Ndërlidhjet

Dhjetëra njerëz të vdekur nga përmbytjet në Afganistan


Harta e Afganistanit

Së paku 40 persona humbën jetën dhe mbi 150 janë të zhdukur nga përmbytjet që përfshinë provincën verilindore të Afganistanit, Nuristan.

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar në qarkun Kamdesh, i cili ndodhet rreth 355 kilometra larg Kabulit.

Shumica e shtëpive atje u shkatërruan.

“Ka pasur përmbytje në fshatin Bega Mirdesh. Atje janë rreth 700-800 shtëpi. Të gjitha u shkatërruan”, tha për Radion Evropa e Lirë Abdul Rahman, banor i rrethit.

“Së paku 40 veta humbën jetën për shkak të përmbytjeve”, i tha agjencisë së lajmeve AFP kreu i këshillit provincial, Saeedullah Nuristani.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, i tha Radios Evropa e Lirë se militantët do të lejojnë qasjen në provincë të agjencive të ndihmës dhe të zyrtarëve të paarmatosur qeveritarë.

Nuk është e qartë nëse talibanët kanë kapacitete për të trajtuar emergjencat në zonat nën kontrollin e tyre, të cilat janë kryesisht zona rurale.

Talibanët kanë intensifikuar luftimet kundër forcave qeveritare, prejse trupat ndërkombëtare kanë nisur tërheqjen formale nga Afganistani në muajin maj.

Militantët kanë marrë nën kontroll disa territore dhe pika kyçe kufitare.

XS
SM
MD
LG