Ndërlidhjet

Institucionet e drejtësisë përball sfidës për zbardhjen e rastit “Zhvatja”


Ilustrim.

Njohësit e çështjeve juridike konsiderojnë se zvarritja e zbardhjes së aferës “Zhvatja” dëmton në masë madhe Qeverinë. Sipas tyre, kjo gjendej po ashtu pamundëson arritjen e një marrëveshjeje mes pushtetit dhe opozitës për Ligjin për Prokurorinë Themelore Publike dhe me këtë edhe zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale.

Rasti “Zhvatja” ka të bëjë me zhvatjen e 1,5 milion eurove nga një afarist, në këmbim që ai të ndihmohet që të bllokohen rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale Publike.

Sipas ekspertëve, në Maqedoninë e Veriut ka prokurorë që me punën e tyre kanë dëshmuar se janë të ndershëm dhe kanë kapacitet për ta luftuar krimin në nivel të lartë, por sipas tyre, këta prokurorë nuk duhet të pengohen në punën e tyre.

“Duhet më shumë presion nga ana e opinionit publik që Prokuroria të angazhohet maksimalisht që të zgjidhë rastin ‘Zhvatja’. Unë kam besim se në këtë institucion ka njerëz profesionistë, të cilët duhet të inkurajohen ta bëjnë punën dhe të njëjtit të mos bllokohen nga influenca e politikës”, thotë njohësi i çështjeve juridike, Gordan Kallajxhiev.

Ndërkohë, analisti politik Xhelal Neziri, thotë se zbardhja e aferës “Zhvatja”, varet kryekëput nga vullneti politik dhe jo nga kapacitetet e institucioneve të drejtësisë.

“Mendoj se nëse ka vullnet të mirë nga ana e pushtetit ekzekutiv që të mundësojë një hetim efektiv të pavarur, i cili do të japë rezultate konkrete, atëherë mendoj se institucionet do të jenë në pozicion që të përmbushin detyrën e tyre ligjore, të bëjnë hetimet e nevojshme,ndërkohë që gjykatat të ndërmarrin vendim për shqiptimin e dënimeve adekuate”, thotë Neziri.

Ai njëherësh konsideron se moszgjidhja e aferës “Zhvatja” do të mbajë peng edhe arritjen e marrëveshjes për Ligjin e ri për Prokurorinë Themelore Publike.

Ndërkaq, Nenad Markoviq, ligjërues në Fakultetin Juridik të Shkupit, për Radion Evropa e Lirë vlerëson se institucionet duhet të veprojnë me shpejtësi, në të kundërtën, “Zhvatja” si rast do të dëmtojë në masë të madhe Qeverinë e udhëhequr nga Zoran Zaevi dhe atë personalisht, pavarësisht se deri më tani duket se ai nuk është pjesë e kësaj afere.

“Të gjithë do të përfitonin nëse do të kemi një reagim të shpejtë të të gjitha institucioneve kompetente, që sa më parë të zbardhet gjithçka që ka të bëjë me rastin ‘Zhvatja’, duke ndriçuar jo vetëm funksionimin e skemës se si është ngritur afera, por dhe të gjithë akterët e përfshirë në këtë rast. Sa më shumë të zgjasë ky proces, aq më shumë rriten mundësitë për spekulime se kush është i përfshirë, arsyet e përfshirjes. Pra, e theksoj sa më shumë zgjasë ky proces pa u ndriçuar, aq më shumë dëm do t’i sjellë Qeverisë në një ose mënyrë tjetër”, thotë Markoviq.

Miratimi i Ligjit që rregullon punën e Prokurorisë Themelore, me te cilin duhet të zgjidhet dhe statusi i Prokurorisë Speciale është bllokuar si pasojë e përplasjes mes pushtetit dhe opozitës për rastin “Zhvatja”.Mandati i Speciales skadon në shtator dhe rregullimi i statusit të këtij institucioni Maqedonisë së Veriut i është vendosur si kusht lidhur me caktimin e datës për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG