Ndërlidhjet

Haradinaj: Marrëveshja arrihet kur Serbia ta kuptojë se s’mund të fitojë asgjë nga Kosova


Haradinaj: Serbia nuk mund të marrë asgjë nga Kosova
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:07:44 0:00

Kandidati për kryeministër i koalicionit ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se marrëveshja finale me Serbinë, do të arrihet, kur Beogradi të kuptojë se nuk mund të fitojë asgjë nga Kosova. Në këtë intervistë, Haradinaj po ashtu flet edhe për arsyet se pse duhet të ketë edhe një mandat në krye të ekzekutivit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, ju jeni kandidat i koalicionit ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate për pozitën e kryeministrit në zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor. Pse qytetarët duhet të ju votojnë ju për kryeministër?

Ramush Haradinaj: Që të ruhet qëndrueshmëria që ka krijuar Kosova në tema të mëdha të interesit nacional dhe njëkohësisht që ta kemi mundësinë të fokusohemi në disa tema shumë jetike, siç është ajo e zhvillimit ekonomik, shëndetësia dhe arsimi.

Për zhvillim ekonomik janë tri komponentë që duhet menjëherë të veprojmë, pra është një analizë e mirë se si mbledhin buxhetin, më pak tatim, më shumë punësim, që ta lëmë ekonominë të zgjerohet dhe po ashtu një marrëdhënie pastaj se si e kthejmë atë buxhet në ekonomi, të jetë më në interes të zhvillimit ekonomik.

E dyta është logjistika, plot sipërmarrës kanë problem me hapësirë që të operojnë, nuk mund që të zgjerohen. Pra, për t’i zgjeruar kapacitetet se nuk kanë tokë ose nuk kanë vend, janë ngushtë. Ne kemi vepruar me këto zonat ekonomike, si ajo amerikane në Gjakovë. Kemi një park inovativ trajnues gjerman në Prizren, po kemi edhe plotë mundësi nëpër komuna.

*Video: AAK-PSD premton rritje ekonomike 7-9 për qind

Premtimet zgjedhore: AAK-PSD premton rritje ekonomike 7-9 për qind
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:07:15 0:00

Dhe e treta janë marrëdhëniet burokratike, pra ka bukur shumë burokraci në mes të institucioneve dhe sipërmarrësit. Disa prej sipërmarrësve nuk kanë aftësuar shërbime të kontabilitetit dhe shërbime të tjera burokratike për punë edhe zakonisht këto marrëdhënie burokratike të stërngarkuara, shfrytëzohen edhe për korrupsion nga zyrtarët publikë. Duke eliminuar dhe duke i thjeshtëzuar këto marrëdhënie mes institucioneve edhe sipërmarrësit, në një mënyrë edhe pengojmë, pra marrëdhëniet korruptive mes palëve.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë mandatit të cilin e latë në gjysmë, një nga vendimet e qeverisë që ju udhëhoqët ishte taksa ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. A mendoni se mund të qëndrojë edhe më tutje në fuqi kjo taksë, pas zgjedhjeve?

Ramush Haradinaj: Po, kjo duhet të qëndrojë deri në njohje nga Serbia. Marrëdhëniet (ekzistuese) Kosovë- Serbi nuk munden të shkojnë, duke i ushqyer këto marrëdhënie. Këto marrëdhënie shkojnë duke i ndarë krejt elementet që krijojnë paqartësi. Nëse Serbia e dinë qartë se nuk mund të marrë më asgjë nga Kosova, atëherë për Serbinë mbetet pyetja a të vendosë marrëdhënie fqinjësie të mira me Kosovën, pra të ketë edhe marrëdhënie ekonomike e të tregtisë, apo të vazhdojë me mënyrën si ka vazhduar deri tani. Mendoj se edhe Bashkimi Evropian, po edhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës duhet t'i tregojnë Serbisë se nuk ka mbetur më diçka për të marrë nga Kosova. Por, edhe Serbia edhe Kosova marrin nga një marrëveshje e ndërsjellë, se kalojnë në një etapë të re të marrëdhënieve të ndërsjella dhe njëkohësisht përshpejtojnë procesin e tyre në integrim Serbia drejt BE-së, ndërsa Kosova drejt integrimeve euroatlantike sepse ne e synojmë NATO-n.

Radio Evropa e Lirë: Nëse taksa do të konsiderohet si pengesë për vazhdimin e dialogut me Serbinë si do të veproni?

Ramush Haradinaj: Shikoni, kornizimi i dialogut me një marrëveshje kornizë për njohje, pra duhet të ulemi të diskutojmë për një marrëveshje të caktuar, pra nuk mund të shkojmë pa asnjë bazë në tavolinë. Dhe njëkohësisht kornizimi në aspektin kohor, pra për çfarë kohë synojmë ta realizojmë (marrëveshjen), atëherë në momentin e caktuar, kur të vije të momenti final, pra mund të suspendohet taksa për disa ditë, për të ndodhur edhe dakordimi në këtë marrëveshje dhe njohja reciproke.

Radio Evropa e Lirë: Kur e mendoni se do krijohen kushtet për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë?

Ramush Haradinaj: Është çështje e qartësisë. E them edhe një herë, nëse Serbia dëgjon mesazhe të përziera si prej Kosovës, si prej palëve ndërkombëtare, se do t'i jepet diçka në shkëmbim të njohjes, derisa ajo diçka që Serbia e synon nuk i duket e mjaftueshme, nuk i kënaqë apetitet e Serbisë, nuk do të kemi marrëveshje.

Nëse ne marrim një drejtim ndryshe, nuk japim asgjë për njohje, pra nuk japim asnjë gjë për njohje - këtë e di edhe bashkësia ndërkombëtare, ja thonë Serbisë - pastaj mund të vijë momenti kur Serbia e vlerëson - nuk merr më asgjë nga Kosova, jemi fqinj, është një treg fqinj - a të vendosë marrëdhënie apo jo. Ne po e vonojmë arritjen e një marrëveshjeje duke çuar mesazhe të përziera se mund t'i jepet diçka Serbisë nga Kosova në shkëmbim të njohjes. Ky është një gabim i madh.

Radio Evropa e Lirë: Ju mendoni se vetëm taksa duhet të jetë një prej kushteve që procesi të shkojë tutje?

Ramush Haradinaj: Janë dy komponentë që e përbëjnë marrëveshjen përpos të gjitha temave, si çështja e të pagjeturve, borxhet, fondi pensional e plot problem të tjera që ka Kosova me Serbinë. Por, dy komponentë janë me rëndësi: është një Asociacion i komunave serbe në Kosovë, që do të themelohet në bazë të Kushtetutës edhe ligjeve të Kosovës. Kosova nuk ka pushtet të tretë, ka vetëm pushtetin komunal dhe ka nivelin nacional. Pra, mund të themelohet, kjo është pjesë e Ahtisarti dhe pastaj është edhe marrëdhënia e mirë ekonomike, që nënkupton edhe heqja e taksës, kthimi i tregut. Në këto dy komponentë, Serbia dhe zoti (presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq ishte dashur të mjaftohet me këto që t'i thotë popullit serb se kemi fituar. Nëse ai synon më shumë se këto, e vonon zgjidhjen dhe nuk do të marrë asgjë nga këto.

Radio Evropa e Lirë: Në planin e brendshëm, çështjet më të përmendura në Kosovë janë mungesa e sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Cilat do të jenë veprimet tuaja për të ndryshuar gjendjen në këtë rrafsh?

Ramush Haradinaj: Ne duhet ta forcojmë shtetin ligjor edhe më tutje. Mendoj që në dy komponentët të rëndësishëm të shtetit ligjor, të sundimit të ligjit, kemi vepruar drejt, pra kemi avancuar bazën ligjore. Paketa ligjore për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për konfliktin e interesit është më i avancuari, jo veç në rajon dhe jemi lavdëruar nga Departamenti i Shtetit, jemi lavdëruar nga BE-ja. Pra, kemi ligjet më të avancuara, më të sakta që mund ta ndihmojnë pra luftën kundër krimit dhe korrupsionit, e kundër konfliktit të interesit. E kemi rritur bazën materiale që është shumë me rëndësi për pavarësimin e gjyqësorit, pra jo ndërhyrje politike në gjyqësor, jo përzierje të kompetencave, por dhënien e mundësisë për një pavarësim të mëtejmë përmes bazës materiale. Njëkohësisht, rritjen e numrit të gjyqtarëve, rritjen e numrit të prokurorëve. Do të rrisim edhe numrit e stafit profesional edhe të gjitha aspektet logjistike.

Mirëpo, duhet të shkojmë në këtë mënyrë, ne nuk guxojmë që politikanët, po ashtu të marrin kompetenca te gjyqësorit, pra kjo nuk është e drejt e jona. Edhe nga vullneti i madh që të luftojmë korrupsionin ose të luftojmë krimin, ne nuk jemi gjyqtarë dhe prokurorë. Pra, duhet ta ruajmë pavarësinë e pushteteve, në fakt autonomin e pushteteve, nuk është pavarësi, se ne të gjithë jemi në kuadër të një kushtetute, por duhet ta ruajmë autonominë e pushteteve, në këtë rast legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori.

Radio Evropa e Lirë: Pas zgjedhjeve, koalicionet duken si të pashmangshme. Do të preferonit të qeverisni me ish-partnerët në qeverinë e fundit apo me partitë që kanë qenë në opozitë?

Ramush Haradinaj: Nuk është zgjidhja ime e preferuar, pra nuk është preferencë e imja partnerët e qeverisjes së mëhershem. Pra, fakti që kemi shkuar në zgjedhje ndarazi, nënkupton se marrëdhëniet tona kanë përfunduar.

XS
SM
MD
LG