Ndërlidhjet

Politikat e BE-së për migrimin lënë shumë refugjatë në rrugë


Disa azilkërkues të strehuar në një kishë në Belgjikë. 19 korrik 2021.
Disa azilkërkues të strehuar në një kishë në Belgjikë. 19 korrik 2021.

AP

Disa refugjatë dhe azilkërkues në Bruksel kanë kaluar muaj nëpër rrugët e këtij qyteti.

Fatkeqësisht, ëndrra e tyre nuk është realizuar siç e kanë menduar, pas udhëtimeve që kanë kryer nga një pjesë tjetër e globit.

Në të kundërtën, është kthyer në makth.

Petit Chateau, që do të thotë Kështjellë e Vogël, është qendër qeveritare recepsioni që i mirëpret migrantët në Belgjikë.

The Rue des Palais — Rruga e Pallateve – e ka strehimin më të keq në qytet, ku erae urinës dhe përhapja e skorbutit( një çrregullim i shkaktuar nga mungesa e vitaminës C), simbolizojnë procesin si është duke dështuar politika e BE-së për migrantët.

Këto zona janë vetëm katër kilometra larg nga ndërtesa ku liderët e BE-së do të mbajnë një samit dyditor që nis të enjten, për të trajtuar çështjet e migrimit.

Shinwari, kapiten ushtarak afgan, që u ka ndihmuar fuqive perëndimore për të luftuar talibanët, tani jeton në një kamp të improvizuar, në një kanal përballë Kështjellës së Vogël.

Vendi duket i pashpresë.

“Është shumë ftohtë. Disa persona kanë sëmundje të ndryshme dhe shumë prej nesh jemi duke vuajtur nga depresioni, sepse nuk e dimë çfarë do të ndodhë nesër”, ka thënë 31-vjeçari, i cili ka lënë mbrapa gruan dhe katër fëmijët.

Ai është larguar nga Afganistani, pasi ka qenë i bindur që talibanët – pas kthimit në pushtet më 2021 - do t'i vrasin ushtarët sikurse ai, që ka punuar me shtetet e NATO-s.

“Ata kërkojnë nëpër shtëpi. Jeta e askujt nuk ka qenë e sigurt”, ka thënë Shinwari.

“Ata i kanë thënë një herë familjes sime se ‘djali juaj është bërë refugjat në një vend të pafe’”.

Edhe tani, larg prej shtëpisë, ai është shumë i frikësuar që të identifikohet me emër të plotë.

Ai nuk dëshiron që t’i shihet fytyra nëpër fotografi apo incizime, sepse frikësohet që talibanët mund t’ia lëndojnë familjen.

Gjendjen emocionale ia ka vështirësuar pritja në BE-në e pasur, e cila është karakterizuar nga indiferenca, e nganjëherë edhe armiqësia.

“Fatkeqësisht, askush nuk e dëgjon zërin tonë”, ka thënë ai nga tenda, i rrethuar me shumë ish-anëtarë të ushtrisë afgane.

Ndërkohë, në diskutimet e liderëve të BE-së pritet të diskutohet për “forcim të kufijve të jashtëm”, për “gjemba kufitarë”, “procedura të kthimit”, dhe jo për përmirësimin e jetës së njerëzve sikurse Shinwari.

Vetëm në vitin e kaluar janë regjistruar 330.000 tentime të paautorizuara për të hyrë në BE – rekord i gjashtë vjetëve të fundit, mirëpo zgjatja e dorës për migrantët nuk është strategji që ndihmon në fitore të zgjedhjeve në këtë kontinent.

Shumë afganë i kanë shikuar me zili edhe masat e shpejta që i ka marrë BE-ja pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Autoritetet evropiane u kanë garantuar ukrainasve leje-qëndrime të përkohshme, të drejtën për të punuar, qasje në ndihma mjekësore – diçka që afganët nuk i kanë parë me sy.

“Problemet e afganëve dhe ukrainasve janë të njëjta, mirëpo nuk trajtohen në mënyrë të njëjtë”, ka thënë Shinwari.

“Kur vijnë këtu ukrainasit, atyre u sigurohet kulm mbi kokë, ndërsa neve afganëve që e kemi lënë shtetin për shkak të rrezikut të sigurisë, nuk na ofrohet asgjë”.

“Është befasuese, sepse të drejtat e njeriut nuk zbatohen njëjtë për të gjithë dhe kjo gjë na shqetëson, na bën të ndihemi të zhgënjyer dhe të neglizhuar”.

Liderët e BE-së kanë thënë se politikat e tyre për migrimin nuk do të kenë epilog para zgjedhjeve të bllokut evropian që mbahen më 2024.

Shinwari ka thënë se është me fat që ka arritur të shkelë në kufijtë e BE-së dhe të kërkojë azil pas tetë muajve rrugë nëpër Pakistan, Iran, Turqi, Bullgari, Serbi dhe më pas Belgjikë.

Përgjatë asaj kohe është rrahur, është arrestuar, ka ikur nga Irani, është përballur me uri dhe shumë frikë.

Shinwari ka arritur gjallë në Evropë, mirëpo ka thënë se tani ndihet si “nomad” në tendën që ka në Belgjikë.

Një migrant kurd në Francë.
Një migrant kurd në Francë.

Ushtarët tjerë afganë flasin për gjendje të ngjashme.

“Situata këtu nuk është e mirë. Nëse Kryqi i Kuq na ofron bukë, kemi diçka për të ngrënë, nëse jo, shumë njerëz mbesin pa asgjë”, ka thënë Roz Amin Khan, i cili ka ikur nga provinca Laghman dhe ka arritur në Belgjikë dy muaj më parë.

Prej kur ka arritur në këtë shtet, katër muaj më parë, Shinwari ka thënë se është intervistuar vetëm një herë nga autoritetet e azilit, dhe është në pritje që atëherë.

Mungesa e ndihmës për shumicën e refugjatëve, i ka dëshpëruar thellësisht organizatat joqeveritare dhe vullnetarët.

“Në mes të kornizës ligjore dhe situatës në terren, ekziston edhe një botë në mes”, ka thënë Clement Valentin, zyrtar ligjor në fondacionin për refugjatë, CIRE.

“Ekziston një hapësirë e madhe, është e vështirë që ta kuptojmë – qoftë unë, ashtu edhe organizatat joqeveritare”.

“Unë as nuk mund ta paramendoj sa e vështirë është për afganët këtu në Belgjikë, apo në vendet tjera evropiane”.

Përtacia ligjore nuk kufizohet vetëm në Belgjikë.

Agjencia e BE-së për Azilin ka thënë në raportin e përpiluar në nëntor të vitit 2022 se “hapësira në mes të dorëzimit të një aplikacioni dhe vendimit, është më e gjera prej vitit 2015”, dhe pritet të zgjerohet edhe më shumë.

Në total, në pritje janë më shumë e 920.000 raste, derisa rritja vjetore shkon në 14 për qind.

Me një procedurë të tillë burokratike është përballur edhe Shinwari, i cili ka pritur me ditë të tëra në shi e të ftohtë, vetëm për të bërë kërkesë për azil.

Qytetarët që jetojnë në afërsi u kanë dërguar atyre ushqim dhe ua kanë ndezur zjarr, pasi qeveria nuk ka vepruar.

Edhe nëse situata përmirësohet, traumat psikologjike do të jenë aty, ka thënë Michel Genet, drejtor i organizatës ndërkombëtare, "Mjekët e Botës" në Belgjikë.

“Njerëzit kanë kaluar trauma të mëdha, shumë të vështira, dhe ata kanë pritur që kur të vijnë këtu, dikush do të kujdeset për ta”, ka thënë Genet.

Përgjatë shumë netëve pa gjumë dhe në mot të ftohtë, mendimet e Shinwarit kanë qenë për shtëpinë.

“Ndonjëherë mendoj për të ardhmen, dhe mendoj se edhe sa gjatë do të më duhet të jetoj nëpër rrugë”, ka thënë ai.

“Mendja ime është e rrethuar me probleme. Mendoj për sigurinë e familjes dhe për të ardhmen time”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG