Ndërlidhjet

Gazetarët në “luftë” edhe në liri


Ilustrim
Ilustrim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nëpërmjet një proteste para objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, u ka bërë thirrje autoriteteve përkatëse që të hetojnë rastin e sulmit ndaj kryeredaktorit të gazetës online “Insajderi" Vehbi Kajtazi, por edhe sulmet ndaj gazetarëve të tjerë.

Vetëm gjatë këtij viti është thënë se janë sulmuar fizikisht 19 gazetarë. Këto sulme, sipas AGK-së, paraqesin shqetësim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e mediave në Kosovë.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj, ka thënë se sulmi ndaj Kajtazit tregon se komuniteti i gazetarëve po përballet me luftë, pasi institucionet kanë dështuar t’i sjellin para drejtësisë sulmuesit e gazetarëve.

Megjithatë, në këtë luftën tonë të komunitetit të gazetarëve, po duket se jemi të vetëm, pasi po dëshmohet se sistemi i drejtësisë në veçanti, duke përfshirë Prokurorinë dhe gjykatat, kanë treguar një neglizhencë në rastet e gazetarëve”, ka thënë Hysenaj.

Aksioni protestues i AGK-së në Prishtinë
Aksioni protestues i AGK-së në Prishtinë

Ndërkaq, Vehbi Kajtazi, kryeredaktori i gazetës online "Insajderi”, i cili është sulmuar të premten në një lokal në qendër të Prishtinës, ka thënë se të gjithë sulmuesit e gazetarëve kanë lidhje me politikën.

Ai ndërkaq është shprehur i shqetësuar, pasi ka thënë, se presionet ndaj gazetarëve janë kthyer në sulme fizike.

Janë njerëz që në një formë ose një tjetër, kanë lidhje me partitë politike, me pushtetin, e të cilët nuk e durojnë punën tonë, nuk i durojnë shkrimet tona dhe në këtë mënyrë mundohen që të na ndalin".

"Sulmi i fundit ka ndodhur për shkak të punës sime, për shkak të një serie shkrimesh që kam pasur ditëve të fundit, pasi është i lidhur direkt më personazhet e atyre shkrimeve. Personi sulmues është identifikuar, por që deri më tani nuk kemi asnjë informacion, por besoj që shumë shpejt do të arrestohet dhe do të dalë para drejtësisë”, ka thënë ai.

Gazetari Kajtazi ka qenë cak i sulmeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme edhe në të kaluarën. Por, disa nga këto raste ende nuk janë zbuluar.

Ndryshe, edhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare është thënë se në Kosovë nuk ka përmirësim të gjendjes së medieve dhe sigurisë së gazetarëve.

Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare "Freedom House", e radhit Kosovën në mesin e vendeve me liri të pjesshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG