Ndërlidhjet

Maqedonia dhe Shqipëria rivendosin komunikimin, në vjeshtë mbledhje e dy qeverive


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë

Maqedonia dhe Shqipëria synojnë të hapin një faqe të re bashkëpunimi, pas përplasjeve që kishin periudhën e fundit lidhur me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Para së gjithash, marrëdhëniet ishin cenuar pas deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, e cila ishte arritur me ndihëm e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Kjo deklaratë, nga Qeveria e kaluar e Maqedonisë ishte cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të këtij vendi.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov të hënën në Tiranë është pritur nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në vizitën e parë të një zyrtari të lartë të Qeverisë së re të kryeministrit, Zoran Zaev, i cili thotë se angazhohet për përmirësimin e raporteve me të gjitha shtetet fqinje.

Dimitrov dhe Bushati thanë se mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura dhe se interesi i përbashkët i tyre mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ata u dakorduan që në vjeshtë të organizohet një mbledhje e përbashkët e dy qeverive.

Shefi i diplomacisë shqiptare gjithashtu tha se uron që Maqedonia t'i ketë hapur dyert e mbyllura nga Qeveria e kaluar, në procesin e integrimit euroatlantik të vendit.

Shpresojmë shumë që plani i Qeverisë të hap dyert e mbyllura deri më tani për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Për ne avancimi i raporteve është i rëndësishëm, sikur edhe anëtarësimi me hapa të shpejt dhe në cilësi i Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian është i një rëndësie të posaçme për stabilitetin demokratik të Evropës”, ka deklaruar Bushati.

Edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, foli për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, por u ndal edhe në interesimin e medieve lidhur me ligjin për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Ky ligj, tha ai, do të miratohet ndërsa e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për forcimin e stabilitetit të Maqedonisë.

Sa i përket ligjit për përdorimin e gjuhëve, politika jonë është që të bëhet gjithçka që është në dobi të bashkëqytetarëve tanë shqiptarë... Mendoj se ky proces nuk është duke u zvarritur, përkundrazi ai po realizohet me një dinamikë të shpejtë. Ky ligj është në interes të Maqedonisë, pasi vizioni ynë për shtetin është që sa më shumë qytetarët ta ndiejnë si të tyrin aq më stabile do të jetë Maqedonia”, ka deklaruar Dimitrov.

Duke komentuar raportet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thotë se ftohja e tyre ishte pasojë e politikës tensionuese të Qeverisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe se reagimi i Tiranës ishte i nevojshëm në situatën nëpër të cilën po kalonte Maqedonia me krizën e rëndë politike, e cila u përshkallëzua edhe në dhunë fizike.

Raportet e ftohura mes Tiranës dhe Shkupit ishin të imponuar nga Qeveria e kaluara e drejtuar nga ish- kryeministri kryeneç, Nikolla Gruevski, i cili sillej si një shtypës, si një përdhunues i shqiptarëve të Maqedonisë dhe mendoj se Qeveria e Tiranës ia dha përgjigjen e duhur duke e izoluar, ashtu siç e izoloi edhe faktori ndërkombëtar”, thotë Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Sipas tij, në interes të dy shteteve fqinje duhen të jenë raportet e mira në të gjitha fushat, pasi dy vendet nuk kanë çështje të hapura, ndërsa synimi i tyre është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Raportet me Shqipërinë vlerësoj se duhet të jenë të mira, jo vetëm se deklarativisht. Mendoj se si simbolik më e mirë do të duhej të ishte ndërtimi i rrugës Tetovë-Prizren, që e lidh Maqedoninë me Shqipërinë, duke i mundësuar dalje në detin Adriatik dhe kjo do të shihej si shenj e miqësisë dhe e kapërcimit të raporteve të këqija”, përfundon Sinani.

XS
SM
MD
LG