Ndërlidhjet

FH: Kosova bën përparim të vazhdueshëm


Freedom House, "Vendet në tranzicion, 2020”.

Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që për të pestin vit me radhë ka shënuar përparim në raportin e organizatës Freedom House për demokratizmin e vendeve.

I titulluar “Vendet në tranzicion, 2020”, raporti vlerëson gjendjen e qeverisjes demokratike në 29 vende në Evropë dhe Euroazi.

Në tabelën prej 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët të përparimit demokratik dhe 7-ta me të lartin, Kosova i ka 3.18 pikë, krahasuar me 3.11 sa ka pasur vitin e kaluar.

Përparim të lehtë ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut, duke siguruar 3.75 pikë, krahasuar me 3.68, vitin e kaluar.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë shënuar përkeqësim, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina dhe Kroacia kanë mbetur në të njëjtën pozitë.

“Përkundër disa marrëveshjeve të suksesshme politike dhe përparimit teknik drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vendet në tranzicion kanë shënuar përkeqësim të demokracisë, sidomos Serbia dhe Mali i Zi”, thuhet në raport.

Të gjitha vendet e Ballkanit, përveç Kroacisë, bëjnë pjesë në grupin e “regjimeve kalimtare ose hibride”. Këto, sipas Freedom House, janë demokraci zgjedhore, ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ku ekzistojnë sfida reale për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

Serbia dhe Mali i Zi kanë dalë këtë vit - për herë të parë qysh më 2003 - nga kategoria e demokracive.

“Kapja e shtetit, abuzimi i pushtetit dhe taktikat e të fuqishmëve, të praktikuara nga Aleksandar Vuçiq në Serbi dhe Millo Gjukanoviq në Mal të Zi, kanë bërë që këto vende të kapërcejnë kufijtë. Ato nuk kategorizohen më si demokraci”, thuhet në raport.

“Prejse ka marrë pushtetin në vitin 2012, Partia Përparimtare Serbe ka kufizuar vazhdimisht rolin e opozitës në qeverisje”, thekson Freedom House.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Demokracia në pikën më të ulët

Organizata nxjerr në pah se numri i demokracive është në pikën më të ulët në historinë 25-vjeçare të raportit: nga 29 vendet e vlerësuara, dhjetë janë demokraci, dhjetë janë regjime hibride dhe nëntë janë regjime autoritare.

Sa u përket vendeve të Evropës Qendrore, Hungaria po ashtu ka rënë në grupin e regjimeve kalimtare ose hibride, për shkak të, siç thuhet, përkeqësimit të të dhënave nga zgjedhjet, qeverisjet lokale dhe korrupsioni.

Polonia po ashtu e ka ndryshuar kategorinë, duke u bërë vendi i dytë i Bashkimit Evropian që humb emërtimin “demokraci e konsoliduar”, pas Hungarisë.

Te Polonia, Freedom House nxjerr si arsye situatën e përkeqësuar në pavarësinë e gjyqësorit.

Duke iu referuar vendeve që kanë dalë nga kategoria e demokracive, presidenti i Freedom House, Michael Abramowitz, tha se “shumë udhëheqës në rajon nuk pretendojnë më se kujdesen për demokracinë apo ligjin”.

Kriza e koronavirusit ka krijuar një ndryshim, pas të cilit gjërat mund të përkeqësohen, ose demokracitë mund të ringjallen”, tha Abramowitz.

"Shpresojmë se kjo përvojë do të ilustrojë rëndësinë e qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme dhe do të nxisë kërkesa të reja për ndryshime", shtoi ai.

  • 16x9 Image

    Valona Tela

    Autore e magazinës së përjavshme televizive 'Expose'. Si përgjegjëse për web-faqen e Radios Evropa e Lirë, ekipit në Prishtinë i është bashkuar në vitin 2007. Nga viti 2011 është redaktore emisionesh në selinë qendrore në Pragë. 

XS
SM
MD
LG