Prishtinasit kthejnë sytë nga transporti ekologjik
Biçikleta, trotinetë e makina elektrike gjithnjë e më shumë po shihen në rrugët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë. Ky lloj transporti ndihmon në ruajtjen e mjedisit, teksa Komuna e Prishtinës dhe kompani private ofrojnë për përdorim edhe biçikleta e trotinetë me çmime të ndryshme. Fotoreporteri i Radios Evropa e Lirë, Bujar Tërstena ka shkrepur disa fotografi në rrugët e kryeqytetit kosovar që shfaqin përdorimin e këtij transporti alternativ.
1
Një qytetar duke përdorur një motor elektrik si mjet transporti.
2
Një person duke udhëtuar nëpër rrugët e Prishtinës me një trotinet, teksa në anën e djathtë të fotografisë shihen disa trotinetë elektrikë, që qytetarët mund t'i përdorin, në këmbim të një pagese.
3
Biçikleta të Prishtina Bike, një alternativë e ofruar nga Komuna e Prishtinës, ku qytetarët mund t'i marrin me qira biçikletat. Tridhjetë minutat e parë të ngasjes së tyre janë falas, dhe më pas, sipas ueb-faqes të kësaj platforme, ata paguajnë 50 centë për çdo 1 orë shtesë që e përdorin. Nga Prishtina Bike nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë se sa persona marrin me qira brenda një dite biçikleta.
4
Biçikletat me qira të Prishtina Bike, janë të vendosura në pjesë të ndryshme të Prishtinës. Komuna po synon që përmes këtij lloj transporti të ulë emetimet, por edhe të zbusë situatën me trafikun e rënduar. Autoritetet po ashtu inkurajojnë qytetarët që të përdorin autobusët, teksa Prishtina ende po pret që të marrë 30 autobusë të rinj - përfshirë edhe disa elektrikë - por, çështja ka ngecur në procedura të prokurimit.