Mbrojtja: Krasniqi nuk ishte përgjegjës për UÇK-në kur mungonte komandanti i përgjithshëm
Mbrojtja ka argumentuar se pretendimi i ZPS se si zëvendëskomandant për ndihmë, Jakup Krasniqi, nuk kishte kompetencat e komandantit të përgjithshëm, Azem Syla, kur ai nuk gjendej në Kosovë.
Avokatët thanë se ky pretendim mbështetet vetëm në dëshminë e shefit të shtabit, Bislim Zyrapit.
“Dëshmitarët e tjerë e kanë konsideruar Zyrapin përgjegjës dhe jo Krasniqin si përgjegjës në UÇK kur Syla nuk ishte në Kosovë”, tha mbrojtja.
Mbrojtja po ashtu tha se vetë Syla kishte thënë se vetëm Sokol Bashota ishte zëvendës i tij.
Avokatja: Krasniqi nuk ka mbikëqyrur punën e departamentit juridik të UÇK-së
Ekipi mbrojtës i Krasniqit ka hedhur poshtë pretendimin e ZPS-së se ai kishte mbikëqyrur departamentin juridik të UÇK-së.
“Ky pretendim mbështetet dëshmitë spekulative që i kanë bërë për interesa të veta Bislim Zyrapit”, tha avokatja Alagendra.
Ajo tha se nuk ka prova se udhëheqësi i gjykatës së UÇK-së, Sokol Dobruna ka marrë udhëzime nga Krasniqi as që i ka raportuar atij.
Alagrendra tha se vetë Dobruna e kishte konfirmuar se i ka dorëzuar raporte vetëm Azem Sylës kur ka qenë në Kosovë.
“ZPS anashkalon dëshmitë fajësuese”, tha Alagrendra.
Mbrojtja e Krasniqit thotë se roli i tij si zëvendëskomandant ishte dytësor
Ekipi mbrojtës i Krasniqit insistoi se nuk pranon që dokumentet e paraqitura nga ZPS-ja për periudhën kur ai ishte zëvendëskomandat i ndihmës, të jenë nënshkruar nga ai.
“Barra për autorësinë bie mbi ZPS-në”, thanë mbrojtësit e Krasniqit.
Një avokat i Krasniqit tha se dëshmitarët kanë thënë se roli si zëvendëskomandant ishte dytësor për Krasniqin, pasi ai ishte zëdhënës dhe përfaqësues politik i Shtabit.
Sipas tyre, edhe Zyrapi e ka pranuar se në periudhën nëntor 1998 dhe shkurt 1999 se këto dy rolet e fundit ishin fokusi kryesor i Krasniqit.
“Roli i zëvendëskomandantit ishte rol dytësor”, tha mbrojtja.
Mbrojtja flet për komunikatat e UÇK-së
Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, tha se ZPS-ja po e akuzon klientin e tij se ka pasur rol parësor në hartimin dhe shpërndarjen e të gjitha komunikatave të UÇK-së.
“Ky është zmadhim i asaj që tregojnë provat. Realiteti është që Prokuroria nuk ka provuar se kush ka hartuar, as edhe një komunikatë të vetme”, tha Ellis.
Ellis tha se Krasniqi e ka pranuar se ka shkruar komunikata kur nuk ka pasur mundësi që të takohet Shtabi i Përgjithshëm për shkak të ofensivave intensive. Por, avokati tha se ZPS nuk ka vërtetuar se cilat komunikata janë ato.
Avokati tha se shumica e pretendimeve të ZPS-së mbështeten në prova të dobëta dhe jobindëse dhe i referohen intervistës së Rexhep Selimit dhënë për Prokurorinë. Por, Ellis tha se Selimi nuk e ka parë Krasniqin duke shkruar ndonjë komunikatë.
Mbrojtja po ashtu tha se nuk është provë që në shtëpinë e Krasniqit i janë gjetur katër komunikata, duke argumentuar se klienti i tij kishte mbledhur dokumente për shkrimet e tij dhe librin e tij.