Ndërlidhjet

Policia sekuestron aparate për prodhimin e kriptovalutave


Kompjuterët që përdoren për prodhimin e kriptovalutave. Fotografi ilustruese.

Në dy operacione të ndara, Policia e Kosovës tha më 6 janar se ka sekuestruar 70 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Sipas njoftimit, 67 aparate u sekuestruan në një banesë në rrugën "Fan Noli" në Mitrovicë të Jugut.

"Për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e kundërligjshme hetuesit policor kanë identifikuar personin e dyshuar", thuhet në njoftim.

Ndërkaq, tre aparate për prodhimin e kriptovalutave u sekuestruan në fshatin Surkish të Komunës së Podujevës.

Ky operacion u krye nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, e mbështetur nga ekipet e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

“Marrë parasysh procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, njoftoi Policia.

Më 4 janar, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se do të ndalojë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet që përdoren për të prodhuar ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Kosova po përballet me krizë energjetike për shkak të rritjes së çmimeve të importit të rrymës, gjë që ka bërë që autoritetet të shpallin masa emergjente.

Qeveria e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë më 6 janar se do të identifikojë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë territorin e shtetit.

“Organet e rendit dhe të drejtësisë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë, do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës dhe do ta ndërprenë këtë aktivitet. Veriu i vendit do të trajtohet njëjtë si gjithë pjesa tjetër e territorit të Republikës së Kosovës”, tha Qeveria.

Autoritetet nuk kanë njoftuar se sa është numri i saktë i personave që prodhojnë kriptovaluta, por në fund të vitit 2021, kryetari i Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë llogaritet të jenë rreth 10 mijë operatorë të identifikuar - persona fizikë dhe juridikë që merren me prodhimin e kriptovalutave.

XS
SM
MD
LG