Ndërlidhjet

Rezultati i zgjedhjeve do të diktojë statusin e Prokurorisë Speciale Publike


Foto ilustruese

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale do të imponojë dhe dinamikën, në bazë të së cilës partitë politike kryesore do të duhet të arrijnë ujdi rreth statusit të Prokurorisë Speciale Publike, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut.

Bisedimet mes pushtetit dhe opozitës për definimin e statusit të Prokurorisë Speciale Publike mbeten të ngrira për dy javë të plota, ndërkohë po vazhdon fushata për zgjedhjen e presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut.

Sonja Stojadinoviq, njohëse e çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i ngushtë mes kandidatit të partive në pushtet dhe opozitës maqedonase ka rritur dukshëm ambiciet e opozitës maqedonase, VMRO DPMNE, për të shpëtuar bashkëpartiakët e saj, të cilët akuzohen për përfshirje në vepra kriminale, lëndë këto që i ka ngritur Prokuroria Speciale Publike.

Stojadinoviq, madje, thekson se nëse për presidente të shtetit zgjidhet kandidatja e opozitës maqedonase, atëherë në masë të theksuar do të bllokohet dhe funksionimi i Prokurorisë Speciale Publike.

“Në një situatë të tillë gjëja e parë që pres të bëjë VMRO DPMNE-ja, është që të bllokoj në tërësi procesin e mbajtjes, thënë kushtimisht, gjallë të institucionit Prokurori Speciale Publike”, vlerëson Stojadinoviq.

Nga ana tjetër, Xhelal Neziri, analist politik, thotë se rezultati i ngushtë zgjedhor në masë të caktuar ka dobësuar pozitën e pushtetit sa i përket statusit të Prokurorisë Speciale sesa mund të trimërojë VMRO DPMNE-në që të bllokojë funksionimin e Speciales.

“Unë nuk do të thosha se rezultati zgjedhor ka trimëruar dhe aq VMRO DPMNE-në si parti, për të pasur një pozitë më të fuqishme gjatë negociatave që po bën lidhur me reformat në Gjyqësor, por nga ky rezultat duket se ka dalë më e dobët Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë”,thekson Neziri.

Ai, duke komentuar mundësinë e mosarritjes së konsensusit me këtë dhe dështimin e zgjedhjeve presidenciale thotë se do të bllokohen të gjitha proceset e reformave në sistemin e drejtësisë.

Ndërsa, Sonja Stojadinoviq thotë se rezultati i ngushtë mes pushteti dhe opozitës, do të vendosë në plan të parë kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“VMRO DPMNE-ja do të vazhdoj që të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse është e vetëdijshme se me ekzistimin e Prokurorisë Speciale Publike vihet në pikëpyetje ajo pjesë e strukturës së kësaj partie, e cila akuzohet për vepra kriminale”, thekson Stojadinoviq.

Ndryshe, kryetari i opozitës maqedonase ka theksuar se VMRO DPMNE-ja mbetet në qëndrimin që Prokuroria Speciale të mos funksionojë si institucion i pavarur, por të kalojë si departament i veçantë në kuadër të Prokurorisë së rregullt Publike në sektorin e krimeve të rënda dhe kryetari i këtij organi duhet të zgjidhet në bazë të propozimeve nga opozita.

Opozita ka kërkuar, gjithashtu, që Prokuroria Speciale të mos i vazhdojë lëndët e proceduara në gjykatë pas qershorit të vitit 2017 si dhe materialet e përgjuara të mos shërbejnë si dëshmi para organeve gjyqësore, për çka kryeministri i Maqedonisë së Veritu, Zoran Zaev, tha se në bazë të versionit të fundit të Ligjit që rregullon statusin e Prokurorisë Speciale, kjo kërkesë është pranuar.

Zyrtarët e lartë të Qeverisë në vazhdimësi ia kanë kujtuar opozitës se definimi i statusit të Prokurorisë Speciale, paraqet një nga shtyllat kryesore sa i përket detyrimeve që kanë të bëjnë me reformat në sistemin gjyqësor, nga çka do të varet dhe caktimi datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG