Ndërlidhjet

Arrestimi i Janevës vështirëson funksionimin e Speciales


Kryeprokurorja speciale Katica Janeva gjatë arrestimit pranë shtëpisë së saj në Shkup.

Arrestimi i kryeprokurores speciale, Katica Janeva dhe mosmiratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike mund të bllokojnë të gjitha proceset gjyqësore, që është duke zhvilluar Prokuroria Speciale, thonë përfaqësues të këtij institucioni.

Bëhet fjalë për 17 padi penale ku janë të përfshirë 94 zyrtarë të ndryshëm, kryesisht të pushtetit të kaluar, përfshirë ish-ministra dhe bartës të funksioneve tjera publike.

Prokurorisë Speciale mandati i skadon më 15 shtator, andaj edhe kërkohet miratimi i Ligjit për Prokurorisë Publike, pasi me të parashihet edhe zgjidhja e statusit të Speciales pas skadimit të mandatit, përkatësisht, kalimi i saj në kuadër të organit të rregullt të akuzës, me një status të posaçëm.

“Prokuroria Speciale ndodhet në një nga momentet më të vështira që nga themelimi i saj, andaj i bëjë thirrje politikanëve, të gjithë faktorëve në vend që të ulen dhe të miratojnë Ligjin për Prokurorinë Publike, që të mos kemi ndërprerje të procedurave, jo vetëm të atyre që janë duke u proceduar, por edhe të hetimeve tjera serioze që jemi duke bërë. Me mosmiratimin e këtij ligji, ne i japim krimit hapësirë për të vepruar”, ka deklaruar një nga prokuroret e Prokurorisë Speciale, Lile Stefanova.

Miratimi i ligjit është kërkuar edhe nga kryeministri, Zoran Zaev, i cili, i ka bërë thirrje partive që sa më parë të ulen dhe të arrijnë kompromis për dispozitat e ligjit.

“Partitë duhet të ulen të bisedojnë dhe një orë e më parë të miratojmë Ligjin për Prokurorinë Publike. Inkurajoj të gjithë në VMRO-DPMNE dhe LSDM, sa më shpejt të vazhdojnë punën, pasi ditët janë të numëruara. Propozim-ligji është dërguar në Kuvend kurse mandati i Prokurorisë Speciale skadon më 15 shtator. Kemi kapacitet si shtet që këtë ligj ta miratojmë. Një arsye shtesë për këtë është ajo se tani Specialen e kemi pa drejtues”, ka thënë Zaev, pas mbledhjes së këshillit qendror të LSDM-së.

Kreu i Qeverisë, si zgjidhje të përkohshme parasheh edhe mundësinë e zgjedhjes së një prokurori special në detyrë, që të vazhdohet me proceset e nisura gjyqësore.

Në Kuvend është dorëzuar një draft-ligj i Qeverisë, e që nuk mbështetet nga opozita, e cila kërkon që të ndërpriten të gjitha lëndët gjyqësore që janë iniciuar pasi Prokurorisë Speciale i kishte skaduar një afat tjetër, i ngritjes së padive të reja pas 31 majit të këtij viti. Opozita gjithashtu kërkon që dëshmitë nga afera e përgjimeve të mos merren si bazë në proceset gjyqësore.

Se si do të veprohet në rastin e Prokurorisë Speciale, i mbetet të vendosë Këshillit të Prokurorëve, i cili tashmë është njoftuar nga Prokuroria Publike me vendimin për paraburgimin e Katica Janevës.

Procedura për zgjedhjen e Prokurorit Special, sipas njohësve të çështjeve juridike, është mjaft e ndërlikuar pasi kërkon mbështetjen e partive më të mëdha në Kuvend.

Juristi Naser Zyberi thotë se Janevës duhet t’i pushojë mandati, në bazë të nenit 17, të Ligjit për Prokurorinë Speciale Publike, që ka të bëjë me rastet kur drejtuesja e këtij organi burgoset për shpërdorim të detyrës, që e bën atë të padenjë ta ushtrojë këtë post.

“Cila do nga mënyrat për shkarkimin apo konstatimin e pushimit nga detyra të prokurores speciale, parashihet të bëhet nga Kuvendi, me pëlqimin e katër partive me numrin më të madh të deputetëve. Vendimi duhet të merret me dy të tretat e votave, në kuadër të kësaj duhet të ketë edhe shumicë të votave të deputetëve të entiteteve tjera. Dhe pas kësaj procedure, vendimi final kalon në Këshillin e Prokurorëve”, ka deklaruar Zyberi.

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh për rastin “Reketi”, si e dyshuar me dy persona të tjetër, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski, të cilët kanë marrë 1.5 milion euro nga një afarist për t’i lehtësuar atij procedurat në një proces tjetër gjyqësor.

XS
SM
MD
LG