Ndërlidhjet

Rënia e investimeve të huaja dëmton kompanitë vendore


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Kompanitë vendore, që punojnë si kontraktues të kompanive të huaja që veprojnë në Maqedoninë e Veriut, thonë se po e ndiejnë rënien drastike të investimeve të huaja.

Maqedonia e Veriut ka shënuar rënien më të madhe të investimeve të huaja krahasuar me vendet e rajonit, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim.

Investimet e huaja, në vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë vitit 2020, kur u paraqit pandemia COVID-19, shënuan 14 për qind ulje të investimeve të huaja, krahasuar me vitin 2019. Ndërkaq, Maqedonia e Veriut shënoi ulje prej 38 për qind të investimeve të huaja apo trefish më shumë se mesatarja e vendeve të rajonit.

Në Kosovë, gjatë vitit 2020 janë regjistruar investime të huaja në vlerë prej 341.7 milionë euro, apo 34.2 për qind më shumë se vitin paraprak.

Në Serbi, gjatë vitit 2020, në formë të investimeve të huaja hynë 3.4 miliardë dollarë, që është më pak për një të pestën e vlerës së investimeve sesa në vitin 2019. Në Shqipëri janë investuar 1.1 miliard dollarë, që është 14 për qind më pak se vitin 2019. Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut në formë të investimeve të huaja kanë hyrë 224 milionë dollarë, apo 38 për qind më pak se vitin para pandemisë.

Mali i Zi ka shënuar rritje të investimeve të huaja gjatë pandemisë.

Rënien e investimeve në Maqedoninë e Veriut po e ndiejnë kompanitë vendore, që bashkëpunojnë me ato të huaja.

“Sa i përket partneriteteve mes kompanive vendore dhe atyre të huaja, kjo rënie e investimeve të huaja ka dëmtuar më së shumti këtë lloj të veprimtarisë dhe me automatizëm do të pësojë edhe ekonomia në përgjithësi. Për shkak se kompanitë që prodhojnë për kompanitë e huaja, mjetet e tyre i riinvestojnë në vend dhe kështu ndihmojnë ekonominë në përgjithësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë, afaristi Ejup Avdullahu.

“Vlerësojmë se institucionet duhet të ndihmojnë kompanitë në këtë aspekt, sidomos sa i përket aspektit administrativ, duke iu dhënë hapësirë dhe kohë më shumë për realizimin e proceseve logjistike, që janë të nevojshme për konkurrueshmëri, e në këtë mënyrë t’i rikthejnë pozicionet e humbura në raport me kompanitë e huaja partnere”, shton Avdullahu, kompania e të cilit bashkëpunon me kompanitë turke që operojnë në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë për Investime të huaja në Maqedoninë e Veriut, Dejan Pavlevski është arsyetuar me faktin se për dallim nga trendët botërore, ku investimet e huaja që nga viti 2015 kanë trend negativ, në Maqedoninë e Veriut, investimet e huaja në vazhdimësi kanë pasur trend pozitiv, përveç më 2020, kur u shfaq pandemia.

“Gjatë vitit 2020, investimet e huaja kanë shënuar rënie prej rreth 40 për qind në raport me vitin 2019, që, megjithatë është rezultat shumë i mirë krahasuar me atë që ka ndodhur në vendet me ekonomi të zhvilluar dhe ato në tranzicion, ku investimet e huaja kanë shënuar rënie prej 58 për qind”, theksoi Pavlevski.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Tetovës, Arben Halili, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e kuptueshme që gjatë pandemisë të ketë rënie të investimeve të huaja. Por, ai shton se rënia prej 40 për qind “është alarmante”.

Për investimet e huaja, sipas Halilit, element i rëndësishëm është stabiliteti politik. Sipas tij, vetoja bullgare për bllokimin e proceseve integruese, në masë të madhe ka dekurajuar investitorët e huaj. Ndërkaq, sipas tij, një element problematik është mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore, pavarësisht se në vend, fuqia punëtore është e lirë.

“Maqedonia e Veriut po ballafaqohet me mungesë të fuqisë punëtore, dhe ndoshta ai aduti që duhet të përdoret është që të përmirësohet cilësia e arsimit, që të kemi një fuqi të kualifikuar punëtore. Kjo është e vetmja gjë që mund t’u ofrojmë investitorëve”, thotë Halili.

Autoritetet qeveritare maqedonase janë zotuar se viti 2021 do të jetë një vit me klimë më të mirë afariste, pasi kanë thënë se do të stimulojnë zhvillimin ekonomik, do të modernizojnë dhe digjitalizojnë kompanitë vendase që bashkëpunojnë me kompanitë e huaja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG