Ndërlidhjet

Prokuroria Speciale të vazhdojë hetimet ndaj ish-zyrtarëve të lartë shtetëror


Prokurorja Speciale Katica Janeva dhe prokuroret Fatime Fetai dhe Lence Ristoska. Fotografi nga arkivi
Prokurorja Speciale Katica Janeva dhe prokuroret Fatime Fetai dhe Lence Ristoska. Fotografi nga arkivi

Prokurorisë Speciale Publike të Maqedonisë duhet t`i mundësohet që të mund të vazhdojë hetimet dhe ngreh padi për të gjithë ish-funksionarët politikë dhe ata aktual, për të cilët ka dyshime se janë të përfshirë në vepra kriminale, thonë për Radion Evropa e Lirë njohësit e çështjeve juridike.

Sipas tyre me rëndësi të veçantë është që Prokuroria Speciale, kah e cila janë të drejtuara shpresat e qytetarëve shqiptarë, të fillojë hetimet për rastet më të ndjeshme që kanë të bëjnë me shqiptarët, siç janë rastet Monstra, Sopot , Brodec si dhe ngjarjet e Kumanovës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale Publike ka afat deri në fund të këtij muaji që të ngre hetime për lëndët që dalin nga bisedat e përgjuara.

Ish-gjykatësi Bashkim Selmani, i cili ligjëron në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës për Radion Evropa e Lirë konsideron se pa krijimin e kushteve që këto raste të ndriçohen në tërësi, qytetarët shqiptarë do të vazhdojnë të mos i besojnë drejtësisë.

Selmani thotë se afati kohorë prej tre javësh, aq sa ka mandat në bazë të ligjit për të vepruar Prokuroria Speciale, nuk lë shumë hapësirë për të shpresuar se ky institucion do të procedojë hetime për rastet që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Nëse eventualisht i ndërpritet funksioni Prokurorisë Speciale Publike, atëherë këto lëndë duhet t’i kalojnë Gjykatës së Krimeve të Rënda, ashtu siç ndodh në të gjitha shtetet, dhe Prokuroria Speciale Publike mund të pagëzohet në Prokurori të Krimeve të Rënda”.

Edhe sikur të arrijë t‘i evidentojë të gjitha këto raste për të cilat janë të interesuar shqiptarët si Monstra, Sopoti, Brodeci dhe ngjarjet e Kumanovës, këto lëndë kur të arrijnë tek prokurorët apo gjykatësit e Prokurorisë së rregullt, me këtë përbërje që është aktualisht, nuk kam bindje se do t‘i trajtojnë në mënyrën e duhur për të sjellë drejtësinë në vend”, thotë Selamani.

Gjatë ditës edhe partia shqiptare, Lëvizja Besa e cila është në opozitë, ka kërkuar që me urgjencë Prokuroria Speciale Publike të procedojë të gjitha rastet e montuara ndaj shqiptarëve, siç janë Monstra, Sopoti e Brodeci.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë në seancën e sotme ka filluar procedurën për shkarkimin e prokurorit republikan shtetëror, Marko Zvërlevski pasi Zvërlevski nuk iu përgjigj thirrjes së kryeministrit Zoran Zaev që vet të japë dorëheqje, si mundësi për të përshpejtuar procedurat për largimin e tij.

Në këtë drejtim ish-prokurori Jovan Tërpenovski për Radion Evropa e Lirë vlerëson se askush nuk do të mund të amnistohet, dhe të gjithë ata të cilët kanë kryer vepra kriminale do të duhet të përballen me drejtësinë sepse lëndët për të cilat nuk ka arritur të ngreh padi do të duhet t’i kalohen Prokurorisë Publike.

Megjithatë, Tëpenovski nënvizon se Prokuroria Publike me Marko Zvërlevskin në krye, i cili në bisedat e përgjuara dëgjohej se si merr urdhra nga ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, është e kuptueshme se do të krijojë shumë stërkëmbëza për procedimin e lëndëve.

Gjithsesi se duhet të largohet kreu i Prokurorisë Publike dhe njerëzve përreth tij, sepse qëndrimi i tyre pengon përballjen me drejtësinë të ish-funksionarëve. Ngritja e Prokurorisë Speciale Publike si institucion, nuk do të kishte kuptim nëse të gjithë ish-funksionarët e lartë, të cilët akuzohen për krime, do të mund të shpëtonin nga përballja me drejtësinë”.

Ende nuk kemi asnjë të gjykuar nga lëndët të cilët i heton ose ka ngritur padi Prokuroria Speciale Publike. Rruga, gjithsesi se do të jetë e gjatë në kthimin e drejtësisë po assesi nuk duhet të hiqet dorë”, thotë Tërpenovski.

Më 4 qershor, në bazë të ligjit u themelua Prokuroria Speciale Publike si institucion por ka skaduar afati për ngritjen e akuzave për të gjitha ata lëndë të cilët i janë transferuar nga Prokuroria e rregullt publike, e që kanë të bëjnë kryesisht me parregullsitë gjatë realizmit të proceseve zgjedhore.

Ndryshe, Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë e cila gjatë punës së saj prej një vit e gjysmë, thotë se ka arritur të kontrollojë më pak se gjysmat e bisedave, dhe ka nisur ka hetime për 20 raste të cilat kanë të bëjnë kryesisht me krimin financiar, përderisa vetëm për 4 lëndë Speciale ka ngritur aktakuzë.

Ndërkaq, gjerë më tani nuk është ndërmarrë nga gjyqësori asnjë vendim për ngrirje të pasurisë ose paraburgim të ndonjë zyrtari të lartë.

XS
SM
MD
LG