Ndërlidhjet

Afganistani përballet me ikje masive të profesionistëve


Luftëtarët talibanë duke kontrolluar qytetarët në Kabul. Qershor, 2022.
Luftëtarët talibanë duke kontrolluar qytetarët në Kabul. Qershor, 2022.

Ahmad Ghani Khosrawi investoi dy dekada të jetës së tij për të ngritur sistemin arsimor të Afganistanit. Por, tani atij i duhet që të rinisë karrierën e tij jashtë shtetit, pas kthimit në pushtet të talibanëve.

Duke u larguar drejt Gjermanisë, Khosrawi – që kishte udhëhequr Fakultetin për Letërsi dhe Shkencave Humane në Universitetin e Heratit – iu bashkua eksodit të profesionistëve, duke e varfëruar edhe më shumë Afganistanin, pasi nga shteti po largohen disa nga mendjet më të ndritura.

Ahmad Ghani Khosrawi
Ahmad Ghani Khosrawi

Shumë u larguan para tërheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe forcave të huaja një vit më parë, duke parashikuar se epoka e përparimit dhe lidhjeve me Perëndimit ishte drejt fundit.

Të tjerët, si Khosrawi, iu bashkuan eksodit vetëm pasi talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021, kur talibanët i zëvendësuan profesionistët me persona të pakualifikuar, por besnikë ndaj tyre.

“Ata erdhën dhe punësuan njerëzit e tyre”, tha Khosrawi duke iu referuar situatës në sektorin e arsimit. “Natyrisht, kjo ishte një goditje fatale për universitetet dhe shtyri një numër të madh profesorësh që të largohen nga vendi”.

“Largimi i trurit”

Një vit pas ardhjes në pushtet, qeveria talibane po goditet nga “ikja e trurit” që po pengon aftësinë e qeverisë që të ofrojë shërbime bazike dhe që të trajtojë krizën shkatërruese ekonomike dhe humanitare.

Humbja e fuqisë së aftë punëtore veçanërisht ka prekur sektorët e shëndetësisë, arsimit, sigurisë dhe drejtësisë, tha Mehran Weeda, bashkëdrejtuese e Qendrës për Studime të Avancuara Ndërkombëtare (CAIS) në Universitetin Exeter në Britani.

“Përderisa të dhënat e sakta lidhur me numrin e saktë të personave që janë larguar nuk dihen, mund të thuhet që mijëra afganë të aftë dhe të arsimuar janë larguar nga vendi”, tha ajo.

Shumë nga personat që janë larguar nga Afganistani, gjatë qeverisjes së mëhershme që mbështetej nga Perëndimi kishin studiuar jashtë vendit ose ishin trajnuar në akademitë e huaja ushtarake. Qeveria e kaluar kishte marrë pushtetin pas pushtimit të Afganistanit më 2011, pushtim që ishte udhëhequr nga SHBA-ja.

“Doktorë, inxhinierë, gjykatës dhe avokatë ishin në mesin e personave që kishin mjete financiare, kishin formim arsimor dhe aftësi që do të mund të lehtësonin emigracionin”, tha Weeda. “Humbja e kapitalit të tillë njerëzor, për Afganistanin është thjesht katastrofike”.

Talibanët veçse po përballen me pengesa të mëdha që do të mund të testonin çdo qeveri. Sundimi i tyre zyrtarisht nuk njihet nga asnjë shtet dhe dorëzimi i ndihmës së premtuar ndërkombëtare – që ka për qëllim të ndihmojë vendin të përballet me krizën humanitare të shkaktuar nga uria, thatësirat dhe pasiguria –është komplikuar për shkak të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj grupit militant.

Nga ana tjetër, rikthimi në pushtet i talibanëve dhe kufizimet e ashpra që grupi ka vendosur ndaj grave dhe arsimimit të vajzave, por edhe dështimet për të përmbushur premtimet për media të lira si dhe çështjet që kanë të bëjnë në ndarjen e pushtetit, kanë kontribuar në izolimin ndërkombëtar të talibanëve.

“Nisja nga e para”

Sima Stanekzai ishte emëruar zëvendësguvernatore e Provicës Jovzjan më 2021, pasi kishte punuar si gazetare dhe aktiviste për 15 vjet.

Pozita e saj ishte pozita më e lartë e mbajtur ndonjëherë nga ndonjë grua në këtë provincë në veri të Afganistanit gjatë qeverisjeve të kaluara. Por, rikthimi i talibanëve në pushtet e detyrojë atë që së bashku me familjen të ikte në Gjermani nga frika e hakmarrjes.

Tani ajo ndien se 20 vjetët e përpjekjeve, por edhe punës në Afganistan, u rrënuan brenda natës.

“Në Afganistan, ne gjithmonë duhet t’ia nisim nga e para në mënyrë që të bëjmë pak përparim”, tha Stanekzai për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë. “Dhe më pas gjithçka rrënohet sërish”.

Gratë praktikisht nuk kishin të drejta gjatë sundimit të parë talibanëve në periudhën 1996-2001. Edhe gjatë 20 vjetëve të prezencës ushtarake ndërkombëtare që pasoi pushtimin e vitit 2001, gratë prapë u përballën me sfida të mëdha të ushtrimit të të drejtave të tyre.

Në raportin e fundit të inspektorit të posaçëm të SHBA-së për rindërtimin e Afganistanit, që u publikua më 30 korrik, u theksua se “përderisa mundësitë për gratë afgane u rritën ngadalë nën Republikën Islamike krahasuar me vitet e mëhershme të sundimit taliban, përpjekjet për të drejta të grave dhe integrim gjinor në Afganistan kanë dështuar të arrijnë ndryshim strukturor, ashtu siç SHBA-ja dhe partnerët kishin parashikuar”.

Behnaz Rasuli ishte në mesin e grave që ishin integruar në shoqëri gjatë sistemit pas rrëzimit nga pushteti të talibanëve më 2001. Në këtë sistem, gratë u lejuan që të punonin dhe të merrnin pjesë në jetën publike. Ajo hapi një biznes rrobaqepësie në qytetin e Heratit. Rasuli kishte dy dyqane dhe punësonte vetëm gra. Por, ëndrrat e saj u shuan me t’u rikthyer talibanët në pushtet.

“Fatkeqësisht, me ardhjen e talibanëve, mu desh që të mbyllja dyqanet në shpejtësi sepse kisha frikë se shitëset do të sulmoheshin”, tha Rasuli për Radion Azadi.

“Pak nga pak ra edhe motivi i grave, disa prej tyre u larguan dhe fati nuk ishte në anën tonë dhe unë u detyrova të mbyllja dyqanet”.

Pasi mblodhi atë që i kishte mbetur nga kursimet, Rasuli po ashtu u largua jashtë vendit.

Vëzhguesit besojnë se ikja jashtë vendit e edukatoreve të shkolluara do të pengojë ndjeshëm të ardhmen e arsimimit të vajzave – temë e cila u diskutua gjatë një mbledhjeje të madhe të dijetarëve fetarë, takim i organizuar nga talibanët në muajin qershor.

“Nëse talibanët do të lejojnë që vajzat e shkollave fillore dhe të mesme të kthehen në bankat shkollore, do të ketë një mungesë të mësueseve”, tha Weeda për REL-in. “Kjo situatë mund të komplikohet me faktin se mësuesit nuk do të lejohen që të mësojnë vajzat. Po ashtu, shumë universitete veçse po përballen me mungesë grave në stafin e tyre, veçanërisht të profesoreshave, teksa politika e talibanëve bazohet në ndarje gjinore në institucionet e arsimit të lartë”.

Nuk është hera e parë

Afganistani ka kaluar nëpër situata të njëjta edhe në të kaluarën, kur është përballur me ikje të mëdha të punëtorëve të kualifikuar pas pushtimit sovjetik më 1979, por edhe gjatë luftës civile të viteve 1992-1996 që çoi në marrjen e pushtetit për herë të parë nga talibanët.

Në secilën nga këto periudha, eksodi ka lënë një vakum në mesin e profesionistëve, duke e kthyer shteti vite apo dekada pas. Këto periudha kanë kërkuar që liderët e shtetit të trajnojnë njerëz të rinj për të mbushur boshllëqet.

Edhe pse qindra-mijëra afganë kontribuuan në valën e fundit të “ikjes së trurit” – disa ikën në shtetet fqinje sikurse në Pakistan apo Iran dhe të tjerët kërkuan statusin e refugjatit në Evropë, SHBA dhe gjetkë në Perëndim – disa afganë po kthehen.

Sipas Agjencisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), mbi 1.430 refugjatë afganë janë kthyer në Afganistan në mënyrë vullnetare që nga fillimi i këtij viti. Pothuajse 300 prej tyre janë vendosur në kryeqytet, Kabul.

Zëdhënësi i UNHCR-it, Peter Kessel, i tha Radios Evropa e Lirë se këto shifra janë ndjeshëm më të larta sesa shifrat e një viti më parë, dhe dyfish më të larta krahasuar me dy vjet më parë.

Qëkur talibanët u rikthyen në Kabul më 15 gusht të vitit 2015, udhëheqja e tyre ka tentuar që të inkurajojë shërbyesit civilë, personelin ushtarak dhe të sigurisë, mësimdhënësit dhe të tjerët që të qëndrojnë në Afganistan, shtet me rreth 40 milionë banorë.

Talibanët premtuan amnisti për forcat e sigurisë dhe të tjerët që kishin punuar me qeverinë paraprake dhe pretenduan se ata që veçse janë larguar nga shtetit “do të falen”. Talibanët po ashtu thanë se profesionistët do të trajtohen si “heronj” sapo të kthehen në Afganistan.

Në maj, talibanët i bënë këto premtime me shkrim, kur njoftuan për objektivat dhe detyrat e Komisionit të ri për kontaktin me personalitetet afgane, komision që synon të rekrutojë profesionistë të shquar që të kthehen në Afganistan.

Talibanët ofruan garanci për ish-politikanët dhe ushtarët që kishin frikë për sigurinë e tyre, duke thënë se atyre do t’iu ofrohet strehim dhe mbrojtje e përkohshme. Sa i përket sektorit privat, talibanët premtuar se “nëse dikush krijon probleme për të rikthyerit, ne do të merremi me ta”.

Përmes postimeve në Twitter, Komisioni i krijuar nga talibanët, hapur zgjati dorën e bashkëpunimit me personat që emigruan, duke ftuar “figurat akademike, politike e intelektuale, ekspertët dhe të gjithë afganët që jetojnë jashtë vendit” të kthehen.

Por, vetëm disa politikanë dhe pjesëtarë të personelit të sigurisë, që kanë shërbyer në qeverinë e kaluar i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së talibanëve. Grupi militant është akuzuar nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për qindra shkelje të të drejtave qëkur erdhën në pushtet, përfshirë vrasje pa gjyq, ndalime arbitrare, torturim të personave që kanë punuar në qeverinë e kaluar, por edhe shkelje të të drejtave të aktivistëve dhe gazetarëve.

Dëm i pariparueshëm?

Ka ende dilema të mëdha nëse talibanët do të mbajnë premtimet si dhe ka dilema për aftësinë e tyre që të kthejnë “trurin” që ka ikur nga shteti.

Faisal Karimi, ish-profesor i gazetarisë në Universitetin e Heratit dhe ish-kreu i Qendrës për Studime Mediale të Afganistanit, tani jeton në SHBA. Ai tha se humbja e punëtorëve të kualifikuar është një “dëm i pariparueshëm, të paktën deri në shekullin e ri”.

Për të krijuar një forcë të tillë punëtorësh të kualifikuar, siç tha Karimi për REL-in, do të kërkohet që të ngrihen ndërtesa dhe të ketë investime “miliona e miliarda dollarësh”.

Hameed Hakimi, hulumtues në Këshillin e Atlantikut në Uashington, para se talibanët të riktheheshin në pushtet, kishte vlerësuar se Afganistani ishte një prej shteteve me performancën më të dobët, në kuptim të zhvillimit njerëzor dhe të masave tjera.

Humbja e profesionistëve, tha ai, “sigurisht do të ketë ndikim në terma afatgjatë për vendin dhe do ta vështirësojë rrugëtimin socio-ekonomik dhe përparimin shoqëror”. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se kjo situatë nuk kërkon vetëm para, por edhe ndërtim të besimit, që sipas tij, “për momentin mungojnë”.

“Nëse familjet dhe gjeneratat e reja mendojnë se e vetmja mënyrë për të qenë të suksesshëm do të jetë largimi nga vendi, ndërtimi i një fuqie të kualifikuar punëtore dhe një klase të arsimuar të burrave dhe grave do të bëhet e pamundur”, tha Hakimi.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG