Ndërlidhjet

Carla Del Ponte kërkon urdhër arrest ndërkombëtar për Putinin


Pamje nga protesta në Shtetet e Bashkuara, kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Pamje nga protesta në Shtetet e Bashkuara, kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Ish-kryeprokurorja e Tribunalit në Hagë, Carla Del Ponte ka kërkuar që të lëshohet një urdhër arrest ndërkombëtar për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Putini është një kriminel lufte”, tha Carla Del Ponte për gazetën zvicerane Le Temps, në një intervistë të botuar të shtunën.

Në intervistat e dhëna në mediat zvicerane për të shënuar publikimin e librit të saj të fundit, avokatja zvicerane që mbikëqyri hetimet e OKB-së në Ruandë dhe ish-Jugosllavi, tha se në Ukrainë po kryhen krime lufte.

Ajo tha se është e tronditur nga varrezat masive në Ukrainë, që thotë se ia kujtojnë luftërat më të këqija në ish-Jugosllavi.

“Shpresoja të mos shihja më kurrë varreza masive”, tha ajo për gazetën Blick.

“Këta njerëz të vdekur kanë të dashur që as nuk e dinë se çfarë po ndodh me ta. Kjo është e papranueshme”, shtoi ajo.

Krime të tjera lufte që ajo identifikoi në Ukrainë përfshinin sulmet ndaj civilëve, shkatërrimi i ndërtesave civile si dhe shkatërrimi i fshatrave të tëra, raporton AP.

Ajo tha se hetimi në Ukrainë do të ishte më i lehtë se ai në Jugosllavi sepse vetë vendi kishte kërkuar një hetim ndërkombëtar.

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Karim Khan, vizitoi Ukrainën muajin e kaluar.

Nëse GJNP-ja gjen prova të krimeve të luftës, ajo tha se “duhet të hetohet zinxhiri komandues”, derisa shtoi se do të ishte e mundur të vihej përpara përgjegjësisë edhe Putini.

“Nuk duhet ta lëshoni, vazhdoni hetimin. Kur filloi hetimi për Sllobodan Millosheviqin, ai ishte ende president i Serbisë. Kush do ta kishte menduar atëherë se një ditë do të gjykohej? Askush”, tha ajo për Blick.

Del Ponte shtoi se hetimet duhet të kryhen për krimet e mundshme të luftës të kryera nga të dyja palët, duke vënë në pah gjithashtu raportet për torturimin e pretenduar të disa të burgosurve rusë të luftës nga forcat ukrainase.

XS
SM
MD
LG