Reforma në drejtësi
Gjatë prezantimit të programit qeverisës, Kurti ka thënë se reforma në drejtësi nuk ka qenë vetëm synim, por ka nisur të bëhet realitet.
“Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet të ecë përpara, së bashku me vettingun, ashtu që drejtësia të bëhet edhe e drejtë, edhe e shpejtë edhe e besueshme. Do të themelohet Prokuroria e re e Specializuar për çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe Zyra për Hetime Disiplinore”.
Raportet me Serbinë
Kurti është zotuar se nëse e fiton edhe një mandat të ri në pushtet, ai do t’i qaset dialogut me Serbinë – të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – në përputhje me një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh të arritur në Bruksel dhe aneksin e zbatimit, për të cilën palët janë pajtuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, si raport bilateral i jashtëm, e kurrsesi ndërhyrje apo përzierje në çështjet e brendshme”, ka thënë Kurti.
Kurti: Do t'i investojmë 1 milard euro në mbrojtje
Gjatë prezantimit të programit të tij qeverisës, mandatari Albin Kurti tha se ai planifikon të shpenzojë 1 milard euro në mbrojtje gjatë mandatit të tij të ardhshëm, pasi që “bota sot është më e paparashikueshme dhe më e pasigurt që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.
Ai shtoi se investimet në mbrojtje do të bëhen përkrah angazhimit në aleancat me SHBA-në, BE-në e NATO-n.
Ai tha se gjatë mandatit të ardhshëm, “do të zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës, do të shtojmë numrin e ushtarëve e oficerëve” si dhe do të bëhet fabrika e municioneve dhe dronëve në Kosovë.
Çfarë bëri Kurti në mandatin e kaluar?
Përgjatë fjalimit të tij, Kurti po vazhdon t’i përmendë ato që po i cilëson arritje gjatë mandatit të kaluar qeverisës.
Ai ka përmendur ndryshime në shumë sektorë, kryesisht në ekonomi, energji dhe mbrojtje.
Kurti nuk e ka lënë pa e përmendur edhe rrezikun që ka thënë se është i vazhdueshëm nga Serbia fqinje.
“Kosova sot është më e sigurt se kurrë më parë. Sfidat i kemi kthyer në mundësi për progres”.