Ndërlidhjet

Reformat në arsim, me hapa të ngadaltë


Ilustrim
Ilustrim

Viti i ri shkollor 2018/2019, nxënësit e shkollave të fillore të Maqedonisë do t`i gjejë me problemet e vjetra. Ndër problemet kryesore vlerësohet se janë numri i madh i nxënësve me një klasë, oraret e ngarkuara mësimore, mungesa e mjeteve për mësim, e të tjera.

Nga dikasteri i arsimit thonë se nuk heqin dorë në asnjë mënyrë nga reformat e paralajmëruara, megjithëse shtojnë se derisa nuk miratohet një Ligj i ri për arsimin fillor, nxënësit e shkollave fillore do të mësojnë sipas programeve të vjetra, ndërkohë parashihet të zvogëlohet numri i nxënësve që gjenden në një klasë.

Në Ministrinë e Arsimit thonë se grupet punuese tanimë janë duke punuar versionin e dytë të Ligjit për arsim fillor, i cili do të vendoset në regjistrin elektronik për sugjerime dhe vërejtje.

“Ndryshimet në Ligjin për shkollim fillor do të mundësojnë që të zvogëlohet numri i orëve mësimore për klasat e ulëta, si dhe zvogëlimi i numrit të nxënësve në klasa. Bëhet fjalë për reforma të guximshme, që nënkupton ndryshime serioze në sistemin arsimor, andaj nevojitet që Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe shkollat, të jenë tërësisht të përgatitura para se të jetësohen reformat në procesin arsimor”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ish-ministri i Arsimit të Maqedonisë, Nenad Novkoski për Radion Evropa e Lirë thotë se paralajmërimet pompoze për reforma thelbësore në arsimin fillor, duhet marrë me rezervë, sepse për ndryshime të mëdha nevojiten mjete të shumta financiare dhe kuadër profesionistë, duke shtuar se ndryshimet thelbësore nuk mund të bëhen në një afat të shkurtër kohor.

“Siç thotë ajo shprehja e njohur ‘në arsim një ditë zgjatë një vit’, për shkak se për realizimin e reformave nevojitet kohë. Në këtë kontekst është e kuptueshme se nuk ishin reale paralajmërimet nga ky dikaster për ndryshime të mëdha në vjeshtë. Për momentin me rëndësi është duhet të përcaktohet dinamika se cilat ndryshime sipas cilës rrjedhë o të realizohen”, thotë Novkoski, ish-ministër i Arsimit.

Ai si problem vlerëson edhe ndryshimet e shpeshta kadrovike në drejtimin e këtij dikasteri, duke sjellë praktikën e vendeve evropiane, ku edhe pas ndryshimit të qeverive synohet të arrihet konsensus që mos të ketë ndryshime në Ministrinë e Arsimit, në mënyrë që proceset e filluara në sistemi arsimor të mos pësojnë ngecje.

Nga ana tjetër, kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, Nuhi Dardhishta për Radion Evropa e Lirë thotë se prioritet në realizimin e reformave duhet vënë zvogëlimin e nxënësve në një klasë, ngase siç thekson ai, në shkollat me mësim në gjuhën shqipe gjendja është alarmante, pasi në një klasë mësojnë mbi 40 nxënës.

Dardhishta vlerëson se reformat në arsimin fillor lëvizin ngadalë si rrjedhojë e vendimeve të përshpejtuara, të paanalizuara mirë nga ana e profesionistëve në këtë fushë.

Ai thotë se vërejtjet rreth Ligjit për arsim fillor duhet analizuar në një debat gjithëpërfshirës dhe jo ato të shtohen vetëm në formë elektronike.

“Nevojitet një debat i gjerë, ku qartë do të diskutohet se çka me prioritet duhet ndryshuar në të mirën e përgjithshme të nxënësve, por edhe të gjithë punonjësve në arsim. Një debat është më se i nevojshëm pë t’i analizuar mirë të gjitha gjërat. Kalon koha dhe reformat në arsim nuk arrijnë jo të realizohen, por as të fillojnë. Shtatori edhe këtë vit do i pres nxënësit me shumë orë, dhe klasa të mbipopulluara që për fat të keq në shumë shkolla me mësim në gjuhën shqipe, numri në një klasë tejkalon numrin 40 nxënës”, thotë Dardhishta.

Ndryshe, në janar të këtij viti, ministrja e Arsimit të Maqedonisë, Renata Deskoska para se të kalojë të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, bëri të ditur se në Ligjin e ri për arsim fillor, do të përfshihen një sërë ndryshimesh, siç është zvogëlimi i orëve mësimore, ulja e numrit të nxënësve nëpër klasa dhe ky ligj do të japë më shumë garanci për përfshirjen e nxënësve me nevoja të veçanta në sistemin e rregullt arsimor. Ligji i ri për arsim fillor parasheh dhe largimin e Kembrixh-programit.

XS
SM
MD
LG