Ndërlidhjet

Pajtimi i pushtetit dhe opozitës, mision i vështirë i Pendarovskit


Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Procesi i pajtimit mes pushtetit dhe opozitës është një nga gjeneratorët që dikton procesin e përmbushjes së reformave, me këtë dhe hapjen e dyerve të Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, theksojnë njohësit e çështjeve pulitke.

Këto komente vijnë pas zotimit të presidentit të ri të shtetit Stevo Pendarovski se angazhimi i tij parësor do të jetë pajtimi kombëtar dhe zhbërja e hendekut mes pushtetit dhe opozitës për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e shtetit.

Njohësi i çështjeve politike Petar Arsovski, për Radion Evropa e Lirë thotë se procesi i integrimeve paraqet pikën e vetme të kryqëzimit të interesave të pushtetit dhe opozitës, megjithëse shton se realizimi i reformave që kërkohen nga Brukseli nga të dyja palët shikohen nga qasje krejtësisht të ndryshme.

“Mendoj se pajtimi për të cilin flet presidenti i ri i shtetit ka të bëjë me pajtimin politik mes pushtetit dhe opozitës dhe fillimin e dialogut politik përkatësisht bashkimin drejt asaj kah është e orientuar Maqedonia e Veriut dhe ajo është procesi i integrimeve drejt Bashkimit Evropian përmes një narrativi politik".

"Kuptohet që të jetë funksional ky proces duhet të fillohet me përfshirjen politike duke e përfshirë opozitën në projektet politike, duke i dhënë më shumë hapësirë opozitës”, thotë Arsovski, sipas të cilit procesi i përfshirjes duhet filluar nga diku dhe për momentin, Presidenca si institucion ka më shumë hapësirë për ta realizuar këtë synim përmes vendosjes së themeleve të shëndosha të dialogut politik mes opozitës dhe pushtetit për çështje me interes shtetëror, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me marrëveshjen e Prespës dhe fatin e Prokurorisë Speciale".

​Por, Besa Kadriu, ligjëruese e shkencave politike në Universitetin e Evropës juglindore në Tetovë, thotë se pavarësisht se agjenda evropiane është pika që lidhë angazhimin e pushtetit dhe opozitës, forma se si shihet realizimi i reformave paraqet një hendek të thellë.

Kadriu megjithatë shton se edhe këtij angazhimi të Presidencës do t'i duhet ndihma e faktorit ndërkombëtar.

“Situata aktuale të paktën në atë këndvështrimin fillestar jep një opinion se gjërat fillojnë të lëvizin nga e mbara, jo se për këtë angazhohen me veprime konkrete strukturat udheheqëse në pushtet, por për shkak të dëshirës së madhe të tyre për t'iu bashkangjitur strukturave euroatlantike".

"Në këtë drejtim, edhe pse kam një dozë të skepticizmit gjërat do të mund të fillojnë të ecin në drejtim të duhur vetëm e vetëm për të qenë më funksional shteti për të marrë kahjen e duhur sistemi i drejtësisë dhe për më tepër se kaq, për të ecur drejt aderimit në strukturat euro-atlantike Maqedonia e Veriut".

Megjithatë, edhe presidencës do t'i duhet ndihma e faktorit ndërkombëtar që të shtyjë përpara këto procese në përputhje me kompetencat që ka presidenti i shtetit”, thotë Kadriu.

Ndryshe, presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, menjëherë pas marrjes së detyrës është zotuar se do të luftojë kundër ndasive në shoqëri, se do t’i mbrojë të drejtat e pakicës politike dhe se në mënyrë maksimale do të angazhohet për përfundimin e anëtarësimit të plotfuqishëm të vendit në BE dhe NATO.

Presidenti i ri i shtetit ka theksuar se rreth integrimeve euroatlantike në nivel retorik ekziston pajtim i plotë midis subjekteve relevante politike, megjithatë modalitetet për realizimin e tyre në të cilat ata besojmë janë të ndryshme dhe ka ndasi të thella.

Ideja e pajtimit kombëtarë më herët u promovua nga ana e kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, pas çka pasoi amnistia e deputetëve të akuzuar të opozitës maqedonase për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

XS
SM
MD
LG