Ndërlidhjet

Projektligjet për FSK-në miratohen për shqyrtim në Kuvend


Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, foto nga arkivi.
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, foto nga arkivi.

Komisioni parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka miratuar tri projektligjet për FSK-në të cilat transformojnë këtë forcë në forca të armatosura. Këto projektligje tani pritet të kalojnë në Kryesinë e Kuvendit, e cila vendos se kur do të shqyrtohen për miratim në një prej seancave të radhës.

Përfaqësuesit e partive shqiptare në Komisionin parlamentar votuan pro këtyre projektligjeve, përderisa deputeti i Listës Serbe, Zoran Mojsiloviq ishte kundër.

Ai tha se këto projektligje qartazi tregojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe se përveç emrit, asgjë tjetër nuk do të jetë e njëjtë.

“Kompetencat dhe përgjegjësitë që do të kishte kjo forcë e dëshmojnë këtë transformim, vetëm emri do të mbetet i njëjtë si Forca e Sigurisë së Kosovës. Unë jam i habitur sepse e di që kjo është në kundërshtim me porositë që kemi marr nga NATO-ja gjatë vizitës tonë të përbashkët në Bruksel. Për komunitetin serb, prej të gjitha strukturave të sigurisë, vetëm KFOR-i është i pranueshëm, dhe se besimin më të madh serbët e kanë të kjo forcë”, u shpreh deputeti Mojsiloviq.

Ndërkaq, deputetët e pozitës dhe opozitës në këtë Komision thanë se procedimi i këtyre projektligjeve është i një rëndësie të madhe, pasi ekziston nevoja që FSK-ja të transformohet në forcë të armatosur, përkatësisht në Ushtri të Kosovës, sipas standardeve ndërkombëtare.

Deputeti Fatmir Xhelili nga Partia Demokratike e Kosovës tha se ky transformim do të kishte ndikim në stabilitetin rajonal, por edhe në përfshirjen e Kosovës në misione paqeruajtëse.

“Këto projektligje nuk janë në dëm të askujt, por në shërbim të mbrojtjes dhe integritetit dhe pronës së gjithë qytetarëve”, tha Xhelili.

Deputeti i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës Ismet Beqiri, tha se kjo parti e përkrahë transformimin e FSK-së si dhe do të votojë pro.

“Shpresojmë se më ne fund Kosova të bëhet me ushtri”, tha Beqiri.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, mbështeti këto projektligje mirëpo tha se gjatë dy leximeve në Kuvendin e Kosovës, nevojitet plotësimi i tyre në mënyrë që të përmirësohet me të vërtet roli i kësaj force në mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Daut Haradinaj deklaroi se do të ishte më mirë që transformimi të bëhej përmes ndryshimeve kushtetuese, mirëpo kjo është e pamundur për shkak të votës kundër të Listës Serbe.

Këto projektligje parashohin riorganizimin dhe transformimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Misioni i Forcës së Sigurisë do të jetë ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovë si dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare.

Detyra e këtyre forcave deri tash ka qenë e përqendruar në ndihmën ndaj autoriteteve civile gjatë fatkeqësive natyrore, situate emergjente etj.

Transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese tash për tash është i pamundur për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe, e cila ka thënë se nuk i voton këto ndryshime. Prandaj, Qeveria e Kosovës vendosi që përmes ndryshimeve ligjore të bëjë transformimin e FSK-së.

XS
SM
MD
LG