Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të dielën se autoritetet e kishin neutralizuar një “dron me eksploziv”, që, sipas tij, synonte ta godiste ndërtesën e Kryeministrisë në Tiranë. Ai gjithashtu akuzoi aktorë të huaj për ndërhyrje në protestat e dhunshme kundër Qeverisë, duke përmendur Iranin si burim të dezinformimit.
Trazirat pesëditore në kryeqytetin shqiptarë janë përshkallëzuar në dhunë duke shkaktuar të lënduar mes policëve dhe protestuesve dhe dëme materiale. Dhuna në protestë ka nxitur thirrje për vetëpërmbajtje.
Në një adresim publik, Rama tha se droni ishte neutralizuar dy ditë më parë dhe se synonte t’i vinte zjarrin oborrit të brendshëm të Kryeministrisë, me “pasoja potencialisht të rënda”.
“Kjo është një dorë e huaj”, shtoi ai, duke pretenduar se një operacion i tillë nuk mund të ishte menduar apo organizuar nga studentët dhe të rinjtë shqiptarë që po protestojnë.
Rama nuk identifikoi personat apo grupet që dyshohet se qëndrojnë pas incidentit dhe nuk paraqiti prova për pretendimet e tij.
Radio Evropa e Lirë i ka kontaktuar Prokurorinë dhe Policinë në Shqipëri për koment lidhur me këtë, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Kryeministri shqiptar gjithashtu pretendoi se ekzistojnë të dhëna për ndërhyrje të huaja në rrjetet sociale, të cilat, sipas tij, synojnë të nxisin destabilizimin e vendit.
“Ne kemi shumë të dhëna, do vazhdojmë ta pasurojmë atë që kemi nisur qysh në krye të herës me interferencën në rrjetet sociale të atyre ‘duarve të huaja’”, tha Rama.
Ai përmendi shprehimisht Iranin, të cilin e cilësoi si një prej burimeve të dezinformimit, duke thënë se “ku, natyrisht, një dorë tjetër është republika Khomeiniste e Iranit, kulmi i dezinformimit”.
Rama iu referua edhe një postimi të Aleksandr Duginit, një nga ideologët kryesorë të Kremlinit dhe mik i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.
Pa e përmendur Duginin me emër, Rama e cilësoi atë si “babain ideologjik” dhe “udhëheqësin shpirtëror” të Putinit.
Në një postim në rrjetin social X, më 17 tetor, Dugin i përshkroi shqiptarët si “popull shumë interesant dhe trim”, duke shkruar se “po zgjohen tani”. Ai iu referua gjithashtu rolit të të krishterëve ortodoksë në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe traditës sufiste të islamit në vend.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur Shqipëria po përballet me protesta kundër Qeverisë, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit.
Rama pretendoi se një grup prej 200 deri në 300 personash të maskuar, që sipas tij nuk kanë lidhje me studentët, po e shkakton pjesën më të madhe të dhunës.
Ai akuzoi gjithashtu kundërshtarët politikë për nxitjen dhe organizimin e trazirave, duke pretenduar se sulmet ndaj bankave dhe bizneseve synojnë të përhapin panik në vend.
Kryeministri pranoi se të rinjtë kanë pakënaqësi dhe kërkojnë ndryshime, por pretendoi se protestat po shfrytëzohen nga grupe të organizuara dhe interesa politike.
Rama sërish hedh poshtë kërkesat për dorëheqje
Studentët thonë se po protestojnë kundër kostove të larta të arsimit dhe korrupsionit qeveritar, ndërsa kërkesë kryesore kanë dorëheqjen e Qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama.
Megjithatë, Rama përsëri i refuzoi kërkesat për dorëheqje të dielën, duke paralajmëruar se një ndryshim i pushtetit në këto rrethana mund të pengojë procesin e integrimit evropian.
“Këtu në lojë është tryeza e negociatave në BE”, tha Rama.
Sipas tij, kalendari i negociatave parasheh përfundimin e tyre deri në fund të vitit 2027, ndërsa Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
Megjithatë, ai u shpreh i gatshëm për dialog me studentët dhe qytetarët, duke i ftuar të diskutojnë kërkesat e tyre në Kryeministri, në fakultete apo në vende të tjera.
Rama përmendi gjithashtu një projektligj për strehimin social dhe të përballueshëm, që, sipas tij, parasheh 2.000 kredi me interes zero për kategori të caktuara të të rinjve dhe profesionistëve, 2.000 kredi të tjera me interes 3 për qind, si dhe mbështetje për pagesën e qirasë për 3.000 apartamente.
Ai tha se masat janë pjesë e programit qeverisës, por se zbatimi i tyre ishte përshpejtuar edhe si rezultat i pakënaqësive të shprehura gjatë protestave.
Rama këmbënguli se Qeveria nuk do të tërhiqet përballë dhunës, duke paralajmëruar masa më të ashpra ndaj personave të maskuar që sulmojnë policinë dhe institucionet.
Gjatë pesë ditëve të trazirave, protestuesit ua kanë vënë zjarrin institucioneve qeveritare, bankave dhe kanë dëmtuar biznese private, duke bërë thirrje për dorëheqjen e Ramës.
Ata gjithashtu kanë hedhur gurë, bomba molotovi dhe mjete piroteknike drejt policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome për t’i shpërndarë.
Si pasojë, rreth 120 policë dhe 45 protestues janë regjistruar si të lënduar, ndonëse ka mundësi që shumë raste të lëndimeve të protestuesve të mos jenë regjistruar fare.
Policia tha të shtunën deri më tani janë arrestuar 167 protestues, teksa ka proceduar penalisht 388 të tjerë për përdorimin e dhunës.
Ambasada amerikane në Tiranë u bëri thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi.
“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme”, tha Ambasada në rrjetet sociale të shtunën.
Reagime të shtunën kishte dhe nga kongresistë amerikanë.
Kongresisti Joe Wilson shprehu shqetësim për përshkallëzimin e dhunës dhe i bëri thirrje Qeverisë të përmbahet nga çdo dhunë ndaj protestuesve.
“Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale”, shkroi ai në X, duke shtuar se të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre.
Keith Self, kongresist republikan, tha se protestat në Shqipëri janë “kulmimi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes së tyre nga shpërfillja e plotë e sundimit të ligjit”.
“Udhëheqësit e Shqipërisë duhet t’u kushtojnë vëmendje thirrjeve për ndryshime thelbësore, që do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal”, tha Self në X.
Kongresisti tjetër, Robert Aderholt, tha se ndihet "thellësisht i shqetësuar" për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, aleaten SHBA-së në NATO.
"Të gjitha palët duhet ta refuzojnë dhunën, ndërsa Aeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre", tha ai.