Ndërlidhjet

Polonia rrit presionin ndaj Gjermanisë për sanksione kundër Rusisë


Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki ka fajësuar Gjermaninë si “frenuesen më të madhe” kur është fjala për negociata rreth zgjerimit të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Ndonëse Gjermania i është bashkuar bllokut evropian në vendosje të sanksioneve ndaj Kremlinit në disa fusha, ky vend ka refuzuar thirrjet për embargo ndaj importeve ruse të energjisë.

Morawiecki i ka bërë thirrje kancelarit gjerman, Olaf Scholz që të ndërrojë qëndrimin rreth sanksioneve.

“Nuk janë zërat e kompanive gjermane, të miliarderëve gjermanë – të cilët janë duke ju dekurajuar juve nga veprimet e mëtejme – që duhet dëgjuar sot zëshëm në Berlin”, ka thënë lideri konservator në një konferencë për media në Varshavë.

“Janë zërat e këtyre grave dhe fëmijëve të pafajshëm, zërat e atyre që janë vrarë, të cilët duhet të dëgjohen nga të gjithë gjermanët dhe nga të gjithë politikanët gjermanë”, ka thënë ai.

Ai ka kritikuar edhe pasardhësen e Scholzit, Angela Merkel.

“Zonja kancelare, ju keni qenë e heshtur prej nisjes së luftës. Është politika e Gjermanisë në 10-15 vjetët e fundit që ka rezultuar me fuqinë e Rusisë sot, e cila është e bazuar në monopolin në lëndën e parë”, ka thënë ai.

Edhe tani, Qeveria gjermane është duke frenuar procesin, kur bëhet fjalë për sanksione të BE-së kundër Moskës, ka thënë Morawiecki.

“Kjo gjë është evidente nga minutat e para të takimeve të BE-së. Secili që lexon transkriptet e di se Gjermania është frenuesja më e madhe kur është fjala për sanksione më të ashpra”.

Disa zyrtarë gjermanë kanë ritheksuar kundërshtimet e Berlinit për embargo në energjisë ruse në 24 orët e fundit.

XS
SM
MD
LG