Ndërlidhjet

Vaksinim masiv me orar të shkurtuar


Një punëtor shëndetësor në Kosovë përgatitet të administrojë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Fotografi nga arkivi.

Derisa procesi i vaksinimit masiv kundër COVID-19 po vazhdon, në terren po vërehen probleme.

Në Komunën e Shtërpcës, zyrtarët thonë se procesi i vaksinimit nuk ka zgjuar interesim të madh të qytetarëve dhe rrjedhimisht, në qendrën për vaksinim në fshatin Drajkov, është caktuar një kohë e shkurtër, kur qytetarët që duan të vaksinohen, mund ta bëjnë këtë nga ora 09:00 deri në ora 13:00.

Kjo qendër, për shkak të mungesës së mjekëve, gjatë fundjavës nuk punon fare.

“Arsyeja pse e kemi këtë orar të shkurtër është numri i pakët i qytetarëve që vaksinohen. Deri tani i kemi 280 persona të vaksinuar. Qytetarët nuk kanë interesim për t’u vaksinuar, diku gjashtë-shtatë persona (vaksinohen) në ditë dhe për këtë arsye jemi duke punuar me këtë orar. Ne i thërrasim në telefon personat për vaksinim”, tha për Radion Evropa e Lirë, Valmir Ahmeti, drejtor i Drejtorisë për shëndetësi në Komunën e Shtërpcës.

Probleme me procesin e vaksinimit ka pasur të premten, më 2 korrik, në sallën e sportit “Bashkim Selishta” në Gjilan, që shërben si qendër vaksinimi.

Aty, shumë qytetarë nuk kanë mundur të vaksinohen, pavarësisht se paraprakisht kishin caktuar termin. Vaksinimi nuk është realizuar sepse ka pasur probleme teknike të sistemit të vaksinimit.

Problem paraqitet edhe ndryshimi i terminit për vaksinim. Fatlum Morina, që banon në Komunën e Fushë Kosovës, para disa ditësh kishte caktuar terminin që të vaksinohej sot (e hënë) në ora 18:00 në qendrën e vaksinimit në Prishtinë, por tha se e ka të pamundur që të shkojë aty në këtë kohë.

Ai tregoi për Radion Evropa e Lirë se e ka humbur mundësinë e vaksinimit, pasi nuk ka mundur që ta ndërrojë terminin.

“Më thanë që nuk ka mundësi të ndërrohet termini. Më duhet ta lë ose të aplikoj sërish. Gruas i kanë thënë se ajo duhet të vaksinohet në Kamenicë, ndonëse me letra jemi banorë të Fushë Kosovës. Nesër duhet të shkojmë në Kamenicë në ora 19:00, e nuk e di nëse punojnë në atë kohë të mbrëmjes”, tha ai.

Ndërkaq, edhe në Prishtinë janë evidentuar probleme me procesin e imunizimit kundër koronavirusit, konfirmon drejtori i Drejtorisë për shëndetësi në kryeqytet, Bujar Gashi.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët janë ankuar edhe në komunë.

“Ka pakënaqësi, ka ankesa edhe te ne. Regjistrimi ose hyrja, futja në databazë për t’u vaksinuar... ka pasur probleme teknike dhe ankesa të qytetarëve për (platformën) e-Kosova. Kohë pas kohe na lirojnë edhe ne sistemin, që është në Qendrat e Mjekësive Familjare, ku qytetarët me sëmundje kronike mund të regjistrohen për të marrë vaksinën, por ky sistem, kohë pas kohe nuk funksionon”, tregoi Gashi.

Ai shtoi se procesi i vaksinimit kundër COVID-19 duhet të përshpejtohet.

“Unë mendoj se ka vaksina të mjaftueshme dhe numri i termineve brenda ditës duhet të rritet, sepse ka kapacitete, por ka edhe vaksina”, tha ai.

Në sallën “1 tetori”, që është qendra e vetme e vaksinimit në Prishtinë, gjatë të shtunës dhe të dielës, qytetarët që duan ta marrin dozën e parë të vaksinës, nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, pasi në fundjavë, në këtë qendër vaksinohen vetëm ata persona që duhet ta marrin dozën e dytë të vaksinës.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se në dy javët e fundit, që prej kur ka nisur vaksinimi në masë, është rritur numri i dozave të administruar, duke shtuar mbi 210 mijë. Nga ky institucion thanë se procesi i vaksinimit po vijon pa probleme të mëdha.

MSH-ja tha po ashtu se janë rritur edhe kapacitetet për vaksinim në mbarë vendin, ku nga 90 ekipe për vaksinim, tani janë 278.

"Krejt kjo është përcjellë edhe me infrastrukturën e nevojshme dhe aspektet e tjera logjistike, që sigurojnë se në ditët dhe javët në vijim, do te ketë vaksina të mjaftueshme, dinamikë të shtuar të procesit dhe presim edhe interesim më të madh të qytetarëve për t’u vaksinuar meqë gradualisht po kalohet në fazën e tretë të vaksinimit, që përfshin numrin më të madh të kategorive që duhet vaksinuar”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MSH-ja.

Ministria e Shëndetësisë tha se në disa komuna të vogla, përkundër se orari i punës është i gjatë, kurdo që vaksinohen të gjithë personat që kanë pasur termine, ekipet e vaksinimit e përfundojnë në herët punën.

“Megjithatë, aty ku ka pasur ndonjë ankesë të qytetarëve për orarin, MSH-ja ka angazhuar Inspektorin Shëndetësor, i cili kryen inspektimet, duke parë nëse dikush prej personave që ka qenë i planifikuar për vaksinim nuk ka mundur ta bëjë këtë”, tha MSH-ja.

Sa i takon problemeve të tjera teknike, në MSH thanë se asnjë qytetar që ka caktuar termin, nuk mbetet pa u vaksinuar për shkak të problemeve teknike apo të sistemit.

Të shtunën, më 3 korrik, Kosova pranoi mbi 182 mijë doza të vaksinës së AstraZenecas, që ishin donacion nga shteti i Norvegjisë.

Vaksinimi në masë për qytetarët e Kosovës kundër COVID-19, ka nisur më 15 qershor. Brenda një ditë jepen mbi një mijë doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në fund të marsit, në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë mbi 206 mijë doza të vaksinës, kurse numri i personave që kanë marrë të dy dozat e vaksinës është rreth 50 mijë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve, që me qëllim të mbarëvajtjes së procesit në të gjitha qendrat e vaksinimit kudo në Kosovë dhe eliminimit të çfarëdo situate të panevojshme, t’u përmbahen termineve të përcaktuara për vaksinim.

XS
SM
MD
LG