Ndërlidhjet

Blinken dhe Rama diskutojnë për strehimin e afganëve


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kanë zhvilluar një bisedë telefonike më 18 gusht në lidhje me ofertën e Shqipërisë për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë.

Në një njoftim të lëshuar të enjten nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, thuhet se Sekretari Blinken ka falenderuar “kryeministrin Rama për vazhdimin e traditës krenare të Shqipërisë për strehimin e njerëzve në nevojë”.

Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë tre vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat kanë shprehur gatishmërinë të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja përfshirë ato amerikane, por të cilët duhet të evakuohen nga Afganistani për shkaqe sigurie dhe derisa atyre të iu përfundojnë procedurat e marrjes së vizës amerikane.

Të premten, në Shkup, pritet të arrijë grupi prej 450 afganëve që autoritetet maqedonase do të strehojnë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë për gazetën italiane Il Foglio se Tirana zyrtare do të strehojë 2.000 deri në 3.000 afganë, por ende është e paqartë se kur ata do të arrijnë në Shqipëri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka thënë BBC-së më 18 gusht se brenda dy ose tre ditësh do të dihet data e saktë se kur do të arrijë grupi i parë i afganëve në Kosovë. Ajo ka thënë se numri i përgjithshëm i atyre që do të strehojë Kosova po diskutohet me partnerët amerikanë.

Më 15 gusht, talibanët morën kontrollin e Kabulit dhe thanë se së shpejti do të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse, të bazuar në parimet islame.

Mijëra afganë ia kanë mësyrë aeroportit të Kabulit dhe po mëtojnë që të largohen nga Afganistani, nga frika nga talibanët.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.

Gjatë bisedës telefonike, Blinken dhe Rama kanë riafirmuan partneritetin e ngushtë midis dy vendeve.

XS
SM
MD
LG