Ndërlidhjet

Me ligj, pritet eliminimi i gabimeve në tekstet shkollore


Libri i gjeografisë në Maqedoni, ku nën flamurin e Kosovës, shkruan Greqi
Libri i gjeografisë në Maqedoni, ku nën flamurin e Kosovës, shkruan Greqi

Propozimi për ndryshime të Ligjit për tekstet shkollore të ciklit fillor dhe të mesëm në Maqedoni , pritet të hyjë në procedurë parlamentare javën qw vjen. Me këto ndryshime, synohet të evitohen të gjitha gabimet dhe lëshimet e deritashme në shumë tekste shkollore në gjuhën shqipe, deklaron për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni, Arbër Ademi.

“Hapet rrugë që të bëhet korrigjimi i shpejtë apo përmirësimi i lëshimeve dhe gabimeve të konstatuara në tekstet shkollore, por dhe të atyre që eventualisht mund të bëhen. Më konkretisht - kur jemi te korrigjimi i teksteve shkollore me ndryshimet e Ligjit për tekstet shkollore, i cili në mbledhjen e fundit ka marrë vizë nga Qeveria dhe do t’i kërkohet Parlamentit që sa më parë të futet në procedurë parlamentare për miratim - një nen i posaçëm parasheh dispozita konkrete se si do të veprohet nëse konstatohen gabime në tekstet shkollore”.

“Pra, nëse konstatohet se në një tekst shkollor do të jetë e nevojshme të bëhen korrigjime dhe plotësime në aspektin profesional, metodologjik, atë teknik, po çka është e rëndësishme edhe në aspektin përkthimit dhe adaptimit, atëherë Shërbimi Pedagogjik do t’u bëjë thirrje botuesve përkatësisht autorëve, që të bëjnë propozime për korrigjim dhe plotësim të tekstit shkollor në një afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës nga Shërbimi Pedagogjik”, thotë Ademi.

Gabime drejtshkrimore gjatë përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni
Gabime drejtshkrimore gjatë përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni

Ai thekson se edhe vetë botuesit ose autorët e librave, pas kësaj do të mund të japin propozime konkrete që teksti mund të tërhiqet nga përdorimi nëse 30% e përmbajtjes së tekstit shkollor detektohet se në brendi ka gabime ose lëshime.

Por, me këtë nuk pajtohet Azam Dauti, nga shtëpia botuese “Shkupi”, sipas të cilit fare nuk ka nevojë për ligj të ri për botimin e teksteve shkollore, por, siç thotë ai, mjafton që tekstet shkollore mos botohen përmes tenderëve të kurdisur, por botimi i teksteve shkollore t`u besohet botuesve të mirëfilltë.

“Sipas mendimit tim, më e rëndësishme se çfarëdo ligji është, që Qeveria aktuale t’i detektojë problemet në tekstet shkollore, e në veçanti ato në gjuhën shqipe, sepse realisht nëse analizohen tekstet shkollore në gjuhën shqipe, nuk e di a do të duhej të mbetej në përdorim ndonjë prej tyre. Prandaj, propozimi im konkret është, që të hartohen të gjitha tekstet shkollore në frymën e re arsimore, në të cilën është paralajmëruar disa herë që do të kemi reduktim të plan programeve mësimore dhe reduktim të lëndëve mësimore”.

“Kjo do të thotë, që nëse duam të bëjmë ndryshime cilësore, do të duhet paralelisht të organizohen konferenca e debate edhe nga Ministria e Arsimit, Këshillat Pedagogjike, arsimtarët, prindërit, nxënësit, botuesit dhe të gjitha shtresat e interesuara, për të hapëruar, në frymën e kohës dhe ndryshimeve".

"Pa këtë aktivitet gjithëpërfshirës, nuk besoj që mund të kemi zhvillime cilësore, as vetëm me përmirësimin e disa teksteve shkollore në mënyrë të pjesshme. Aq më shumë, që edhe këto ‘përmirësime të pjesshme’ përmenden vetëm kur gazetarët e aktualizojnë këtë problematikë, ndërkaq realisht, nuk kam dëgjuar se është ndërruar ndonjë libër nga ato që zakonisht apostrofohen në fillim vitin shkollor”, thotë për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Salajdin Saliu, nga katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Tetovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se në Maqedoni ka ardhur koha të flitet për tekste në gjuhën shqipe, shkolla shqipe dhe jo nxënësit të mësojnë me tekste të përkthyera në gjuhën shqipe nga autorët maqedonas.

Saliu thekson nevojën e instalimit të një sistemi të fuqishëm të kontrollit për autorët dhe botuesit teksteve shkollore si në arsimin fillor, ashtu dhe në atë të mesëm para se këto libra të bien në duart e nxënësve.

“Mendoj se ka ardhur koha që një herë e përgjithmonë shqiptarët në Maqedoni, të mos kenë tekste të përkthyera shkollore, të mos kenë shkolla ku mësohet përkthimi, por të kenë shkolla autoktone shqiptare.

Mendoj se çdo tekst shkollor duhet të përpilohet nga një ekip profesionistësh dhe i njëjti të kalojë përmes një sistemi të tërë kontrolli si në aspektin përmbajtjesor, po ashtu edhe në aspektin gjuhësor, sepse bëhet fjalë për nxënësit, të cilët pastaj krijojnë dhe shprehi të gabuara gjuhësore, kur diçka e mësojnë gabimisht”.

“Pra, asnjë tekst nuk do të duhej të kishte brenda vetes gabime të pafalshme përmbajtjesore dhe drejtshkrimore, por në një shoqëri siç është Maqedonia me shumë kultura me shumë gjuhë, duhet të shikohet edhe ana tjetër - ajo e fyerjeve të rënda ndaj shqiptarëve në tekste shkollore që në një mënyrë krijojnë ndasi brenda shoqërisë”, vlerëson Saliu, profesor universitar

Ndryshe, nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni në vazhdimësi kanë theksuar se tekstet shkollore me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni në brendi kanë përmbajtje fyese, nxitje ndëretnike dhe gabime të shumta gjuhësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG