Ndërlidhjet

Problemet e dokumentimit të dhunës seksuale gjatë luftës


Instalacioni "Mendoj për Ty"
Instalacioni "Mendoj për Ty"

Një numri të konsiderueshëm të grave, por edhe burrave që pretendojnë se kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, po u refuzohet statusi i viktimës, me çka edhe humbin të drejtën për beneficione ligjore.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve më të lartë të shtetit, në Kosovë gjatë luftës së fundit, konsiderohen se kanë qenë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale.

Megjithatë, deri më tani, vetëm 175 prej tyre u është pranuar statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u mundësohet edhe një pension ligjor prej rreth 230 eurosh në muaj.

*Video nga arkivi: Rrëfimi i burrit të dhunuar gjatë luftës

Rrëfimi i burrit të dhunuar gjatë luftës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:39 0:00

​Minire Begaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, thotë se gjithsej kanë aplikuar 890 persona, që pretendojnë se janë viktima të dhunës seksuale.

Prej këtij numri të aplikacioneve janë 15 meshkuj, ku vetëm 6 prej tyre kanë përfituar këtë status.

“Në nivel vendi, kemi pranuar 890 aplikacione, prej tyre numri i të pranuarve është 175. Një numër i konsiderueshëm janë përfshirë edhe në pension. Prej të shqyrtuarve, 97 janë refuzuar për herë të parë, pra gjithë këta kanë të drejtë në kërkesë për rishqyrtim. Aktualisht, në proces janë 46 raste që presin intervistë dhe u kemi kërkuar dokumente shtesë”, thotë Begaj.

Sipas ligjit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi, i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit gjatë periudhës 27 shkurt 1998 deri më 20 qershor të vitit 1999.

Ndryshe, në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që personave të kësaj kategorie t’u rregullohet statusi dhe të marrin pensionin që u takon me ligj.

Ky krim ka qenë me vite të tëra temë tabu në shoqërinë e Kosovës, për shkak të paragjykimeve se dhuna seksuale është turp për familjen dhe shoqërinë. Në këtë mënyrë, shumë nga viktimat kanë heshtur.

*Video nga arkivi: Dy rrëfime dhunimesh gjatë luftës

Dy rrëfime dhunimesh gjatë luftës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00

Vasfije Krasniqi-Goodman ishte një prej viktimave të rralla të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila ka rrëfyer publikisht historinë e saj në Kosovë, që i ka ndodhur 19 vjet më parë.

Ky rrëfim, nga organizatat që merren me rehabilitimin e viktimave të torturës, theksohet se mund të shtyjë viktimat tjera të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të aplikojnë për të fituar beneficionet që iu takojnë më ligj.

Mirlinda Sada, udhëheqëse e organizatës “Medica Gjakova”, organizatë kjo që ofron ndihmë psiko-sociale për viktimat e dhunës seksuale, thotë se vonesat në njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale po u shkaktojnë telashe.

Ajo potencon faktin se janë dera e parë që merren me këto viktima, andaj edhe mosnjohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale, po bëhet e pakëndshme dhe po shkakton pesimizëm dhe pasiguri te viktimat.

“Vonesat janë nga muaji mars dhe ne nuk kemi marrë ndonjë vendim si organizatë, prej ku edhe kanë shkuar aplikacionet. Kjo është një sfidë, me të cilën po ballafaqohemi gjatë periudhës së aplikimit, por edhe te përgjigjet negative. Kemi marrë dy përgjigje negative dhe ne e dimë që ato kanë përjetuar dhunë seksuale”.

“Pas 20 vjetësh, komisioni vendos që të mos u besojë për ngjarjen e dhunimit që iu ka ndodhur, e që ka shkaktuar zhgënjim. Ato janë pjesë e shoqatës ende pa u miratuar ligji, dhe ato nuk e kanë ditur atëherë se një ditë do të kenë pension”, thotë Sada.

Në anën tjetër, Minire Begaj thotë se aplikacionet që tashmë janë refuzuar, mund të rishqyrtohen, në raste kur njerëzit sjellin fakte shtesë.

“Ne i kemi marrë rastet e ankesave, pasi kanë të drejtë rishqyrtimi, në rast se të refuzuarit sjellin dokumente shtesë. Komisioni merret edhe me kërkesa fillestare, por edhe me rishqyrtim të lëndëve nëse ka pasur ankesa, pasi që kanë të drejtë rishqyrtimi të lëndës. Tashmë kemi 27 refuzime e që e kanë tejkaluar edhe procedurën e kërkesës për rishqyrtim”, sqaron Begaj.

Derisa shifrat prej 20 mijë viktimave të dhunës seksuale janë prezantuar nga zyrtarët e lartë të shtetit, ende nuk është shënuar ndonjë rast i shqiptimit të ndonjë dënimi ndaj personave që i kanë kryer këto krime.

XS
SM
MD
LG