Ndërlidhjet

Qindra tonë pemë e perime nga Maqedonia, të bllokuara në Bllacë


Foto ilustruese

Për dy ditë qindra tonelata pemë dhe perime në tregun me shumicë në Shkup, veçanërisht domatet dhe kumbullat, kanë filluar të kalben, pasi që ato nuk nisen për në Kosovë, si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës që të rrisë taksën doganore për 30 për qind për 21 produkte bujqësore.

“E shihni i tërë malli që duhej të nisej për në Kosovë, tani po kalbet këtu në tregun me shumicë. Autoritetet tona duhet me urgjencë të ndërmarrin diçka për ta zhbllokuar këtë gjendje. Tregjet e Maqedonisë nuk kanë kapacitet për t’i konsumuar gjithë këto prodhime që ishin të dedikuara për Kosovë. Tani momenti është shumë kritik në këtë sezon prodhimet bujqësore prishen shpejt”, thotë Ilia Demrixhiev, tregtar me shumicë që plason speca dhe domate nga Strumica, qytet ky në jug të Maqedonisë në Kosovë.

Bujqit në Maqedoni thonë se menjëherë produktet e tyre edhe në tregjet e Maqedonisë shiten më lirë, megjithëse shton se sado që të ulen çmimet Maqedonia nuk ka kapacitet që të konsumojë produktet e prodhuara dhe kjo për ta paraqet një goditje të rëndë duke kërkuar që autoritetet e vendit të reagojnë menjëherë.

“Nuk duhet të pësojmë dëme vetëm ne si bujq. Bëhet fjalë për produkte që nuk qëndrojnë gjatë si të freskëta për t`u konsumuar. Shteti të ndërmarrë masa që të shpëtohen prodhimet tona derisa të gjendet një zgjidhje”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Veljo Tantarov, nga Lidhja e Bujqve të Maqedonisë.

Ndërkohë, një kaos i vërtetë është shkaktuar në pikën doganore në Bllacë ku kamionët e ngarkuara me prodhime bujqësore nuk lejohen të hyjnë në Kosovë.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se Kosova dhe Maqedonia duhet sa më parë të gjejnë një zgjidhje, sepse kjo situatë është në dëm të ekonomive të dy vendeve.

'Qeveria e Kosovës duhet të rishqyrtojë pozitën e saj lidhur me vendimin mbi vendosjen e masave të ndërmarra. Normalisht se ndikimi nga këto masa, është shumë negativ, nga kontakti që kemi me kompanitë e ndryshme, mësohet se eksporti drejt Kosovës ka rënë shumë. Ndërkohë që më parë brenda ditës eksportoheshin brenda ditës nga katër maune të ngarkuara me nga 100 tonë prodhime bujqësore brenda një dite tani ajo vlerë është zero.

Vlerësojmë se Qeveria e Kosovës dhe Maqedonisë duhet të ulen sa më parë bashkë dhe ta zgjidhin këtë problem, sepse nëse detyrohet që Qeveria e Maqedonisë të vendosë masa reciproke, një gjë e tillë nuk do t’i ndihmonte ekonomisë së vendit, e as politikës së mirë ndërfqinjësore”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Nga dikasteri i Bujqësisë së Maqedonisë thonë se po bëhen përpjekje maksimale që të gjendet një zgjidhje, ndërsa thonë se vendimi i Qeverisë së Kosovës përmban shumë anomali duke theksuar mungesën e numrit tarifor të produkteve që duhet të doganohen me 30% shtesë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë së Maqedonisë, që nga fillimi i këtij viti, Maqedonia në Kosovë ka eksportuar prodhime bujqësore në vlerë mbi 2.5 milionë euro.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG