Ndërlidhjet

Kriza e mbeturinave në Prishtinë, në fotografi

Rrugët e Prishtinës janë mbushur me mbeturina. Kontejnerë të stërmbushur, grumbuj mbeturinash përreth tyre dhe mbetje të shpërndara nëpër trotuare janë pamje që hasen në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

Kompania publike rajonale “Pastrimi”, përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë dhe pesë komuna të tjera, thotë se po përballet me vështirësi në kryerjen e punës për shkak të ndryshimit të orarit të deponisë së Mirashit, ku i dërgon mbeturinat. Deponia e Mirashit është më e madhja në Kosovë dhe pranon mbeturina nga disa qytete, përfshirë Prishtinën. Sipas kompanisë, deponia së fundmi ka filluar të mbyllet disa orë më herët, në mesnatë.

Kompania “Pastrimi” i tha Radios Evropa e Lirë se orari i ri i deponisë kufizon mundësinë e zbrazjes së kamionëve gjatë ndërrimit të natës dhe rikthimit të tyre në terren dhe se kjo po e vështirëson ciklin e grumbullimit dhe ndikon në vonesat e shërbimit në disa zona.

Kompania publike përgjegjëse për menaxhimin e deponive në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se pse dhe si është vendosur orari i ri.

Përgjigje nuk dha as Komuna e Prishtinës lidhur me problemet e grumbullimit të mbeturinave. Së fundmi, ajo ka marrë vendim për themelimin e një kompanie të re pastrimi, por nuk ka sqaruar se si do të funksionojë ajo krahas kompanisë ekzistuese “Pastrimi”, në të cilën Komuna është aksionare.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, më 25 shtator tha se kompania e re do t'u shërbejë posaçërisht qytetarëve të kryeqytetit.

“Nga një kompani rajonale që menaxhonte shërbimin për gjashtë komuna, Prishtina po kalon në ndërmarrje të vetën”, tha Rama.

Thuajse të gjitha mbeturinat që grumbullohen në Kosovë përfundojnë, pa u ndarë apo ricikluar, në njërën prej tetë deponive sanitare publike. Sipas raporteve zyrtare, pothuajse të gjitha këto deponi nuk i përmbushin standardet mjedisore dhe duhet të mbyllen.

Krahas deponive publike, në Kosovë ka edhe shumë deponi ilegale. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Atlas, organizatë që merret me hulumtime dhe politika mjedisore, në Kosovë janë regjistruar 458 deponi ilegale më 2024, 55 më shumë se një vit më parë. Ndërkaq, një hulumtim i vitit 2026 ka identifikuar 16 të tilla vetëm në Prishtinë, krahasuar me një të raportuar nga Komuna më 2024.

Fotografitë e kësaj galerie janë realizuar në terren, në Prishtinë, më 12 dhe 13 tetor.


16x9 Image

Arben Hoti

Kameraman dhe montazhier i Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.

16x9 Image

Doruntina Baliu

Gazetare e Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.

​
XS
SM
MD
LG