Ndërlidhjet

Në kërkim të letrave ngjitëse


Mbulimi me letra ngjitëse i simboleve shtetërore të Serbisë në një automjet që ka hyrë në Kosovë më 4 tetor nga pikëkalimi kufitar në Merdare.
Mbulimi me letra ngjitëse i simboleve shtetërore të Serbisë në një automjet që ka hyrë në Kosovë më 4 tetor nga pikëkalimi kufitar në Merdare.

Qytetarët në veri të Kosovës, e banuar me popullatë me shumicë serbe, janë hutuar të martën, më 5 tetor, për shkak se nuk kanë mundur të pajisen me letra ngjitëse në Qendrën e Regjistrimit në Mitrovicën e Veriut, për të ngjitur ato mbi simbolet shtetërore në targat e automjeteve të tyre të regjistruara në Serbi. Për mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targa, ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 30 shtator.

Në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zveçan, gjatë pasdites të së martës, kanë arritur vetëm 100 kuti me letra ngjitëse. Secila kuti përmban nga katër letra ngjitëse.

Jeta Tela, shefe e stafit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas 8 tetorit, të gjithë ata që nuk kanë letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat serbe do të ndëshkohen në përputhje me ligjin.

Tela ka sqaruar se letrat ngjitëse mund të tërhiqen në 13 vendkalimet kufitare ose në qendrat e regjistrimit të automjeteve.

Zbatimi zyrtar i Marrëveshjes për targat, e nënshkruar më 30 shtator në Bruksel, ka nisur më 2 tetor, ndërsa pika e dytë e marrëveshjes, e cila bën fjalë për letrat ngjitëse mbi simbolet e Kosovës dhe Serbisë në targa, ka nisur të hënën, më 4 tetor.

Kjo nënkupton që të gjitha automjetet me targa të qyteteve në Serbi dhe qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme, do të ngjisin letra ngjitëse mbi targa, për të pasur mundësi të lëvizin në territorin e Kosovës.

E njëjta vlen për të gjitha automjetet me targa ‘RKS’ (Republika e Kosovës) për të pasur mundësi të lëvizin nëpër Serbi.

Komuna e Mitrovicës së Veriut, e mbyllur për punë me palë

Edhe pse në vendkalimet kufitare ky proces po zhvillohet pa probleme të mëdha, qytetarët në Mitrovicën e Veriut, ku shumica e targave të automjeteve të tyre kanë shenja ‘KM’ (Mitrovicë), të cilat Ministria e Brendshme e Serbisë i lëshon për qytetarët në veri të Kosovës dhe të cilat autoritetet e Kosovës i konsiderojnë të paligjshme, të martën nuk kanë arritur të pajisen me letra ngjitëse, me të cilat mbulohen simbolet shtetërore në targa.

Komuna e Mitrovicës së Veriut, ku ndodhet Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, është e mbyllur për punë me palët. Siç kanë njoftuar autoritetet komunale, mbyllja është bërë për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Ndërkohë, nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se qytetarët do të kenë mundësi që të hënën, më 11 tetor, të marrin letrat ngjitëse nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, lokalet e së cilës janë brenda Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Qarkullim me letra ngjitëse
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00

Sipas saj, arsyeja e mbylljes së komunës për punë me palët, është infektimi me koronavirus i një zyrtari, i cili është i certifikuar të punojë me palët.

Në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Zveçan, komunë kjo në veri të Kosovës, kanë arritur 100 pako me letra ngjitëse, të cilat janë shpërndarë në orët e pasdites të 5 tetorit.

Zllatan Radojeviq nga Zveçani, i cili erdhi në Qendrën e Regjistrimit për të marrë letra ngjitëse, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka më radhë të pritjeve, por që nuk ka as letra ngjitëse.

“Kam frikë se do të vonohem dhe që policia të më dënoj. Unë kam targa me ‘KM’ dhe nëse nuk arrij t’i vendos ato letra ngjitëse, do të vonohem dhe çfarë duhet të bëj më pas”, thotë Radojeviq, i cili ka shuar se ai do të shkojë dhe do të kopjojë lejen e vozitjes, e cila i nevojitet për të marrë letrat ngjitëse.

“Nuk me duhet të udhëtoj, por thash që ta kryej këtë punë, sepse deri të premten (8 tetor) duhet të kryhet”, thekson ai.

Targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, si ‘KM’ (Mitrovicë), të cilat janë më së shumti në numër, ose ‘PR’ (Prishtinë), ‘PZ’ (Prizren), ‘GL’ (Gjilan) lëshohen nga autoritetet serbe dhe ato përdoren vetëm në veriun e Kosovë, ku popullsia serbe është shumicë.

Këto targa, në komunat në jug të lumit Ibër, u hoqën dhjetë vjet më parë në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe nga autoritetet e Kosovës konsiderohen të paligjshme.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kreu i ekipit negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka shpjeguar më herët se targat me akronimet ‘KM’, do të tolerohen të qarkullojnë në veri të vendit edhe për gjashtë muaj të tjerë, derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare.

Targat ‘KM’ (Mitrovicë), ‘PR’ (Prishtinë), ‘GL’ (Gjilan), janë targa të veturave të lëshuara nga administratat e zhvendosura nga Kosova e policisë serbe në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, të cilat janë përdorur vetëm në veri dhe që Kosova i konsideron ato të paligjshme.

Qytetarët e hutuar

Nenadi, banor i Mitrovicës së Veriut, thotë se ka ardhur në Zveçan me shpresën se do të mund të pajiset me letrat ngjitëse, marrë parasysh që Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Mitrovicën e Veriut nuk punon.

“Më askush nuk e di se çfarë po ndodh këtu. Kjo vërtetë është çmenduri. Kjo është çmenduri e tërësishme”, thotë Nenadi, automjeti i të cilit ka targa me akronimet ‘KM’.

“Na thanë që duhen letrat ngjitëse edhe për targat ‘KM’. Na i thanë krejt këto, por nuk ka. Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk punon për shkak të koronavirusit, ndërkaq populli nuk e di se çfarë të bëjë. Siç është qeveria ashtu janë edhe targat, ashtu janë edhe letrat ngjitëse. Edhe njëra edhe tjetra. E gjitha bie mbi shpinën e popullit, në vend se të merren vesh mirë dhe normalisht. Ndërkaq, kjo është asgjë, t’i vendosim letrat ngjitëse, të mbulojmë stemat. Kjo nuk ndodh askund vërtetë. Është turp. Me siguri se do të ketë tollovi të madhe në qoftë se nuk ka letra ngjitëse. Ku do t’i sigurojnë letrat ngjitëse 9,000 automjete”, thotë Nenadi.

Ai e ka dilemën se a do të mund të pajiset me letra ngjitëse në Zveçan, si banor i komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Jam nga Mitrovica. Për shkak se komuna atje nuk punon, erdha të pyes se a mund dhe a është kompetente Komuna e Zveçanit që t’i pajisë me letra ngjitëse edhe banorët e Mitrovicës. Kjo është komunë tjetër sepse askush asgjë nuk di. Populli nuk e di dhe është krejtësisht i hutuar”, u shpreh Nenadi për Radion Evropa e Lirë.

Reciprociteti me letra ngjitëse
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:18 0:00

Alleksandar Rapajiq nga organizata joqeveritare “Aktiv”, që mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, thotë se është e dukshme që ekzistojnë problemet logjistike për zbatimin e këtyre masave.

“E shohim që në vendkalime kufitare kjo po zbatohet sado-kudo në mënyrë të suksesshme, por në brendi, është e pamundur të zbatohet ende. Unë nuk besoj se gjobitja do të fillojë më 8 tetor, siç ishte paralajmëruar, sepse së pari njerëzve duhet t’iu jepet mundësia të marrin ato letra ngjitëse dhe më pas, vetëm atëherë të fillohet me masa të mundshme kufizuese ndaj njerëzve. Mendoj që ky proces do të zgjasë pak më shumë dhe do të marrë më shumë kohë. Nuk pres ndonjë reagim më të madh nga policia pas 8 tetorit dhe ne shpresojmë që përgatitja logjistike do të bëhet më mirë”, thotë Rapajiq.

Ai thekson që vetëm në veri janë rreth 10,000 automjete me targa ‘KM’ dhe se nevojitet punë e madhe për pajisjen e tyre me letra ngjitëse.

“Imagjinoni sa punë e madhe logjistike është që të gjithë këta njerëz të vijnë në Qendrën e Regjistrimit (të Automjeteve), të marrin, nënshkruajnë, ngjisin letrat. Duhet shumë dhe shumë më tepër kohë sesa është dhënë nga Prishtina. Kështu që besoj se zbatimi nuk do të fillojë nga i teti dhe se si do të shkojë më tej, përsëri varet nga institucionet të cilat, siç e dimë, janë gjysmë funksionale këtu”, theksom Rapajiq për Radion Evropa e Lirë.

“Do të ngas veturën pa letra ngjitëse. A dihet se kur do të ketë letra të tilla? Nuk dua të vozis, çfarë të bëj”, ka komentuar i hutuar Dragani nga Mitrovica e Veriut, i cili gjithashtu kishte shkuar në Zveçan për të marrë letrat ngjitëse, ndërkaq që e gjeti vetëm një fletë të ngjitur në mur të komunës, ku shkruante “nuk ka letra ngjitëse”.

"Nuk ka letra ngjitëse" thuhet në letrën e vendosur në objektin e Komunës së Zveçanit.
"Nuk ka letra ngjitëse" thuhet në letrën e vendosur në objektin e Komunës së Zveçanit.

Ku mund të merren letrat ngjitëse?

Në mjediset e banuara me serbë në jug të Ibrit, ka kryesisht qendra të regjistrimit të automjeteve ku pronarët e automjeteve me targa serbe mund të pajisen me letra ngjitëse.

Serbët nga Kosova qendrore kryesisht i marrin letrat ngjitëse në Lapnasellë, në Komunën e Graçanicës, ndërkaq në rrethinë të Anamoravës mund të pajisen në njërën nga komunat me shumicë serbe (Ranillug, Partesh, Kllokot, Novobërd) ose në Gjilan.

Ekziston edhe rajoni i Pejës, ku serbët jetojnë në fshatrat e të kthyerve dhe ata mund të marrin letrat ngjitëse në vetë qytetin e Pejës ose në një komunë aty pranë, siç është Klina ose Istogu.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë ndonjë koment nga ana e Policisë së Kosovës e rajonit të veriut, lidhur me atë se a do të fillojnë të zbatojnë pas 8 tetorit vendimet e paralajmëruara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje mbi zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës, më 30 shtator në Bruksel. Marrëveshja e dy vendeve për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, si dhe zgjidhja e përkohshme lidhur me targat, erdhën pas tensioneve mes dy palëve.

Më 20 shtator, serbët në veri të Kosovës ngritën barrikada në rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, kështu që kalimet në pikat kufitare ishin të mundshme vetëm në këmbësorët.

Trembëdhjetë ditët e bllokadës në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:01 0:00

Ky ishte reagimi i tyre ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të futur masa reciproke me Serbinë për targat, që nënkuptonte që të gjithë pronarët e makinave me targa serbe duhej të merrnin targa të përkohshme.

Kjo masë përkoi me përfundimin e afatit të vlefshmërisë të tabelave ‘KS’ (Kosovë), që ishin neutrale ndaj statusit të vendit.

Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes e arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2011 u finalizua në Bruksel më 14 shtator 2016, kur Kosova u pajtua që të zgjasë vlefshmërinë e targave ‘KS’ edhe për pesë vjet të tjerë. Afati pesëvjeçar përfundoi më 15 shtator të vitit 2021.

Deri më tash, qytetarët me targa ‘RKS’ paguanin targat “Prova” për hyrje në Serbi në vlerë prej 3.5 euro, të cilat ishin të vlefshme për dy muaj, ndërsa qytetarët e Serbisë lëviznin lirshëm nëpër Kosovë me targat e tyre të regjistrimit.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG