Ndërlidhjet

Shqipëria e Serbia lavdërohen për rezultatet e "Ballkanit të Hapur"


Shenja "Ballkani i Hapur" shihet në pikën kufitare, Preshevë - Tabanoc.
Shenja "Ballkani i Hapur" shihet në pikën kufitare, Preshevë - Tabanoc.

Tashmë janë të dukshme përfitimet nga nisma “Ballkani i Hapur” me rritjen e këmbimit tregtar, rritjes së numrit të turistëve dhe lëvizjes së fuqisë punëtore, thonë për Radion Evropa e Lirë ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Dalina Ibrahimaj, dhe ministrja e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit e Serbisë, Tatjana Matiq.

Ministrja Ibrahimaj thotë se nënshkrimi i marrëveshjeve në dhjetor ndërmjet tri vendeve pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur” tashmë ka dhënë rezultatet e para, pasi ka rritur shkëmbimin e mallrave me vendet që janë pjesë e kësaj nisme, si dhe ka dyfishuar numrin e turistëve në këtë vend.

“Kjo nuk është vetëm një retorikë, kjo nuk është vetëm një fjalë. Në katërmujorin e parë të vitit të gjitha këto nisma janë përkthyer në shifra, në përfitime, për të gjithë tregtarët shqiptarë, por edhe për qytetarët shqiptarë. Ne kemi rritur vëllimin e eksporteve dhe importeve me vendet e rajonit, vendet e ‘Ballkanit të Hapur’, duke lehtësuar kontrollet kufitare, duke shkurtuar kohën e kontrolleve kufitare. Pra, duke lehtësuar atë tregti që më parë ekzistonte.

Kjo ka nxitur akoma më shumë zhvillimin e vendeve. Nga ana tjetër, kemi pasur një ndikim të madh në nxitjen e turizmit. Kemi pasur një dyfishim të turistëve pjesë e vendeve të Ballkanit të hapur kundrejt Shqipërisë, që do të thotë ka pasur një impuls të mirë për ekonominë shqiptare dhe për tregtarët shqiptarë”, thotë Ibrahimaj.

Edhe katër marrëveshje të "Ballkanit të Hapur"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Shtetet e "Ballkanit të Hapur" do ta ndihmojnë njëra-tjetrën me produkte që mungojnë në treg

Në samitin e mbajtur në Ohër më 7 dhe 8 qershor, liderët e tri vendeve që janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, paralajmëruan formimin e grupeve punuese ndërmjet këtyer vendeve, për menaxhimin e krizës rreth produkteve të caktuara ushqimore, si dhe krizës energjetike.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Dalina Ibrahimaj, thotë se përmes nismës “Ballkani i Hapur” tri shtetet që janë pjesë e saj, janë zotuar të mbështesim njëra-tjetrën në ofrimin e produkteve, për të cilat ka mungesë në treg.

“Është një nismë që është konkretizuar, si në marrëveshjen e grurit që kemi me Serbinë për lirimin e tregtimit të grurit për kontratat që kishim të parafirmosura. Gjithashtu dhe në lirimin e tregtimit të vajit të lulediellit, i cili është një tjetër produkt, me të cilin kryesisht furnizimi bëhet nga Ukraina dhe për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë, ka pasur një mungesë në të gjitha tregjet ndërkombëtare".

"Ne jemi të angazhuar që këto marrëdhënie t’i intensifikojmë, në mënyrë që edhe këtë krizë, me të cilën përballemi, ta tejkalojmë të gjithë bashkë. Do të mundohemi që të gjithë bashkë të arrijmë një zhvillim ekonomik më të mirë, duke integruar politikat tona tregtare, ato ekonomike, duke i lejuar që të gjitha përfitimet që do të sjellë hyrja në Bashkimin Evropian të fillojnë që sot nëpërmjet një hapi drejt integrimit evropian”, shprehet Ibrahimaj.

Ndërkaq, ministrja e e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit e Serbisë, Tatjana Matiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendet e Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e “Ballkanit të Hapur” do të mbeten të fokusuara në ndihmën e ndërsjellë mes vete për kapërcimin e krizës energjetike.

“Çështja e parë që na pret dhe për çka duhet të mendojmë është situata me krizën energjetike. Kur flasim për produktet bazë ushqimore, situata është stabile. Vërtet ajo nuk është problematike, por thjesht ne duhet të mendojmë më herët, t’u paraprijmë gjërave dhe me forca të përbashkëta këtë krizë ta tejkalojmë pasi sigurisht do ta kemi më lehtë që bashkërisht ta tejkalojmë këtë periudhe krize që është para nesh”, thotë Matiq.

Përfitimet e para nga lëvizja e lirë punëtorët do t’i ndjejnë këtë verë

Vendet që janë pjesë e “Ballkanit të Hapur” kanë nënshkruar marrëveshje edhe për lëvizjen e lirë të forcës punëtore.

Lidhur me këtë, ministrja Matiq thotë se përfitimet e para qytetarët e të tria vendeve të “Ballkanit të Hapur”, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, do t`i ndiejnë që nga kjo verë, me marrjen e ID kartave, me të cilat do të mundësohet përfshirja në tregun e punës.

“Lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, është benifiti që do ta ndiejnë qytetarët e këtyre tri vendeve, të cilat tashmë janë pjesë e ‘Ballkanit të Hapur’. Kjo është më e rëndësishmja kur bëjmë fjalë për iniciativën ‘Ballkani i Hapur’ që ka të bëjë me përforcimin e ekonomisë së këtyre tri vendeve”, thotë Matiq.

Matiq: Çdo ekonomi që dëshiron t’i bashkohet nismës, është e mirëseardhur

Në pyetjen nëse Serbia do ta njohë Kosovën si anëtare të barabartë nëse eventualisht ajo i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur”, ministrja serbe Matiq thotë se “të gjitha ekonomitë që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë iniciativë, janë të mirëseardhura”.

“Çdo ekonomi që dëshiron t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”, është e mirëseardhur. Kjo është një iniciativë, e cila insiston drejt asaj që është e përbashkët. Ne dëshirojmë të punojmë në drejtim të asaj që na bashkon, afron. Ne dëshirojmë të shkojmë kah pajtimi, kah gjërat që sa më shpejt do të na çojnë drejt integrimit evropian, që do të na çojnë kah një jetë më e mirë për të gjithë qytetarët dhe jo kah ajo që na ka ndarë aq shumë vite. Ky është qëllimi ynë. Sa më shpejt, sa më lehtë ta tejkalojmë këtë periudhë të vështirë që është para nesh”, shprehet ajo.

Ndryshe, Serbia është partneri i katërt i Maqedonisë së Veriut për sa i përket shkëmbimit tregtar, megjithëse në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave Maqedonia e Veriut më shumë importon sesa eksporton nga ky vend fqinj.

Krahasuar me një vit më herët, gjatë vitit 2021 ka shënuar rritje eksporti.
Vetëm gjatë katërmujorit të parë të vitit 2021 shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë ka arritur vlerën prej 360 milionë eurosh - që paraqet një rritje prej 30 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më herët(2020).
Vitin e kaluar në Serbi janë eksportuar mallra në vlerë prej 292 milionë eurosh, ndërsa janë importuar mallra në vlerë prej 660 milionë eurosh.

Përderisa shkëmbimi tregtar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është më i ulët, të dhënat e vitit 2021 tregojnë se është regjistruar një ngritje e theksuar krahasuar me vitin 2020, për më shumë se 30 për qind.

Shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk tejkalon vlerën prej 100 milionë eurosh në vit.

Gjatë periudhës kohore janar-nëntor 2021 eksporti drejt Shqipërisë ka arritur vlerën prej 87 milionë e 77 mijë eurosh që parqet një rritje prej 31.1 për qind krahasuar me vitin 2020, dhe 30.9 për qind krahasuar me vitin 2019.

Ndërkaq, të dhënat e periudhës janar-nëntor 2021 tregojnë se importi drejt Shqipërisë ka qenë 85 milionë euro, duke shënuar rritje prej 38 për qind krahasuar me vitin 2020, dhe 39.5 për qind në raport me periudhën e njëjtë kohore në vitin 2019.

Që nga fillimi i nismës “Ballkani i Hapur” në tetor të vitit 2019, janë organizuar disa takime, ndërkaq ai i radhës është paralajmëruar të mbahet në Serbi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG