periudhe këmbëngulëse dhe mosdorëzimit të saj (Ajshenit) më bëri të besoj dhe të ndërroj mendjen. Tani e pash se i duhet një përkrahje nga unë", thotë Enesi.

Produktet e "Rigga shoes" Ajshenia dëshiron që t'i shesë edhe jashtë Kosovës.
Produktet e "Rigga shoes" Ajshenia dëshiron që t'i shesë edhe jashtë Kosovës.

Kompania e çiftit nga Peja, “Eruditi”, këpucët e brendit “Rigga” i shet në dyqanin familjar në qendër të qytetit të Pejës, pak kilometra nga punëtoria.

Këpucët që prodhohen në puntorinë e Ajshenit në Pejë janë vetëm për gra. Çmimi varion nga 10 deri në 15 euro.

Ish-punëtorja e bankës tash synon që produktet e saj t’i shesë edhe jashtë Kosovës.

“Mos të them që kemi krijuar diçka, por është diçka me vlerë shumë të madhe për mua. Ia kemi dalë, prej një vështirësie, të dalim në dritë”, thotë Ajsheni.

Në territorin e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, mbi 28 mijë biznese janë të regjistruara me pronare gra, nga rreth 300 mijë biznese të regjistruara në nivel vendi. Bizneset e grave janë kryesisht në sektorin e tregtisë me pakicë dhe shumicë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG