Ndërlidhjet

Trembëdhjetë ditë protesta studentore pa dialog dhe zgjidhje


Protesat e studentëve në Tiranë.
Protesat e studentëve në Tiranë.

Qindra studentë nga e gjithë Shqipëria janë shpërndarë nëpër rrugët e kryeqytetit të vendit, duke bllokuar akset kryesore të tij dhe duke shkaktuar kaos në trafik.

Ky aksion vjen pas 13 ditë të protestave të vazhdueshme të studentëve të universiteteve publike të Shqipërisë, të cilët i kanë 8 kërkesa drejtuar Qeverisë së vendit.

Në këto kërkesa përfshihen përgjysmim i tarifave të shkollimit, të rritet buxheti i arsimit dhe kërkesa tjera për të marrë pjesë në bordet e menaxhimit të fakulteteve dhe në zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili i ka ftuar vazhdimisht studentët për dialog, edhe të hënën përmes rrjeteve sociale e ka bërë të njëjtën gjë.

Megjithatë, ai në Twitter u ka thënë studentëve se partitë opozitare janë infiltruar në protestën e tyre jopolitike.

“A mund t'ju pyes juve që ju mësojnë Doktorresha (referencë për Monika Kryemadhin nga LSI) dhe Artisti (referencë për Lulzim Bashën nga PD) të bllokoni rrugët e qytetit e dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë?”, ka shkruar kryeministri Rama.

Protestuesit kanë ndërprerë mësimin prej dy javësh dhe thonë se kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe se nuk do të bisedojnë me asnjë prej autoriteteve shtetërore dhe universitare.

“Kemi hasur vetëm në tallje nga ana e kryeministrit, me postime në rrjete sociale”, tha një protestues në mesin e studentëve te rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”.

“E kemi thënë para dy javësh, dhe po e themi përsëri se nuk kemi për çfarë të dialogojmë. Kërkesat tona janë të qarta, plotësoni ato, përndryshe do të përballeni me protesta pa afat”, tha një tjetër protestues.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka thënë se i përkrah studentët “shpirt dhe me mendje”. Ai shtoi se nuk ka nevojë që PD-ja të bëjë akte protagonizmi.

“Prindërit janë atje për t’i mbështetur dhe jam i vetëdijshëm që nuk ka nevojë, përkundrazi kundërshtari politik po mundohet ta instrumentalizojë politikisht këtë çështje, që nuk ka nevojë të bëjmë akte protagonizmi për t’i shërbyer pikërisht propagandës së ndyrë që Edi Ramës, i cili prej 13 ditësh po i torturon këta të rinj”, tha Basha.

Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Evropë me GDP prej 4,868 dollarë për kokë banori, ndërkohë që sipas Bankës Botërore në vitin 2017, është shpenzuar në arsim 2.49% të GDP, që është nën mesataren evropiane.

Studentët protestues kërkojnë rritjen e buxhetit për arsim në 5% të GDP-së dhe kanë këmbëngulur se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, javën e kaluar ka vendosur të kthejë për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për buxhetin e vitit 2019, me qëllim rishqyrtimin e tij pas kërkesave të studentëve.

Kuvendi i Shqipërisë, të enjten e kësaj jave do të mblidhet për të biseduar për këtë çështje.

Tarifat vjetore për studentët në universitetet shtetërore të Shqipërisë, varirojnë nga 25 mijë lekë (rreth 200 euro) deri në 40 mijë lekë (rreth 325 euro) në ciklin e parë të studimeve (bachelor).

Ndërsa, për ciklin e dytë të studimeve, sipas profilit që ndjekin, tarifat varirojnë nga 63 mijë (rreth 510 euro) deri në 204 mijë lekë (rreth 1,600 euro).

Tarifat e shkollimit në universitetin shtetëror të Shqipërisë konsiderohen të jenë ndër më të lartat në rajon dhe Evropë, sa i përket shkollimit publik.

XS
SM
MD
LG