Ndërlidhjet

Kërkohen reforma thelbësore në sistemin gjyqësor


Ilustrim
Ilustrim

Maqedonia nuk arrin ta çlirojë sistemin gjyqësor nga ndikimi i politikës, dhe sipas njohësve të çështjeve juridike, në këtë sektor, po bëhen reforma sipërfaqësore.

Zyrtarët e Maqedonisë thonë se vonesat në realizimin e reformave në sistemin gjyqësor janë si rrjedhojë e mosbashkëpunimit të opozitës me pozitën në Kuvend, për të kaluar ligjet, për të cilat kërkohen dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Në këtë kontekst, gjatë kësaj jave ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jess Baily ka drejtuar kritika të ashpra mbi punën e Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Ambasadori Baily ka theksuar se Këshilli i Prokurorëve nuk ka qenë transparent gjatë zgjedhjes së prokurorëve të rinj, duke nënvizuar se “vendimet e kontestuara të Këshillit ishin të mjaftueshme që publiku ta humbë besimin në këtë institucion”.

Këto reagime vijnë pasi për prokuror për krim të organizuar është zgjedhur mbesa e kryetarit të Këshillit të Prokurorëve.

Ekspertët juridikë thonë se ndryshimi duhet filluar nga secili drejtues i institucioneve.

Natalia Petrovska, drejtuese e koalicionit për gjykim të drejtë thotë se nuk duhet gjithmonë faktori ndërkombëtar të rikujtojë problemet me të cilat ballafaqohet gjyqësori në Maqedoni. Sipas saj, institucionet përkatëse duhet të reagojnë menjëherë kur ka indikacione se po shkelen ligjet.

“Nuk duhet të presim që gjithmonë të na kujtojë ambasadorët e shteteve të fuqishme, apo zyrtarët e lartë të Uashingtonit dhe Brukselit se shkelen ligjet, se kemi konflikt interesi sa i përket zgjedhjes së gjykatësve apo pakurorëve. Organet përkatëse duhet të veprojnë në përputhje me ligjet. Vetëm në atë rast mund të themi se Maqedonia është në rrugë të mbarë për të çliruar sistemin gjyqësor nga korrupsioni, nepotizmi, influenca politike ose çfarëdo qoftë ajo”, thotë Petovska.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike Bashkim Elezi për Radion Evropa e Lirë thotë se në mesin e gjykatësve dhe prokurorëve ka mjaftueshëm kuadër profesional. Por, sipas tij, këtij kuadri profesionistësh, duhet t’u mundësohet që të punojnë pa presion.

“Transparenca është shtylla kryesore përmes së cilës mund të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e sistemit gjyqësor”.

“Duhet të vendosen mekanizma përmes së cilave zgjedhja e gjykatësve, prokurorëve dhe marrja e vendimeve në gjykata të jetë më transparente. Nga këtu duhet të fillojnë reformat. Për të pasur një gjyqësor të pavarur duhet nisur nga rekomandimet e Bashkimit Evropian, pra ndarjen e shtetit nga partia, që nënkupton mospërzierjen e politikës në gjyqësor”.

“Si shtyllë kryesore mbi të cilën do të duhet të ndërtohet sistemi gjyqësor është sigurimi i buxhetit të pavarur për këtë institucion”, thotë Elezi, i cili ka punuar si administrator i lartë në Ministrinë e Drejtësisë dhe aktualisht punon si noter.

Në anën tjetër, Natalia Petrovska vlerëson se reformat e paralajmëruara me pompozitet nga ana e Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, në praktikë realizohen me shumë vështirësi.

“Sa i përket strategjisë për reformimin e sistemit gjyqësor, si pjesë e planit të Qeverisë së Maqedonisë, të njohur si plani 3-6-9, gjerë më tani shumë pak është bërë”.

“Bëhet fjalë për një ose vetëm dy ligje që kanë marrë vizë nga Parlamenti. Përderisa, për reforma në gjyqësor duhet të kalojnë më shumë ligje për të cilat nevojiten dy të tretat e votat dhe për t`u realizuar kjo, nevojitet një konsensus më i gjerë politik. Kemi një heshtje absolute sa i përket statusit të mëtejmë të Prokurorisë Speciale. Pra, kemi reforma sipërfaqësore, kozmetike dhe aspak nuk kemi të bëjmë me një qasje serioze edhe nga ana e kësaj përbërje qeveritare sa i përket reformimit të sistemit gjyqësor”, thotë Petrovska.

Pas shpërbërjes së Këshillit për realizmin e reformave, në kuadër të dikasterit të drejtësisë, pasi një pjesë e ekspertëve dhanë dorëheqje për shkak, se siç thanë, nuk janë përfillë sugjerimet e tyre, së fundmi është formuar Këshilli për Ndjekjen e Zbatimit të Strategjisë për Gjyqësinë në nivel të Qeverisë, këshill të cilin e udhëheqkryeministri Zoran Zaev. Ky mekanizëm pritet t’u jap shtytje reformave në sistemin e gjyqësorit.

XS
SM
MD
LG