Ndërlidhjet

Kosova regjistron pesë viktima dhe 382 raste me koronavirus

Pamje nga një qendër për testim të koronavirusit në Prishtinë.
Pamje nga një qendër për testim të koronavirusit në Prishtinë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka regjistruar të enjten në Kosovë 5 viktima me koronavirus.

"Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 2 raste (83, 79 vjeç), Pejë 1 rast (70 vjeç), Prizren 1 rast (67 vjeç), Skenderaj 1 rast (78 vjeç)", është thënë në njoftim.

Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 382 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 3,003 mostrave.

Kjo nënkupton që 12.7 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 22 prill janë shëruar 507 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 11,366.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 103,124 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,110 kanë vdekur.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

XS
SM
MD
LG