Ndërlidhjet

Qeveria e presidenca pa konsensus për drejtorin e ri të AKI-së


Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti gjatë një takimi në presidencë me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ende nuk i është përgjigjur propozimit të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, për emërimin e drejtorit të ri të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), të cilin ai e kishte dërguar para tre javësh.

Ky post mbeti i lirë, prejse Kreshnik Gashi liroi detyrën me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Hoti. Kërkesa e Hotit, ishte mbështetur edhe nga u.d e presidentit, Osmani.

Në presidencë dhe qeveri nuk konfirmojnë nëse kanë komunikim institucional për të zgjedhur drejtorin e ri të AKI-së, ashtu siç parashihet në ligj.

Bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Gashit i ishte kërkuar të lironte pozitën më 17 dhjetor, 2020, por asnjëherë nuk janë dhënë detaje zyrtare, për datën e saktë kur ai e ka liruar këtë pozitë.

A po shkelen afatet ligjore?

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti kishte deklaruar për mediat vendore në fund të vitit 2020, se “ka dërguar në presidencë, propozimin e tij për drejtorin e ri të AKI-së”.

Burime të Radios Evropa e Lirë konfirmojnë se propozimi i kryeministrit është një “personalitet që ka shërbyer në AKI, e që madje ka pasur edhe pozitë brenda këtij institucioni”. Të njëjtat burime theksojnë se Hoti ka ofruar edhe një emër të dy, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga Osmani.

Në presidencë insistojnë se janë brenda afatit ligjor.

“Ende jemi në afatin kohor ligjor për emërimin e shefit të ri të AKI-së”, tha në një përgjigje të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kupina, këshilltar për media i ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit.

Ai shtoi se “u.d e presidentit Osmani do ta bëjë propozimin e saj siç e parasheh ligji dhe Kushtetuta e Kosovës”, pa dhënë detaje nëse kjo nënkupton një emër të ri nga ai që i është propozuar nga kryeministri në detyrë, Hoti.

Antigona Baxhaku, këshilltare politike e kryeministrit në detyrë, Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë, se në pikëpamjen e qeverisë, ‘u.d e presidentit, Vjosa Osmani ka të drejtë që të ketë propozimin e saj për drejtorin e ri të AKI-së, pasi kjo përcaktohet me ligj”.

“Megjithatë, vendimi final nuk mund të merret pa pajtueshmëri ndërmjet u.d presidentit dhe kryeministrit në detyrë”, tha Baxhaku.

Nëse merret për bazë, data e kërkesës së kryeministrit në detyrë, drejtuar ish-drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi, drejtori i ri i AKI-së duhet të emërohet më së largu brenda kësaj jave.

Thirrje për drejtor apolitik

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu thotë për Radion Evropa e Lirë se klasa politike duhet të jetë e vëmendshme dhe e përmbajtur kur përfshihet në ndërrimin e udhëheqësve të segmenteve të sigurisë, veçmas shërbimit sekret.

“Për aq sa politika i fut duart në segmentin e sigurisë, aq më shumë do të kemi devijim. Kjo do ta bëjë jofunksionale segmentin e sigurisë, përfshirë këtu AKI-në, por edhe policinë e ushtrinë apo shërbimet emergjente, e të tjera”, tha Musliu.

Ai e sheh të rëndësishme që në këtë pozitë të mos emërohen njerëz politikë, por ata që janë dëshmuar në fushën e sigurisë.

“Është mendim i imi personal se në këtë pozitë duhet të emërohet dikush që ka zhvilluar aktivitet profesional ose që ka dhënë kontribut në fushën e sigurisë. Është e rëndësishme që të jetë i familjarizuar më sfidat e segmentit të sigurisë dhe të ketë eksperiencë adekuate”, vlerëson Musliu.

Sipas tij, Ligji për AKI-në duhet të amendamentohet.

“Autorizimet e këtij shërbimi duhet të rriten dhe të shkojnë përtej kësaj kornize që është tash”, shton Musliu.

Ai vlerëson se ndërrimi kaq i shpeshtë i drejtuesve të AKI-së, shkakton huti e pasiguri edhe brenda vetëm shërbimit sekret të vendit.

Drejtori i fundit i shkarkuar i AKI-së, Kreshnik Gashi ishte emëruar në këtë pozitë, më 25 nëntor të vitit 2019, nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-presidenti Hashim Thaçi.

Paraprakisht, Kreshnik Gashi ka mbajtur pozitën e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës. Ai është emëruar në krye të AKI-së, pas dorëheqjes së Shpend Maxhunit më 2019.

Më 2017 edhe Agron Selimaj kishte dhënë dorëheqje nga udhëheqja e AKI-së. Ndërkaq, më 2015, dorëheqje nga kreu i AKI-së pati dhënë edhe Bashkim Smakaj.

Ndryshe, AKI-ja është agjenci për siguri dhe inteligjencë, e cila sipas ligjit, “analizon dhe shpërndan produkte inteligjente në mënyrë të shpejtë, të ligjshme dhe të përgjegjshme te presidenti, kryeministri dhe institucionet tjera kompetente”.

Drejtori i AKI-së, i cili emërohet për një mandat pesëvjeçar me mundësi vazhdimi, i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG