Ndërlidhjet

Peruja rrit më shumë se dyfish numrin e viktimave nga koronavirusi


Një qytetare në Peru duke u vaksinuar kundër koronavirusit.
Një qytetare në Peru duke u vaksinuar kundër koronavirusit.

Peruja ka rritur numrin e viktimave nga koronavirusi për më shumë se dyfish, duke u bërë vendi me normën më të lartë të vdekshmërisë për kokë banori.

Pas një rishikimi të bërë nga autoritetet, numri i viktimave tani është mbi 180,000, krahasuar me 69,342 sa ka qenë deri më tash.

Kryeministrja Violeta Bermudez tha se numri është rritur me këshillën e ekspertëve peruanë dhe ndërkombëtarë.

Kjo është në përputhje me të ashtuquajturat shifra të vdekjeve shtesë.

Vdekjet shtesë tregojnë se sa njerëz vdesin më shumë seç pritej, bazuar në vitet e mëparshme.

“Mendoj se është detyra jonë që ta bëjmë publik këtë informacion të azhurnuar”, tha Bermudez.

Presidenti i Federatës Mjekësore të Perusë, Godofredo Talavera, tha se numri i rritur i viktimave nuk është befasi.

“Ne besojmë se kjo ka ndodhur sepse sistemi ynë shëndetësor nuk i ka kushtet e nevojshme për t'u kujdesur për pacientët”.

“Nuk ka pasur asnjë mbështetje nga ana e Qeverisë sa i përket oksigjenit, shtretërve të kujdesit intensiv. Ne nuk kemi vaksina të mjaftueshme për momentin... E gjithë kjo na bën vendin e parë në botë sa i përket vdekshmërisë”, tha Talavera.

Numri zyrtar i vdekjeve nga koronavirusi në Peru tani është 180,764.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, që ndjek të dhënat për pandeminë, kjo shifër nënkupton mbi 500 vdekje nga koronavirusi në 100,000 njerëz.

Shifra e tejkalon Hungarinë që ka 300 viktima në 100,000 banorë.

XS
SM
MD
LG