Ndërlidhjet

Projektligji që mund t’i ‘qetësojë’ punëtorët


Grevë në sistemin e arsimit.
Grevë në sistemin e arsimit.

Punonjësit në sektorët e ndryshëm publikë në Kosovë janë futur apo po paralajmërojnë hyrjen në grevë, duke rritur kështu trysninë mbi Qeverinë për rritje të pagave.

Greva si mjet për rritjen e pagave, po përdoret në kohën kur në Kuvend pritet të miratohet Projektligjin për pagat. Ky ligj pritet që të rregullojë koeficientin e pagesës për të punësuarit në sektorin publik.

Sistemi aktual i pagave në sektorin publik, sipas sindikatave, nuk siguron pagë të barabartë për punë të barabartë në të gjithë sektorin publik. Pagat aktuale, theksohet se nuk bazohen në parimin “paga e njëjtë për punë të njëjtë“.

Pozita të njëjta apo të krahasueshme të punës janë të vlerësuara me nivele të ndryshme të pagave dhe kompensimeve.

Kjo gjendje është krijuar sepse me shumë akte ligjore dhe nënligjore, janë përcaktuar nivelet e ndryshme të pagave që përfitojnë nga buxheti i shtetit.

Andaj, ishte paralajmëruar se një gjendje e tillë do të mund të rregullohej me Projektligjin për pagat, i cili në fund të vitit të kaluar ishte miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Arban Abrashi, anëtar në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë duke trajtuar këtë projektligj, me të cilin synohet që sistemi i pagave të jetë i drejtë dhe transparent.

Abrashi tregon se në bazë të projektligjit aktual, koeficienti më i lartë është 12, pozitë kjo që e mbanë vetëm presidenti i Republikës se Kosovës, më pas është niveli i 10, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Kurse në bazë të Projektligjit aktual për pagat, në koeficientet nga 3 deri në 4 janë përfshirë mjeku i përgjithshëm e deri te mjeku specialist.

Ndërkaq më poshtë në pozitat nga 1.7 deri në 2.5, përfshihen përfaqësues të sistemit arsimit, bashkë me edukatorët e kopshteve deri te drejtorët e shkollave të mesme.

Por, Abrashi thotë se janë duke u bërë përpjekje dhe ekziston një vullnet i Komisionit që të propozohet që koeficienti më i lartë të ulet, ndërkaq të ketë rritje të koeficientit për punëtorët tjerë.

“Ekziston një vullnet politik që paga e stafit politik që kanë koeficient 9,10, 11 dhe 12 të ulet dhe 12 mos të jetë koeficienti më i lartë, por të zbresim në 11 ose më poshtë”.

“Mjekët është propozuar që të kenë koeficientin 5-6, ende nuk është përfunduar. Kemi kërkesa edhe nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) që koeficienti të rritet për 30 për qind. Ne kemi ftuar Ministrinë e Financave për të treguar për mundësitë buxhetore, ajo ka paraqitur disa kufij, por besoj se sot dhe nesër (e martë dhe e mërkurë) do t’i trajtojmë edhe këto çështje. Por, ajo çka jemi dëshmitar është se situata pak po del jashtë kontrollit dhe nuk e di sa do të jemi të suksesshëm si Komision për të çuar deri në fund këtë punë”, tha Abrashi.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se sistemi i pagave në Kosovë është diskriminues dhe si i tillë, thuhet se duhet që të rregullohet.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se koeficienti i pagave që është vendosur në Projektligjin për pagat ka diskrepancë të madhe në mes zyrtarëve të lartë politikë dhe punëtorëve të tjerë.

“Nuk duhet t’i iket shumë pagës bazë. Do të thotë koeficienti 1 më koeficientin 12 nuk duhet të ketë një lartësi shumë të madhe. Unë mendoj se nëse koeficienti 12, pagën maksimale e ka 2.000 euro edhe koeficienti 1 duhet ta ketë një pagë të dinjitetshme deri në 500 euro, për shkak se në Kosovë inflacioni është shumë i madh dhe vazhdimisht kemi rritje të çmimeve. Në anën tjetër, pagat me vite të tëra kanë mbetur të njëjta”, thotë Spahija.

Duke kërkuar rritje të koeficientit, punëtorët në sektorin e arsimit kanë hyrë në javën e dytë të grevës.

Kurse që nga 17 dhjetori i vitit të kaluar, grevën po e vazhdojnë edhe mjekët kirurgë, më kërkesë që rritja e pagës se tyre të realizohet përmes miratimit të Projektligjit për pagat.

Greva kanë paralajmëruar edhe punëtorë në institucione tjera, ndërkaq punëtorët teknikë të disa shkollave të Prishtinës, kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës, lidhur me mosrritjen e pagave.

Sidoqoftë, ky projektligj pritet që të procedohet në Kuvendin e Kosovës më 31 janar se bashku me Projektligjin për buxhetin 2019. Abrashi shpreson se deri në atë periudhë ky komision projektligjin do të dërgojnë në Qeveri.

“Është detyrë e Qeverisë dhe koalicionit që të sigurojë numrat dhe të shtyjë përpara këtë projektligj. Por, megjithatë kërkesat janë shumë të mëdha, pakënaqësitë janë shumë të mëdha, po bëhet një pabarazi sociale përkundër se ne jemi munduar që të zvogëlojmë këtë hendekë. Do të shohim se çfarë do të sjell e ardhmja por nuk është edhe aq e lehtë”, thotë Abrashi.

Kosova ka filluar vitin 2019 pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi. Nga 2.3 miliardë euro sa parashihet buxheti i Kosovës, sipas projektimit aktual, shpenzimet për kategorinë paga dhe mëditje janë paraparë të jenë 616 milionë euro.

XS
SM
MD
LG