Ndërlidhjet

Kosovë: Një i vdekur dhe 11 raste të reja me COVID-19


Një punonjës shëndetësor në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Të dielën, Kosova regjistroi një viktimë dhe 11 raste të reja me koronavirus, njoftoi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Rastet e reja dolën pas testimit të 2.074 mostrave.

Në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 146 pacientë, që çon në 104.054 numrin e përgjithshëm të të shëruarve nga sëmundja COVID-19.

Raste aktive me koronavirus vazhdojnë të jenë 1.198.

Autoritetet shëndetësore po ashtu bëjnë të ditur që gjatë 24 orëve të fundit, kundër koronavirusit janë vaksinuar 1.647 persona.

Që prej fundit të marsit, kur nisi fushata e imunizimit kundër sëmundjes COVID-19, në Kosovë janë vaksinuar 80.126 persona.

Aktualisht, Kosova po përdor vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga vaksinat, që shteti ka marrë si donacion nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e 1.2 milion dozave të vaksinës, të cilat do të arrijnë në vend deri në fundit të vitit.

Autoritetet kanë thënë se deri në fund të vitit synojnë të imunizojnë kundër koronavirusit, 60 për qind të popullatës së Kosovës.

XS
SM
MD
LG