"Nuk qëndrojnë pretendimet e Prokurorisë"
Sipas avokatit Tully, Prokuroria nuk është përpjekur fare që të provonte që Ministria e Rendit Publik, e drejtuar nga Selimi, ishte strukturë që kishte mundësi të ushtronte kontroll operativ mbi një forcë policie në mbarë vendin.
“Për rrjedhojë, ky pretendim i Prokurorisë nuk qëndron dhe është tërësisht i pambështetshëm”.
Më tutje, avokati Tully ka thënë se Prokuroria u referohet disa dokumenteve pa datë dhe të panënshkruara.
“Mungesa e dokumenteve është një lloj dëshmie që nuk ekzistonte një strukturë e mirëorganizuar e Rendit Publik... mendojeni për një çast sa i rëndësishëm do të ishte roli i shefit operativ të policisë së një vendi, edhe në një situatë jashtë konfliktit në Kosovë. Kjo do të ishte një detyrë herkuliane. Minimalisht do të kishim pritur të shihnim urdhra, udhëzime që të buronin prej këtij komandanti operativ drejtuar vartësve, por s’kemi parë asnjë të tillë. Asnjë shembull të ndonjë urdhri, një udhëzimi, në asnjë moment, në asnjë zonë të Kosovës nuk është lëshuar asnjë dokument, as nga zoti Selimi, dhe as në emër të zotit Selimi”.
Pika e radhës
Avokati tani po i trajton pretendimet e Prokurorisë për dokumentet me shkrim dore.
Avokati: Qasje e paqartë e Prokurorisë për autorësinë e dokumenteve
Sipas avokatit Tully, Prokuroria nuk e ka bërë asnjëherë të qartë autorësinë e materialeve që ia ka mveshur Selimit, dhe nuk do të thotë që nëse disa prej materialeve janë sekuestruar nga Selimi, janë të tij.
“Duhet ta keni parasysh që kjo mund të ketë pasoja konkrete për personin.. Qasja e paqartë e Prokurorisë lidhur me këto shënime në momentet e fundit të këtij gjykimi u bë edhe më e paqartë me pretendimet e tyre të forta se fjalët këtu janë të zotit Selimi. Po t’i kishim ditur këto akuza specifike gjatë gjykimit, ne si mbrojtje do të kishim pasur strategji tjetër gjatë kundërpyetjeve tona dhe do të kishim bërë hetime tjera sa u përket pretendimeve të Prokurorisë. Këtu ne jemi cenuar”.
"Prokuroria u bazua në prova dytësore"
Avokati Tully e ka përfunduar fjalën e vet duke thënë se Prokuroria i ka bazuar akuzat kundër Selimit në prova dytësore, të cilat, sipas tij, i ka shfrytëzuar, edhe si mburojë, edhe si armë: si armë për t’i mbuluar boshllëqet në provat e tyre dhe si mburojë për t’u mbrojtur nga përgjegjësitë që ka Prokuroria në përmbushjen e standardeve në provat që ofron.
Në pjesën tjetër të seancës, Selimin e përfaqëson avokati Chad Mair.