Ndërlidhjet

Aktivistët e Vetëvendosjes në pritje të vendimit të Apelit


Deputeti Frashër Krasniqi, paraqitet para Gjykatës Themelore në Prishtinë. 17 nëntor, 2017
Deputeti Frashër Krasniqi, paraqitet para Gjykatës Themelore në Prishtinë. 17 nëntor, 2017

Gjykata e Apelit në Prishtinë, gjatë një seance të zhvilluar të enjten, ka shqyrtuar ankesat e palës mbrojtëse në rastin që po zhvillohet kundër katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të dyshuar për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Vendimi për këtë çështje, sipas gjyqtares, Tonka Berishaj, pritet të merret brenda afatit ligjor.

Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar procesin kundër aktivistëve të saj, si rast të montuar politik.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka shkruar në rrjetin social, Facebook se sot (të premten) po mbahen dy seanca jashtëzakonisht të rëndësishme, ajo në Gjykatën e Apelit dhe ajo në Kuvendin e Kosovës.

“Në të parën pra atë të Apelit, duhet dhënë fund turpit dhe padrejtësisë ndaj aktivistëve”, ka shkruar, Haxhiu.

Po ashtu, edhe deputeti i dënuar me tetë vjet burg, Frashër Krasniqi ka thënë para gjykatës se “ky është një rast politik dhe çdo dëshmi e çdo dëshmitari është e ndikuar nga Policia dhe çdo zhvillim në këtë proces në gjykatë ka qenë i koordinuar me zhvillimet politike”.

Ndërkohë, avokati i njërit nga të akuzuarit, Tomë Gashi tha se Gjykata e Apelit duhet sa më shpejtë të sjellë një vendim për këtë çështje.

“Ne i kemi arsyetuar faktet me të cilat kemi pretenduar se dënimet ndaj Frashër Krasniqit, avokat i të cilit jam unë, dhe dënimet ndaj tre aktivistëve tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, janë pa kurrfarë faktesh ligjore dhe kemi pretenduar se Gjykata e Apelit e ka rastin që të ndryshojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kështu që detyrimisht do duhej të dilte një aktgjykim lirues”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Avokati Gashi tha se ka kërkuar që aktivistët të lirohen nga paraburgimi për shkak se, siç tha ai, kjo masë është e panevojshme.

Tre aktivistë të Vetëvendosjes po mbahen në paraburgim. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit pas shqiptimit të aktit të gjykimit të shkallës së parë, më 17 nëntor të vitit 2017.

Pasojat e sulmit ndaj Kuvendit
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:06 0:00

(Video: Dëmtimet në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, 5 gusht, 2016)

“Gjykata e Apelit e ka detyrim ligjor që sa më shpejtë që është e mundur të vendosë lidhur më ankesat tona”, theksoi Gashi.

Gjykata Themelore në Prishtinë në nëntor të vitit 2017 dënoi me 21 vjet burg aktivistët Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me tetë vjet burgim, Atdhe Arifi me gjashtë vjet, Egzon Haliti me pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa Adea Batusha është dënuar me dy vjet burgim për sulm ndaj ndërtesës se Kuvendit të Kosovës.

Sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit ndodhi në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të 2016, pak kohë pasi Qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Sipas hetimeve të Policisë së Kosovës, sulmi ishte bërë me mortajë dore në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues, duke e djegur atë dhe më pas ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Lidhur me këtë rast, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në nëntor të vitit të vitit 2016.

XS
SM
MD
LG