Ndërlidhjet

Kosova regjistron 23 raste me koronavirus


Ilustrim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të dielën, 23 raste të infektimit me koronavirus, pas testimit të 2,120 mostrave.

Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë me këtë virus.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 30 maj janë shëruar 130 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 2,380.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,405 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,243 kanë vdekur.

Gjiganti farmaceutik Pfizer ka konfirmuar të shtunën për Radion Evropa e Lirë, marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për furnizim me vaksina kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

Me 28 maj, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë të premten përmes një postimi në Twitter se këto doza vaksinash do të dërgohen në Kosovë deri në fund të vitit.

Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.

Deri më tani, Kosova ka përdorur vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.

Aktualisht, po vaksinohen personat personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor.

Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit të vaksinojë 60 për qind të popullatës.

XS
SM
MD
LG