Ndërlidhjet

Procesi i pafund i privatizimit


Ndërtesa e Postës së Kosovës, ndërmarrje e cila ende nuk është privatizuar. Foto nga arkivi
Ndërtesa e Postës së Kosovës, ndërmarrje e cila ende nuk është privatizuar. Foto nga arkivi

Që nga fillimi i procesit të privatizimit në Kosovë, rreth 15 vjet më parë janë privatizuar 1480 asete të ndërmarrjeve shoqërore, kurse vetëm gjatë vitit 2017 nga ky proces janë nënshkruar 220 kontrata të reja me një vlerë financiare prej 27 milionë eurosh, thonë udhëheqës të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Sa i përket këtij procesi, zyrtarë të AKP-së, vitin e kaluar e konsiderojnë të suksesshëm, pa anashkaluar edhe disa sfida që e kanë përcjell, kurse përfaqësues të punëtorëve procesin e privatizimit e vlerësojnë të dështuar.

Ekrem Hajdari, drejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka treguar për Radion Evropa e Lirë, se shuma e përgjithshme e mjeteve të grumbulluara ka arritur në mbi 681 milionë euro, prej të cilave 210 milionë euro u janë dhënë kreditorëve dhe u janë transferuar punëtorëve të ish-ndërmarrjeve shoqërore.

“Përderisa në vitin 2012 kemi pasur një vit rekord prej 160 kontratave të lidhura brenda vitit, vitin që lam pas, kemi finalizuar 220 kontrata, pra është vit rekord. Interesante është se në kuadër të këtyre 11 valëve që kemi pasur çdo muaj, ne kemi marrë 2000 oferta përmes tenderit publik. Kjo dëshmon se edhe në këtë vit është kthyer besimi i investitorëve potencialë, të cilët kanë filluar të mos hezitojnë dhe të vijnë me oferta që janë atraktive”, ka thënë Hajdari.

Shumica e ndërmarrjeve të shituara në Kosovë janë privatizuar me metodën e quajtur spin-off i rregullt, kurse ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special.

Te këto të fundit, privatizimi nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve e konsiderojnë se procesi i privatizimit në Kosovë ka shënuar regres në zhvillimin ekonomik të vendit.

Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK) thotë se procesi i privatizimit ka qenë i egër dhe pa ndonjë analizë të mirëfilltë, që do kishte ndikim pozitiv në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Si mund të quaj një progres, këtu është një regres i zhvillimit ekonomik sepse mbi 50 për qind të qytetarëve të Kosovës janë të papunë. Asnjëherë nuk kemi pasur shkallë më të lartë të papunësisë”, thotë Ajdini për Radion Evropa e Lirë.

Ajdini ndërkaq pohon se vetë zgjatja e procesit të privatizimit krijon dyshime për përfitime të grupeve të caktuara të interesit. Ky proces, sipas tij, duhet të përmbyllet sa më parë që është e mundur.

“Ky proces është bërë i ‘pavdekshëm’. Në pa kufi do të zgjasin për interesa të individëve të caktuar. Sikurse çështja e tokave, pronave, që kanë marrë për 99 vite me një çmim simbolik, kurse janë shitur me çmime të larta”, thotë ai.

Por, zyrtarë të AKP-së thonë se nevojiten edhe shtatë vjet për të privatizuar të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore. Ekrem Hajdari shprehet se pas kësaj periudhe pritet të shuhet agjencia dhe të funksionojë vetëm një zyre në kuadër të ndonjërës nga ministritë e Qeverisë së Kosovës.

“Procesi i privatizimit, në stadin e tanishëm ku jemi është tek gjysma. Që nga themelimi i AKP-së, që 15 vite deri më sot, është përfunduar gjysma e punës. Kure ne mendojmë që këtë gjysmën tjetër, mendojmë të finalizojmë për shtatë vite të ardhshme. Është përgatitur edhe një dokument i cili do përcaktojë këtë orar të procesit të privatizimi, që është menduar për shtatë vite të finalizohet”, tha Hajdari.

Ndryshe, edhe zyrtarë të Qeverisë më herët kanë deklaruar se shumë nga ndërmarrjet shoqërore të privatizuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, nuk kanë arritur të funksionalizohen.

XS
SM
MD
LG