Ndërlidhjet

Avokatja Venkateswari Alagendra dhe Jakup Krasniqi në gjykatore më 13 shkurt 2026.
Avokatja Venkateswari Alagendra dhe Jakup Krasniqi në gjykatore më 13 shkurt 2026.

Çfarë tha mbrojtja e Selimit dhe Krasniqit në deklaratat përmbyllëse?

• Më 13 shkurt u zhvillua dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Selimit dhe ajo e Krasniqit deklaruan se klientët e tyre janë të pafajshëm. Avokatët e Selimit thanë se kërkesa e Prokurorisë për 45 vjet burgim për secilin të akuzuar nënkupton burgim të përjetshëm. Vlerësime të ngjashme ka bërë më herët edhe ekipi mbrojtës i Thaçit.

• Mbrojtja e Krasniqit tha se ai ishte zëdhënës i UÇK-së e jo komandant, duke hedhur poshtë po ashtu pretendimet e Prokurorisë se Krasniqi kishte rol parësor në hartimin e komunikatave të UÇK-së.

• Deklaratat përmbyllëse i kanë shpalosur Prokuroria, ekipi mbrojtës i viktimave, mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit. Ajo e Krasniqit do të përfundojë fjalën e saj të hënën.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

15:32 13.2.2026

Mbrojtja: ZPS nuk vërtetoi autorësinë e materialeve të sekuestruara në shtëpinë e Krasniqit

Mbrojtja e Krasniqit tha se ZPS-ja nuk ka verifikuar autorësinë, autenticitetin apo besueshmërinë e materialeve që u sekuestruan në nëntor të vitit 2020 në shtëpinë e klientit të tij.

Avokatja Venkateswari Alagendra, tha se dihet që Krasniqi ka botuar libra dhe Prokuroria “nuk merr parasysh provat se Krasniqi po mblidhte materiale në lidhje me UÇK-në pas luftës për të shkruar librin e tij dy dekada më parë”.

Sipas saj, Krasniqi e dinte që ZPS po hetonte në Kosovë shumë më herët sesa kur u ngrit aktakuza ndaj tij, dhe fakti që nuk i ka shkatërruar këto materiale që mund ta inkriminojë, duhet shihet si pozitiv dhe pretendoi se është fakt që ai është i pafajshëm.

“Nëse Krasniqi do të kishte menduar se materialet hulumtuese dhe dokumentet e tjera në shtëpinë e tij do të ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, ku dhe ai bënte pjesë, apo që ishin inkriminues për të, pse t'i mbante ato. Fakti që i mbajti dhe nuk i shkatërroi duhet parë në favor të tij sepse ai është i bidur që është i pafajshëm”, tha ajo.

Avokatja tha se Prokuroria ka shtrembëruar fjalën hyrëse të Krasniqit, duke thënë se ai ka pranuar se dokumentet ishin të tij.

“Ai asnjëherë nuk ka thënë se materialet e gjetura në shtëpinë e tij kanë qenë të shkruara prej tij. Ai në fakt ka pranuar se ka bërë disa shënime për të shkruar një libër, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmërish materialet ishin për konfliktin. I përket Prokurorisë të vërtetojë se këto dokumente lidhen me akuzat përfshirë autorësinë e Krasniqit dhe të vërtetojnë autenticitetin dhe besueshmërinë e dokumenteve, diçka që nuk e kanë bërë deri më tani”, tha ajo.

15:52 13.2.2026

Mbrojtja: Prokuroria është bazuar shumë në dokumentet që ka marrë nga Serbia

Avokatja Venkateswari Alagendra tani po shqyrton materialet që Prokuroria ka marrë nga Serbia. Ajo tha se ato janë përdorur pa iu nënshtruar një kontrolli.

“Prokuroria është bazuar shumë mbi dokumentet që ka marrë nga shteti serb pa një kontrollim të tyre. Pa këtë kontroll, trupi gjykues nuk mund të vlerësojnë ligjshmërinë apo edhe autenticitetin dhe besueshmërinë dhe vetëm ky gabim duhet të ngrejë shqetësime për këto dokumente”, tha ajo.

Sipas mbrojtjes së Krasniqit, dokumentet u grumbulluan në kohën kur Beogradi ishte dënuar nga ndërkombëtarët për “për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe për dhunë në Bosnje dhe Kroaci”, duke shtuar se Kosova ishte në qendër të politikës serbe në atë kohë.

“Kjo rrit rrezikun që materialet të jenë të politizuara dhe falsifikuara”, tha Alagendra.

16:12 13.2.2026

Mbrojtja: Dokumentet serbe ishin të fabrikuara


Avokatja Alagendra tha se materialet e marra nga Serbia kundërshtoheshin nga verifikimet në terren.

“Gjykatësit duhet t’i trajtojë si materiale me interes, jo si provë nëse nuk janë të provuara”, tha ajo.

“Materiale të tilla janë fabrikime të skenave të krimeve nga autoritetet serbe. Fred Abrahams e bëri të qartë dallimin mes medias së pavarur dhe medias shtetërore duke iu referuar masakrës në Obri dhe HRW tha se ka shkelje serioze të rregullave të luftës”, shtoi ajo.

Alagendra tha po ashtu se disa dëshmitarë kanë treguar për pasaktësinë e dokumenteve zyrtare serbe. disa tha ajo, kishin dëshmuar se nuk kishin thënë ashtu siç paraqitej në dokumente, disa thoshin se janë shtuar pjesë në dëshminë e tyre. Ajo po ashtu i bëri thirrje trupit gjykues të ketë parasysh se Serbia ka përdorur “torturë” gjatë marrjes në pyetje të shqiptarëve.

16:34 13.2.2026

Mbrojtja: Zëdhënësi nuk ka kontroll ushtarak, Krasniqi nuk kishte kompetencë për të bërë emërime

Mbrojtja po trajton pretendimet e ZPS-së për autoritetin e Krasniqit pas emërimit të tij si zëvendëskomandnat i UÇK-së në nëntor të vitit 1998.

Avokatja e Krasniqit tha se ZPS e pranon se para kësaj periudhe, si zëdhënës ai nuk kishte kontroll logjistik në terren që mund të çonin në veprime konkrete.

“Zëdhënësi nuk është komandant që ka kontroll ushtarak. Përgjegjësia penale mund t’i atribuohet zëdhënësit vetëm në rastet kur deklaratat specifike e lidhin me krime specifike. ZPS as nuk i është afruar vërtetimit të kësaj për këtë rast”, tha Alagendra.

Ajo argumentoi se ZPS thotë se Krasniqi ka marrë pjesë në mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm ku janë bërë emërime, por shtoi se nuk përcaktohet roli i Krasniqit në këto emërime.

“Ai nuk ka pasur kompetenca për të emëruar askënd”, tha ajo.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG