Ndërlidhjet

Dy festa ndaras për 21-vjetorin e themelimit të BDI-së


Selia e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Selia e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, parti kjo e dalë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare pas konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut, ditëlindjen e saj të 21-të e shënon e përçarë në dy pjesë.

Përvjetori i BDI-së shënohet nga dy grupe në dy lokacione të ndryshme.

Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, në mesditë ka organizuar debat me temën “Fronti evropian” në Shkup ku ka theksuar se në këtë front të gjithë janë të mirëseardhur duke u bërë thirrje të gjitha forcave politike që të reflektojnë në raport të përshpejtimit të procesit integrues për vendin.

Nga ana tjetër, fraksioni Grupi i Zjarrit ku bëjnë pjesë deputeti i kësaj partie, Izet Mexhiti, kryetari i Komunës së Sarajit, e cila është pjesë e Shkupit, Blerim Bexheti, ish-ministër i Drejtësisë dhe Musa Xhaferi, ish-zëvendëskryeministër, ditëlindjen e 21-të të Bashkimit Demokratik për Integrim e festojnë në Tetovë në Pallatin e Kulturës.

Izet Mexhiti dhe fraksioni Grupi i Zjarrit.
Izet Mexhiti dhe fraksioni Grupi i Zjarrit.

Musa Xhaferi, pjesë e Grupit të Zjarrit ka thekuar se në fokus mbetet synimi i përfshirjes së gjuhës shqipe në Kushtetutë dhe jo termi ‘gjuhë që e flasin 20 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut’.

“Si mos të reagojmë e protestojmë, kur na thonë nga partia e jonë që nuk është koha që gjuha shqipe të shënohet e emërtohet me dinjitet si gjuha shqipe”, ka theksuar Xhaferi.

Përçarja e partisë, për interesa personale dhe jo për idealin e ish-UÇK-së

Veteranët e luftës fajin për përçarjen e adresojnë tek interesat personale apo grupore të qarqeve të caktuara dhe jo devijimin siç thonë të idealit të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) të Maqedonisë gjë që është evidente.

“Fatkeqësia brenda gjithë këtyre përçarjeve që ndodhin brenda subjekteve politike shqiptare është se ato nuk ndodhin si pasojë e dallimeve apo mospajtimeve ideologjike, por thjesht ato ndodhin për shkak të interesave personale apo grupore të njerëzve të caktuar brenda strukturave politike. Kjo nuk është një diçka e re, nuk ndodh vetëm tani. Kjo ka ndodhur më herët me Partinë e parë Shqiptare, Partinë e Prosperitetit Demokratik, pastaj Partinë Demokratike Shqiptare. Kjo sëmundje e brendshme e partive politike shqiptare tregon se ata nuk janë në gjendje ta reformojnë veten siç ndodh ky proces natyrshëm në shoqëritë me demokraci të zhvilluar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Besim Hoda, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Maqedoninë e Veriut.

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë thotë se edhe pse Grupi i Zjarrit, që tashmë funksionon si fraksion, ka një numër të madh mbështetësish, që është dëshmuar me organizimin e tubimeve në shumë vendbanime me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kjo parti strumbullar veprimi ka figurën e liderit të partisë Ali Ahmeti.

Ali Ahmeti gjatë një fjalimi.
Ali Ahmeti gjatë një fjalimi.

Prandaj, ai thotë se nuk beson që ndarja eventuale e partisë do ta shkëpusë një numër të konsiderueshëm të mbështetësve të liderit të partisë së Ahmetit.

“Realisht, unë nuk besoj se kjo parti, (BDI-ja) do të përgjysmohet ose ndonjë pjesë e madhe e partisë në fjalë do të shkëputet nga trungu i saj pikërisht për shkak të faktit se figura qendrore aty, do të thosha, amalgama e partisë është zotëri Ali Ahmeti. Dhe, ai është që inicioi themelimin e partisë dhe vazhdon të mbetet boshti kryesor i veprimit të partisë”, thotë Musliu.

Ndryshe, përplasjet më serioze brenda partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, në sipërfaqe dolën në shtator të vitit të kaluar, kur përmes një letre ku ishin nënshkruar pjesëtarët e fraksionit të njohur si “Grupi i Zjarrit”, si ankesë thelbësore apostrofuan përqendrimin e pushtetit tek individë të caktuar, duke anashkaluar strukturat partiake.

Pas kësaj, në prill të këtij viti, Grupi i Zjarrit bëri të ditur se do të funksionojë si fraksion brenda Bashkimit Demokratik për Integrim. Ky veprim u vlerësua si i papranueshëm nga shumica e kryesisë qendrore të BDI-së, e cila konstatoi “vetë largimin” anëtarëve të kryesisë pjesë e Grupit të Zjarrit.

Por, përfaqësuesit e Grupit të Zjarrit, e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim të organeve më të larta të partisë duke theksuar s`e është shkelur statusi i partisë, duke theksuar se veprimi i tyre mbetet në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG