Ndërlidhjet

Prokuroria hesht lidhur me përgjimet ndaj BDI-së


Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në rrjetet sociale për çdo ditë po vazhdon publikimi i bisedave të përgjuara, ku të përfshirë janë zyrtarë të lartë të partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së kaluar të Maqedonisë së Veriut, si ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.

Këto biseda po i publikon Sheqerim Ahmedi, i njohur me nofkën “El Cheka”, i cili gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, ndaj Ahmedit, në Gjykatën Themelore të Kërçovës ka nisur procesi gjyqësor për veprën “Përgjim dhe incizim i paligjshëm” si dhe për publikimin e bisedave të përgjuara në rrjetet sociale.

Vëllai i tij, Bekim Ahmedi dhe shumë organizata janë duke organizuar protesta.

Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Shpëtim Pollozhani thotë për Radion Evropa e Lirë se publikimi i këtyre bisedave po tregohet si “armë” shumë e suksesshme për rrëzimin nga pushteti të ish-kryeministrit Gruevski. Sipas tij, tani po fillon rrëzimi siç shprehet ai, i diktaturës së BDI-së, që sipas Pollozhanit, e ka instaluar mbi elektoratin shqiptarë.

“Nga bisedat duket qartë se çdo gjë është nën kontroll, çdo gjë është e planifikuar, madje në një moment në bisedat dëgjohet ku Ali Ahmeti si lider i BDI-së thotë se ‘ata që janë me ne, evladët tanë, ne kujdesemi dhe ata që s’janë me ne nuk janë më një mënyrë’ . Unë mendoj se bisedat e përgjuara nuk paraqesin një çështje private, ato paraqesin çështje të interesave më të gjera dhe ato do të shkojnë deri në rrënimin e kësaj partie (BDI-së)”, thotë Shpëtim Pollozhani.

Sipas tij, nga bisedat e përgjuara shihet qartë se sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut është i kapur, pasi nuk reagon edhe kur ka indikacione për vepra penale. Në bisedat e publikuara, sipas Pollozhanit, tregohet se si strukturat udhëheqëse të BDI-së janë të përfshira në vepra kriminale.

“Deri më tani do të duhej që Prokuroria të hapte lëndë në bazë të Kodit Penal për shumë vepra kriminale që duket qartë se janë të përfshirë zyrtarët e BDI-së”, thotë Pollozhani, i cili njëherësh është njëri nga organizatorët e protestave.

Ai mohon se pas bisedave të përgjuara qëndron ndonjë strukturë politike, duke theksuar se Sheqerim Ahmedi, i njohur me nofkën “El Cheka”, bisedat e përgjuara i ka siguruar nga të burgosurit për rastin e Kumanovës dhe përmes tyre po kërkon që të zhvillohet një hetim ndërkombëtar për ngjarjet që ndodhën në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Ndryshe, nga BDI-ja, bisedat e përgjuara që janë publikuar së fundmi, i vlerësojnë si një projekt anti-shqiptar, me qëllim të caktuar, që nuk shkojnë në favor të interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Me plot përgjegjësi e them se nëse ka diçka në kundërshtim me ligjin, këto bomba (bisedat e përgjuara), i ka pasur edhe Prokuroria Speciale Publike. Por, në këtë rast unë parashtroj pyetjen se kush i zgjedh këta njerëz, kush ua jep këto bomba, kur dihet se çfarë institucionesh merren me përgjimet. Ku i gjejnë këta shqiptarë të mëdhenj që ua japin këto biseda të përgjuara, për çfarë qëllimi?”, tha për mediat, ish-ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, i cili është pjesë e bisedave të përgjuara.

Në Maqedoninë e Veriut askush nuk mund të thotë me saktësi si kanë arritur bisedat e përgjuara te “El Cheka”, ndërkohë që ekspertët e sigurisë thonë se numri i tyre është i madhe dhe lehtësisht mund të sigurohen në tregun e zi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë 2015 kur i publikoi për herë të parë bisedat e përgjuara, teksa ishte në opozitë, kishte deklaruar se te ai kishin arritur vetëm 5 deri 7 për qind e bisedave të përgjuara në mënyrë të paligjshme.

Ndërkaq, Qebir Avziu, ligjërues në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë dy dekadave të fundit, në Maqedoninë e Veriut janë instaluar një numër i madh i mjeteve të sofistikuara për përgjimin e bisedave telefonike.

“Këtu kanë sjellë dhe instaluar mjete për përgjim një numër i madh i shërbimeve të ndryshme, që u ka mundësuar një numri të madh të zyrtarëve të kenë qasje në komunikimin e qytetarëve. Sigurisht se tani një numër i zyrtarëve, për interesa të caktuara, për qëllime të ndryshme ose i kanë shitur për të përfituar materialisht ose i kanë dhënë për të dëmtuar dikë, duke ua dhënë personave të caktuar që duket se tani ata po i publikojnë në mënyrë të pakontrolluar”, thotë Avziu.

Ndërkaq, njohësit e komunikimit thonë se bisedat e përgjuara nën moton “E vërteta për BDI-në”, nuk kanë për cak vetëm këtë parti shqiptare, por Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në përgjithësi. Andaj, ata theksojnë se organet gjyqësore duhet të veprojnë sa më shpejt lidhur me përmbajtjen e këtyre bisedave.

Njohësi i çështjeve politike, Petar Arsovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë moment është e vështirë të thuhet se kush përfiton nga publikimi i këtyre bisedave të përgjuara.

“Mosveprimi ndaj materialeve të përgjuara, do të ketë çmim të lartë politikë ndaj kësaj klase politike, nëse organet kompetente nuk veprojnë menjëherë dhe nuk nisin hetimet”, thotë Arsovski.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike ka theksuar se publikimi i çdo bisede të përgjuar në mënyrë të paligjshme përbën vepër penale dhe personat që bëjnë një gjë të tillë, sipas ligjeve në fuqi, mund të dënohen me nga një deri pesë vjet burgim.

XS
SM
MD
LG