Ndërlidhjet

Heqja e perdes ruse nga kinematografia ukrainase në Prishtinë


Filmbërësit ukrainas në Prishtinë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit – PriFest.
Filmbërësit ukrainas në Prishtinë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit – PriFest.

Anna Machukh nga Kievi tash e dy muaj është duke udhëtuar nëpër festivale të ndryshme për të prezantuar filmat e artistëve Ukrainas. Tashmë është edhe në Prishtinë.

Ajo thotë se këtë periudhë është duke e shfrytëzuar për të gjetur partnerë ndërkombëtarë për finalizimin e filmave dhe nisjen e realizimit të projekteve të reja filmike, pasi gjithë buxheti i shtetit në këtë kohë është për ushtrinë dhe për ndihmën e popullit. Por, ajo ka edhe një qëllim tjetër të rëndësishëm.

Anna Machukh, drejtuese e Akademisë së Filmit të Ukrainës, si dhe drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesa të Ukrainës.
Anna Machukh, drejtuese e Akademisë së Filmit të Ukrainës, si dhe drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesa të Ukrainës.


“T’ia tregojmë filmat ukrainas audiencës ndërkombëtare, sepse për shumë vjet Ukraina dhe kultura ukrainase ishte si pjesë e vogël shtesë e kulturës së madhe ruse”, thotë ajo.

Anna Machukh është drejtuese e Akademisë së Filmit të Ukrainës, si dhe drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesa të Ukrainës - një nga festivalet më të mëdha në Ukrainë - pjesë të të cilit janë duke u shfaqur edhe në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Prishtinë – PriFest.

Që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, Festivali i Odesës i ka anuluar të gjitha aktivitetet.

Sipas Machukh, një edicion i rregullt do të kishte audiencë prej qindra mijëra njerëzve. Ndërsa, në kushtet e krijuara nga lufta në Ukrainë, ky festival përveç Prishtinës, ka prezantuar pjesë të programit në festivale të ndryshme edhe në Karlovi Vari të Republikës së Çekisë dhe në Varshavë të Polonisë.

“Kemi pasur 155 mijë njerëz (në audiencë). Vetëm në ceremoninë mbyllëse të festivalit kemi pasur 15 mijë njerëz, me rreth 200 filma pjesëmarrës dhe shumë të ftuar ndërkombëtarë. Gjithçka ndryshoi në një moment, brenda disa orësh. Më 23 shkurt ne kishim premierën e një filmi të Ukrainës, në një ngjarje në Kiev dhe po planifikonim që ditën tjetër të kishim një panel diskutimi lidhur me të ardhmen e industrisë së filmit të Ukrainës, pastaj të festonim me ekipin dhe të ftuarit tanë. Brenda pak orësh gjithçka ndryshoi”, rikujton ajo gjatë një bisedë për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë.

Më se 20 filmbërës ukrainas, iu bashkuan PriFest-it me filma dhe pjesëmarrje në garën “Best Pitch” të PriForum-it, me tetë projekte filmike që presin të realizohen.
Më se 20 filmbërës ukrainas, iu bashkuan PriFest-it me filma dhe pjesëmarrje në garën “Best Pitch” të PriForum-it, me tetë projekte filmike që presin të realizohen.

Ftesën për pjesëmarrje në PriFest, Annës ia kishte bërë tashmë e ndjera Vjosa Berisha, themeluese e PriFest-it. Në kuadër të festivalit të Odesës, në Kosovë janë më shumë se 20 filmbërës ukrainas, të cilët iu bashkuan PriFest-it me filma dhe pjesëmarrje në garën “Best Pitch” të PriForum-it, me tetë projekte filmike që presin të realizohen. Për shkak të vendimit të Ukrainës për mobilizimin e burrave të moshës deri 60 vjeç, pas nisjes së pushtimit rus atje, burrat artistë janë pajisur me një leje të veçantë nga Qeveria ukrainase për udhëtimin në Kosovë.

“Jemi të lumtur që kemi edicionin tonë, veçanërisht në Kosovë, sepse e ndiejmë sikur njerëzit e Kosovës na kuptojnë dhe është shumë e rehatshme të jesh këtu me vendasit”, thotë ajo.

Pamje e pjesëmarrësve në garën “Best Pitch” e PriForum-it.
Pamje e pjesëmarrësve në garën “Best Pitch” e PriForum-it.

Me gjithë shpresën e madhe që lufta të përfundojë shpejt, ajo thotë se as nuk mund ta imagjinojë një moment të tillë.

“Nuk mund ta imagjinoj, sepse të gjithë ne në Ukrainë kemi Sindromin Post-Traumatik dhe nuk mund ta paramendojmë jetën tonë në të ardhmen”, thotë ajo, duke shtuar se nuk beson që lufta do të përfundojë shpejt.

Megjithatë, veten në të ardhmen nuk e sheh askund tjetër përpos në Ukrainë.

“Kjo është një përvojë interesante, por ne duam të kthehemi në shtëpi”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG