Ndërlidhjet

Afera e përgjimeve mban peng Ligjin e Prokurorisë Speciale


Prokuroria Publike në Maqedoninë e Veriut. Fotografi nga arkivi.
Prokuroria Publike në Maqedoninë e Veriut. Fotografi nga arkivi.

Partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për Ligjin e Prokurorisë Speciale, për kalimin e saj në kuadër të Prokurorisë së Rregullt, në një sektor të veçantë si dhe për mospërdorimin e bisedave nga afera e përgjimeve si dëshmi në proceset e ardhshme gjyqësore kundër ish-zyrtarëve të Qeverisë së kaluar. Por, për dallim nga e kaluara, palët kanë shënuar një përparim, por pa dhënë detaje konkrete se për cilat pikat janë kanë afruar qëndrimet.

Takimi është zhvilluar mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski, me pjesëmarrjen edhe të ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska, si propozues e ndryshimeve ligjore.

“Ne theksojmë se të gjitha partitë politike duhet të kenë për prioritet perspektivën evropiane të vendit, duke marr parasysh rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe të bashkësisë ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës dhe të shtetit juridik, e që janë vendimtare për fillimin e procesit të negociatave me BE-në”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.

Opozita kërkon që Prokuroria Speciale të shkrihet në kuadër të Prokurorisë së Rregullt dhe se anëtarët e saj të mos jenë të privilegjuar nga prokurorët e tjerë ndërsa veç kësaj, opozita kërkon edhe hetimin e gjithë punës së Prokurorisë Speciale lidhur me punën që e ka bërë, e për të cilën ajo dyshon se ka qenë e motivuar politikisht. Opozita gjithashtu kërkon që zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të bëhet me propozim të opozitës, pasi me këtë ajo thotë se do të forcohej gjyqësori dhe pavarësia e punës së organit të akuzës

Kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickovski tha se “zgjidhje do të arrihej me kohë sikur opozita të mos përjashtohej nga bisedimet për hartimin e ligjeve”.

“Neve në muajin mars na e dhanë ligjin dhe na thonë ejani tani ta miratojmë. Kjo ishte merre ose leje. Pastaj na thonë ejani të biem dakord, e si të dakordohemi ne? Ne themi ky është pozicioni jonë ndërsa ai është i juaj, ejani ta gjejmë mesin”, ka deklaruar Mickovski, partia e të cilit ka dorëzuar mbi 60 amendamentet për ndryshimin e përmbajtjes së propozimit të Qeverisë.

Miratimi i ligjit për Prokurorinë Speciale mbështetet si nga BE-ja ashtu edhe nga SHBA-ja, pasi vlerësohet si shumë i rëndësishëm për procesin euro-integrues të Maqedonisë së Veriut dhe hetimin e aferave të ndryshme në vitet e fundit.

Mandati për ngritjen e padive Prokurorisë Speciale i ka skaduar në qershor të vitit 2017 dhe sipas një vlerësimi të Gjykatës Supreme ajo nuk ka të drejtë të procedojë asnjë nga lëndët gjyqësore që ka nisur pas kësaj date. Kjo është edhe një nga arsyet se pse Qeveria ka iniciuar ndryshimet në ligjin për punën e saj.

XS
SM
MD
LG